Kongresmeni Kelly: SHBA mbështet protestat qytetare

Kongresmeni amerikan Trent Kelly ka shprehur mbështetjen e plotë për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe ka garantuar shqiptarët se, Shtetet e Bashkuara mbështesin kauzën e tyre. Kongresmeni është shprehur i shqetëusar për situatën e kriminalitetit në vend dhe trafikun e drogës. Trent Kelly i shtohet numrit të më shumë se 24 kongresmenëve dhe senatorëve që mbështesin protestat dhe lëvizjen popullore në Shqipëri për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike.
Ai ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend dhe mbështet kauzën e opozitës që kërkon zgjedhje të lira dhe demokratike.
Përmes një letre dërguar kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kongresmeni Kelly thekson shqetësimin për kultivimin e drogës në vend, krimin e organizuar dhe frikën e manipulimit të votave.
“Sot jam i shqetësuar për situatën e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s. Informacione zyrtare dhe media kanë denoncuar kultivimin dhe trafikimin e drogës. Kjo përbën rrezik për demokracinë dhe shtetin ligjor. Zgjedhjet parlamentare janë parashikuar të mbahen më 18 qershor. Në dijeninë time, nuk është ndërmarrë asnjë nismë për rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Unë mbështes fuqimisht qytetarët shqiptarë dhe kauzën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet ndër të tjera në letrën e kongresmenit amerikan dërguar Bashës dhe Mediut.
Basha ka vlerësuar mbështetjen në rritje që po vjen nga Shtetet e Bashkuara. Në takimin e pasdites në Sheshin e Lirisë, Basha kujtoi se tashmë janë më shumë se 20 senatorë dhe kongresmenë që janë në krah të shqiptarëve në betejën për zgjedhje të lira.
“Ata njerëz, burra, gra të rinj e të reja që duan një Shqipëri europiane të votës së lirë, të ligjit të barabartë për të gjithë, të drejtësisë së vërtetë që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Këto janë vlera të përbashkëta europiane. Këto janë vlera esenciale perëndimore. Ky është edhe themeli i demokracisë më të madhe në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim përkrahje dhe mbështetje pa kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sonte dua të risjell në vëmendje dhe të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që përmes mesazheve, letrave, telefonatave, bisedave të drejtpërdrejta me mua apo me përfaqësuesit e nderuar të koalicionit tonë, siç është zoti Mediu që sapo u kthye nga Uashingtoni. Kanë mbështetur dhe mbështesin këtë beteje, si; kongresmenët: Dan Lipinski, Randy Hultgren, Richard Hudson, Louie Gohmert, John Moolenaar, Thomas Suozzi, Jeff Fortenberry, Trent Kelly dhe Robert Aderholt. Si dhe senatorët Lamar Alexander, James Lankford, Mike Enzi, Luther Strange, Susan Collins, Jim Inhofe, Tom Cotton, Roger Ëicker, Mike Rounds dhe Ted Cruz”, tha Basha.

Artikulli paraprakDhuna e Ramës ndaj grave: Më largoi nga puna, ndonëse djalin e kam me paralizë
Artikulli tjetërFaqja e pare