Presidenti Bujar Nishani kremtoi 130-vjetorin e hapjes së mësonjëtores së parë shqipe dhe të Ditës së Mësuesit në Komunat e Bujanocit dhe të Preshevës.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të kryetarëve të Komunave të Bujanovcit dhe të Preshevës mori pjesë në festimet e organizuara nga këto komuna me rastin e 130-vjetorit të hapjes së mësonjëtores së parë shqipe dhe të Ditës së Mësuesit.
Presidenti Nishani e filloi vizitën e tij në qytetin e Bujanocit, ku u takua me përfaqësues të pushtetit vendor të këtij qyteti, kryetarin e Komunës, zotin Shaip Kamberi, nënkryetarin e komunës me kombësi serbe, zotin Stojanca Arsiç, anëtarin shqiptar të Parlamentit të Serbisë, zotin Fatmir Hasani, kryetarin e Këshillit Kombëtar shqiptar, Jonuz Musliu, për të vijuar më pas disa takime të veçanta me përfaqësues të partive politike shqiptare të komunave të Bujanovcit, Preshevës dhe Gjilanit. Në të gjitha këto takime Presidenti Nishani u njoh drejtpërdrejti me shqetësimet e popullsisë shqiptare të këtyre komunave, të cilat fokusoheshin në realizimin e të drejtave të tyre më themelore të studimit të nxënësve në gjuhën shqipe, si dhe mungesën e mbështetjes ekonomike për këto komuna.
Presidenti Nishani evidentoi vëmendjen që i kushton këtyre shqetësimeve, si dhe i siguroi bashkëbiseduesit se do të vijonte të mbështeste dhe nxiste projektet e përbashkëta mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Serbisë për adresimin e çështjes së pajisjes me tekste dhe mjete mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të këtyre komunave në Luginën e Preshevës. Gjithashtu, Presidenti Nishani theksoi se, “është përgjegjësi e shtetit shqiptar që të vijojë me një platformë dhe axhendë konkrete të mbështesë kërkesat tuaja, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet serbe që zgjidhjet të jetësohen në legjislacionin e Serbisë”.
Me rastin e 130-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe dhe Ditës së Mësuesit, Presidenti Nishani vizitoi shkollën fillore të fshatit Tërnoc me shumicë shqiptare, si dhe përshëndeti në aktivitete të veçanta, të zhvilluara me këtë rast në komunat Bujanoc dhe Preshevë.
Kreu i shtetit në të gjitha këto aktivitete, së pari përshëndeti dhe uroi në Ditën e Mësuesit, të gjithë mësuesit, edukatorët dhe pedagogët shqiptarë, kudo që ndodhen, në Shqipëri apo vendet e tjera të rajonit dhe në diasporë, duke vlerësuar me mirënjohje kontributin e tyre për edukimin e brezave. “Në këtë ditë të shënuar për arsimin e kulturën shqiptare, ne kujtojmë me krenari dhe përulemi me respekt para gjithë mësuesve tanë, të cilët na mëkuan dashurinë për dijen dhe gjuhën amtare”, u shpreh Presidenti Nishani.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani vlerësoi mësuesit e shkollave shqipe të Luginës së Preshevës për sakrificat e bëra në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe zakoneve kombëtare, duke theksuar se: “ju të dashur mësues, me dashurinë e madhe për identitetin kombëtar, me dashurinë e madhe për fëmijët dhe shkollimin e tyre, keni tejkaluar këto vështirësi dhe me brezat e nxënësve që keni nxjerrë në dritë keni bërë krenar jo vetëm Medvegjën, Bujanovcin, Preshevën, por e keni bërë krenarë të gjithë kombin shqiptar”.
Në të gjitha takimet dhe aktivitetet e zhvilluara, Presidenti Nishani, theksoi në mënyrë të përsëritur se Shqipëria e ka jo thjesht detyrim kushtetues mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, por ka edhe përgjegjësinë për mbështetjen e tyre në arritjen e kërkesave të tyre legjitime. “Koha e deklaratave është tejkaluar tashmë dhe shqiptarëve nuk mund t’i mohohet veçanërisht e drejta e mësimit në gjuhën amtare”, u shpreh Presidenti Nishani.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria dhe institucionet e saj respektojnë në mënyrë thelbësore parimin e bashkëjetesës dhe të respektit të ndërsjellë mes popujve të ndryshëm të rajonit të Ballkanit dhe nuk kërkojnë as më shumë e as më pas këtë respekt edhe për shqiptarët kudo që ata jetojnë. “Respektimi i tyre do të jetë një mesazh i qartë jo vetëm për marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe për të gjitha kombet që jetojnë në rajonin e trazuar të Ballkanit”.
