Rama uroi dje gratë për 8 marsin. Një shenjë e pastrë hipokrizie për të mbuluar dhunën ndaj tyre. Është po ky njeri që e ka mbushur Parlamentin dhe administratën me trafikantë të grave dhe po ky që ka ushtruar sistematikisht dhunë ndaj tyre.
Në Sheshin e Lirisë, qindra gra nga e gjithë Shqipëria, protestuan dje para Kryeministrisë me kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për drejtësi gjinore, për të drejta të mohuara për gratë.
Gra, nëna e vajza, Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë dhe kryetarja e saj, Albana Vokshi, ishin pjesë e protestës në ditën e 19-të saj, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsin.
Kryetari demokrat, Lulzim Basha, iu bashkua grave dhe vajzave duke theksuar se të drejtat e tyre për arsim, punësim, për pagë të barabartë, për përfaqësi në vendimmarrje, janë të drejta të kërcënuara në vende diktatoriale, por edhe në ato shoqëri që i thonë vetes demokratike, por që demokracinë e konsiderojnë fasadë.
“Fatkeqësisht në këto katër vite të fundit ky është edhe problemi më i madh i Shqipërisë, ku demokracia fasadë, parlamenti fasadë, qeverisja fasadë, rëndon mbi të gjithë, mbi gratë shqiptare. E kemi parë këtë, e ka parë gjithë Shqipëria, e kanë parë gjithë miqtë tanë se si në Parlamentin e Shqipërisë gratë deputete u spostuan për t’i bërë vend kopukëve, kriminelëve të dënuar pikërisht për akuzat e rënda dhe veprat e përbindshme të trafikimit të qenieve njerëzore, pra kryesisht të trafikimit të nënave dhe motrave shqiptare. Kemi një qeveri dhe një kryeministër që e ka gojën plot kur vjen fjala për të drejtat e grave, por që në fakt e ka bilancin e zi, bilancin zero. Them se e ka bilancin e zi, pasi jo më shumë se një javë më parë Shqipëria është renditur në krye të listës së vendeve të trafikut të qenieve njerëzore”, theksoi Basha.
Lideri i opozitës solli edhe një herë në vëmendje kujdesin që nënat dhe fëmijët do të kenë, pas rrëzimit të republikës së vjetër.
“Republika e re e ka për detyrë të veprojë jo vetëm në rrafshin e planeve dhe programeve, por edhe në rrafshin e veprimeve konkrete që ndihmojnë dhe përmirësojnë të drejtat, liritë dhe fatin e grave në shoqëritë shqiptare. Duke nisur me programin tonë për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm si rezultat i të cilit shteti dhe arsimi publik shqiptar do të garantojnë që fëmijët e shqiptarëve të jenë të kujdesur nga sistemi arsimor përgjatë gjithë orarit të punës të grave shqiptare kudo ku ato punojnë. Nga ora 07.30 e mëngjesit deri në orën 16.00, shteti shqiptar, arsimi publik shqiptar do të marrë përgjegjësitë e plota për fëmijët e shqiptarëve duke çliruar nga barra e sakrificës e pasigurisë të gjitha gratë shqiptare në marrëdhënie pune. Ky është fillimi i një arsimi publik të përmasave europiane pa të cilin nuk mund të kemi dinjitet dhe kushte europiane për gratë dhe nënat shqiptare”, garantoi Basha.