Vetëm një Inter i çmendur mund t’i shënonte 7 gola Atalantës të Etrit Berishës, që deri në këtë pikë të Serisë A kishte bërë vetëm mirë. Në fakt zikaltrit që kur trajner u emëria Stefano Pioli nuk kanë gabuar në asnjë ndeshje, duke përjashtuar në këtë rast sfidat me tre kryesuesit. 12 fitore në 12 ndeshje me vendin e tretë që nuk është një ëndërr e parealizueshme. Pioli po drejton një makineri lufte, që kur gjen momentin e duhur tregohet e pamëshirshme dhe këtë e bëri ndaj një rivali direkt për vendin e tretë.
5 gola gjatë pjesës së parë në një ndeshje të Serisë A, Interi nuk i kishte shënuar prej më shumë se gjysmë shekulli. 7 gola në një ndeshje me vetëm 8 goditje në portë është një statistikë thjesht e pabesueshme.
Në një skuadër që realizon shtatë herë brenda 90 minutave, sigurisht që spikat një bomber që po dëfrehet duke e dërguar topin në rrjetë. Në këtë sezon të Serisë A, Mauro Ikardi ka vënë shenjën e tij në 28 gola, 20 të shënuar nga vetë ai dhe në tetë raste të tjera në rolin e asistuesit. Ndaj Atalantës realizoi tregolëshin e dytë me fanellën e Interit, pas atij të realizuar më 2014-ën ndaj Sassuolos. I pamëshirshëm në çdo mënyrë dhe situatë. Në “San Siro” realizoi me të majtën, të djathtën dhe me kokë: diçka të tillë e ka bërë vetëm Carlos Bacca i Milanit, kundër Torinos në javën e parë. Historike për nga shifrat fitorja e Interit, e tillë, por në sens të kundërt humbja e bergamaskëve. Prej më shumë se 27 vitesh Atalanta nuk pësonte 5 gola gjatë pjesës së parë. Por mbi të gjitha 7-1 është humbja më e thellë e kësaj skuadre në Serinë A që nga disfata 9-3 me Milanin në tetor të vitit 1972. Një njollë, e cila kalon në plan të dytë nga ecuria më shumë se pozitive e skuadrës së Gasperinit në këtë sezon.
Mauro Icardi i Ever Banega marrin nga një top në shtëpi pasi shënuan nga tri gola në fitoren 7-1 të Interit ndaj Atalantës në “San Siro”. Etrit Berisha dhe skuadra e tij pësuan humbjen më të rëndë sezonale në një sfidë për t’u harruar, shumë larg atyre performancave të zakonshme të bergamaskëve, që reflektohen në renditjen në pjesën e sipërme të tabelës.
Icardi spikati i pari me tri gola radhazi, duke e gjetur rrjetën fillimisht në minutën e 17-të, pas një topi të mbetur në zonë. Në të 23-ën një 11-metësh i shkaktuar nga Berisha u shdërrua në gol po nga Ikardi. Ndërsa në të 26-ën argjentinasi devijoi në rrjetë krosimin e Banegas. Pas këtij momenti del në skenë Banega, që shënon dy herë brenda tri minutave, në të dy rastet i shërbyer nga Candreva.
Në fund të pjesës së parë Atlanta shkurtoi në 5-1 diferencën me Freuler, por vetëm kaq, sepse gjatë pjesës së dytë Interi shënoi edhe 2 gola të tjerë, me Gagliardinin dhe sërish me Banegan, që bashkë me Ikardin sigloi tregolësh për rezultatin përfundimtar 7-1.