Presidenti Nishani bëri thirrje gjithashtu për të parë nga e ardhmja euroatlantike dhe jo kthimi pas në të shkuarën konfliktuale, duke theksuar se rruga e bashkimit kombëtar është në Bashkimin Evropian. “Të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë, si për vatrat tona, ashtu edhe për të ardhmen e paqtë e bashkëpunuese të rajonit. Duhet të vijojmë të kontribuojmë për ndërtimin e një fqinjësie të mirë, bazuar në mirëkuptimin dhe respektin reciprok. Le të ndërtojmë së bashku një rajon të vlerave, një rajon më human, një rajon ku qytetarët të jetojnë në paqe e në harmoni me njëri-tjetrin, një rajon ku s’ka vend për urrejtje dhe padurim ndaj tjetrit, një rajon ku respekti dhe mirëkuptimi të jenë vlera të qytetarisë evropiane”, u shpreh Presidenti Nishani.
Gjatë vizitës në Komunat Bujanovc dhe Preshevë të Republikës së Serbisë, Presidenti Nishani u shoqërua me respekt dhe nderim të veçantë nga përfaqësuesi i lartë i qeverisë së Serbisë, zoti Zoran Stankoviç, kryetar i Trupës Koordinuese për Komunat Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë.
Presidenti pritet me flamujt kuqezi në Preshevë
Pas vizitës në Bujanovc, Presidenti shqiptar, Bujar Nishani ka marrë rrugëtimin drejt kryeqytetit të Luginës në Preshevë. Ai u prit nga homologu i tij shqiptar Shqipërim Arifi, kryetar, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.
Nishani ka arritur në Preshevë rreth orës 15.00, i cili është pritur nga shumë qytetarë me flamujt kuqezi dhe afishe me mbishkrime “Mirëse na vini president Nishani”.
Në Preshevë presidenti Nishani ka takuar kreun e komunës, z.Shqipërim Arifin dhe znj. Ardita Sinanin kryetare e Kuvendit të Preshevës me të cilët bisedoi për situatën aktuale ekonomike dhe politike, me theks të posaçëm çështjen e arsimit dhe të të drejtave të shqiptarëve në këtë komunë dhe më gjerë.
Pas fjalimit të presidentit Nishani në shtëpinë e kulturës, mysafiri nga Tirana i dhuroi një bust të Skënderbeut kryetarit Shqipërim Arifit, simbolikë kjo e unitetit të shqiptarëve në gadishullin ilir.
Ndërkaq, më pas realizoi takime me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Pas këtyre bisedave, ai tha se, “Shqipëria është e interesuar që të ndihmojë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në fushat që përfshijnë tri komunat e banuara me shqiptarë”.
Ai tha në vazhdim se vendi është i interesuar që të punojë në avancimin dhe promovimin e bashkëjetesës në bashkësitë shumëkombëshe”.
“Për të mirën e popujve tanë duhet të kthehemi nga e ardhmja dhe ajo duhet të ndërtohet në respekt të ndërsjellë dhe jo mbi urrejtje dhe jo tolerancë. Së bashku ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja”, tha Nishani.
Presidenti në Medvegjë: Mos braktisni vendlindjen
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka zhvilluar ditën e martë një vizitë njëditore në Luginën e Preshevës, i cili u mirëprit nga popullata shqiptare në Bujanovc dhe Preshevë. Gjatë qëndrimit në Luginën e Preshevës presidenti Nishani ka zhvilluar një sërë takimesh dhe bisedash me drejtuesit lokalë të Komunës së Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës. Të pranishëm aty ishin jo vetëm drejtuesit shqiptarë, por edhe përfaqësues të partive politike shqiptare.
Një takim të tillë presidenti shqiptar e ka zhvilluar edhe me liderët dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Medvegjë: Florim Sahiti, Leme Xhema dhe Rexhep Abazi. Në pamundësi që të shkonte edhe në Medvegjën e Idriz Ajetit dhe Xhim Xhemës, Nishani ka kërkuar falje nga medegjasit për shkak të axhendës së ngjeshur, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.
Nga ky takim të përfaqësuesve të shqiptarëve nga Medvegja, Florim Sahiti, Leme Xhema dhe Rexhep Abazi kanë njoftuar presidentin shqiptar për situatën aktuale ekonomike dhe politike, në veçanti mbi atë arsimore, diskriminimin dhe eksodin e shqiptarëve nga ky mjedis gati-gati të boshatisur nga të rinj. Nga ana e tij presidenti Nishani ka shprehur shqetësim për këtë situatë të pavolitshme, me një mesazh të qartë, që të mos braktiset vendi i të parëve.
