Kreu i Antimafias: Shqiptarët të dytët në botë për drogën

Në një intervistë për “La Repubblica”, Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias e Antiterrorizmit italian, Franco Roberti është shprehur se “pas amerikano-jugorëve, shqiptarët janë komisionarët më të mirë të drogave të lehta në botë. Duke folur lidhur me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në provincën e Foxhias, mes të cilave zjarri i qëllimshëm në një kamp emigrantësh, Prokurori Roberti u shpreh se, “në Foxhia ekziston një mafia e vërtetë që merret me trafikun e drogës dhe grabitjet me armë”.
“Foxhanët janë liderët e trafikut të lëndëve narkotike në Itali, falë raportit të privilegjuar që kanë me shqiptarët, të cilët pas amerikano-jugorëve që janë të parët, janë komisionarët më të mirë të drogave të lehta në botë”, u shpreh kreu i Antimafias.
Më tej, duke folur për lidhjet e mafias së Foxhias me grupet kriminale shqiptare si dhe duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Shqipëri, Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane u shpreh se: “Jo më kot, javën e kaluar isha për vizitë në Shqipëri i shoqëruar me prokurorin e Barit, Giuseppe Volpe, i cili po drejton një luftë të shkëlqyer kundër aktivitetit të grupeve kriminale në Foxhia si dhe me prokurorin e Leçes e Katanzaros, Nicola Gratteri”.
Kreu i Antimafias italiane foli edhe për bashkëpunimin me Prokurorinë shqiptare. “Nga autoritetet shqiptare, tha ai, kërkuam vigjilencë më të madhe e një shkëmbim informacioni më të shtrënguar, pasi nga ky trafik rrjedhin para të mëdha që më pas investohen në ekonominë legale, në rajonin e Puglias dhe në Itali”, u shpreh Franco Roberti.
Përsa i përket numrit të madh të armëve ilegale të përdorura nga grupet kriminale, Franco Roberti tha se, “ata përdorin armë e municione lufte”. Në territorin e provincës së Foxhias, autoritetet italiane kanë sekuestruar “armë që vinin nga ish-Jugosllavia madje dhe “bazooka”.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franco Roberti, gjatë takimit me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, para dy javësh në Tiranë, deklaroi se, me paratë e trafikut të drogës po financohen organizatat terroriste.  Kreu i Antimafias italiane tha se, për të luftuar këtë fenomen dhe për të bashkëpunuar në kohë reale me Prokurorinë për Krime të Rënda, Antimafia italiane ka deleguar në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri një gjyqtar magjistrat, i cili do të asistojë e ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe për të rritur bashkëpunimin mes prokurorive.
“Interes për të bashkëpunuar është treguar edhe në nominimin e një gjyqtari pranë Ministrisë së Drejtësisë, interesi ynë ishte se si mund të përmirësohej bashkëpunimi për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke qenë se ishim të bindur, ashtu siç më vonë edhe e verifikuam, që ishte diçka më shumë se sa një hipotezë investigative, që një pjesë e fitimeve të paligjshme të aktiviteteve të trafikut të lëndëve narkotike financojnë aktivitete terroriste”, tha kreu i Antimafias italiane.
Kreu i Antimafias tha se, për drogën shqiptare ka kërkesë të madhe në tregun italian për shkak të çmimit të ulët dhe afërsisë mes dy brigjeve. “Trafikimi i lëndëve narkotike ka ardhur në rritje në vitet e fundit, mes Shqipërisë dhe Italisë. Kemi nevojë që bashkë me kolegët shqiptarë të kuptojmë, se cili është motivi i rritjes së këtij trafiku dhe në të njëjtën kohë çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë dhe bashkëpunimin. Interesi ynë është të bashkëpunojmë për të gjetur mënyra për të luftuar trafikun. Prokurorët e Vlorës dhe të Krimeve të Rënda na kanë konfirmuar se, prodhimi dhe trafiku i drogës që është kultivuar në Shqipëri është trefishuar. Arsyet janë dy: rritja e kërkesë ofertës, si dhe është më ekonomike të marrësh lëndë narkotike nga Shqipëria, pasi është më afër se vende si Maroku. Në Itali, luftohet gjithnjë e më tepër që në fazën e kultivimit, ndërkohë në Shqipëri nuk ndodh kështu”, deklaroi kreu i Antimafias italiane.

R.POLISI

Artikulli paraprakVendimi i qeverisë “Rama”, për importimin e lëndëve radioaktive
Artikulli tjetër“Frika” nga numrat zhvendoset nga opozita tek mazhoranca