Në fund të këtij takimit presidenti Nishani ka siguruar përfaqësuesit shqiptarë nga Medvegja për mbështetje dhe bashkëpunim të plotë duke i ftuar ata ditëve të ardhshme për një vizitë në Tiranë.
Mediat botërore jehonë vizitës së Nishanit në Luginën e Preshevës
Vizita e djeshme e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanit në Luginën e Preshevës dhe takimet me liderët atje, pos mediave shqiptare dhe serbe pati jehonë edhe në ato botërore. Kështu agjencia e njohur italiane ANSA artikullin e saj nga Presheva e ka titulluar: “Presidenti i Shqipërisë në rajonin e jugut në mesin e shqiptarëve në rajonin e Serbisë jugore” (“Presidente Albania in regione sud abitata da albanesi“) transmeton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”. Shqipëria, vizitë historike e Nishanit në Luginën e Preshevës, Bujanovci vishet në kuq e zi”, ka shkruar Observatori italian (“Albania, Nishani visita storica nella Valle di Presevo, Bujanovci si veste di rosso e nero”). “Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka vizituar Bujanovcin dhe Preshevën, qendra këto kryesore të një rajoni në jug të Serbisë të banuar kryesisht me popullsi të madhe etnike shqiptare të fesë myslimane”. Qëllimi i vizitës për “të realizuar kushtet e jetesës të banorëve lokalë, të cilët kërkojnë autonomi më të madhe nga qeveria qendrore në Beograd. “Vizita e Nishanit në Luginën e Preshevës fillon me takime në Bujanovc”, shkruan portali evropian European Westernbalkans, duke iu referuar agjencisë së lajmeve ATSH dhe “Presheva jonë”, “Presidenti shqiptar Bujar Nishani, nisi të martën një vizitë në komunat e Bujanovcit dhe Preshevës në Serbi, me qëllim të pjesëmarrjes në 130-vjetorin e shkollës së parë në gjuhën shqipe, si dhe aktivitete të tjera në Ditën e Mësuesit, raporton ATSH dhe “Presheva jonë”, ka shkruar European Westernbalkans. Sipas agjencisë “Presheva Jonë”, mijëra qytetarë në Bujanovc brohorisnin për Presidentin shqiptar, i cili arriti në qytet, në orët e pasdites. (“Albanian President, Bujar Nishani, started Tuesday a visit to the municipalities of Bujanovac and Presevo in Serbia. According to Presheva Jonë agency, thousands of Bujanovac citizens cheered for the Albanian President who arrived in the city in the afternoon hours”.) Sipas European Westernbalkans “Vizita një-ditore e Nishanit në Preshevë nisi me një takim me kryetarin e komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, i cili u përqendrua në situatën aktuale politike dhe ekonomike, si dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë”. “Gjithashtu të pranishëm të takimin me Presidentin Nishani ka qenë kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve (KKSH) Jonuz Musliu, Kryetari i Komunës të Bujanovcit, Fatmir Hasani, ligjvënësit shqiptarë në Parlamentin e Serbisë dhe të tjerët”, ka shkruar European Westernbalkans. Kurse agjencia tjetër italiane “Agenzia Nova” ka sjellë raportin e vet me titullin “Serbi-Shqipëri: Presidenti shqiptar Nishani vizitë në jug të vendit” (“Serbia-Albania: presidente albanese Nishani in visita nel sud del paese“) shkruan se Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani po viziton Serbinë jugore, vendbanime këto të banuara me një numër të madh të shqiptarëve etnik”. “Presidenti shqiptar Nishani vjen për të vizituar shqiptarët, për shkak se Kushtetuta (Albanian) parashikon se Shqipëria po mbron të drejtat e shqiptarëve”, ka shkruar në vazhdim “Agenzia Nova”, duke cituar Jonuz Musliu, kryetar i KKSH-së. Sipas agjencisë italiane “Agenzia Nova”, vizita e Nishanit është i dyti në Serbi e Kreut të Shtetit shqiptar, që ndodhet pas 69 vitesh, kur Enver Hoxha në vitin 1948 kishte vizituar për herën e parë këtë vend. Për herë të parë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të vizitojë Luginën e Preshevës në Serbi. Në kuadër të vizitës së tij zyrtare, Presidenti Nishani do të jetë i mirëpritur nga zyrtarët vendorë të komunës, e cila përbëhet nga një shumicë shqiptare. Takimi do të fillojë në qytetin e Bujanovcit, ku Kreu i Shtetit do të jetë i mirëpritur nga kryetari i komunës, Shaip Kamberi. Për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh, palët kanë kontradikta mes vedi rreth propozimit për një shkëmbim të territoreve me serbët e Veriut në Kosovë dhe shqiptarët në Jug të Serbisë, ka shkruar në fund ANSA.