Barcelona e mrekullisë së Championsit kthehet me këmbë në tokë në La Liga. Skuadra e Luis Enriques, e konsumuar fizikisht në përmbysjen historike ndaj PSG, u mposht 2-1 në Riazor nga Deportivo La Coruna, duke humbur jo pak terren në garën me titullin kampion. Me Neymar të padisponueshëm, por me Mesin, Suarezin e Iniestën në fushë blaugranat nuk e ngjitën në asnjë moment në nivelin e kërkuar, madje 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë u ndëshkuan nga Joselu, që përfitoi nga një top i pakontrolluar nga Ter Stegen.
Sapo nisi pjesa e dytë i zakonshmi Luiz Suarez goditi befasishëm brenda zonës, me portierin Lux, që detyrohet ta nxjerrë topin nga rrjeta. U mendua se, Barcelona do të merrte një fitore me përmbysje, por në të 74-ën pas një këndoreje galicianëve Bergantinos në vendin dhe kohën e duhur shënoi me kokë golin që do t’i vlente tri pikë Deportivos. Edhe pse pati më shumë se 15 minuta lojë për një tjetër përmbysje të madhe, Barca nuk gjeti forca për të shënuar qoftë një gol, duke pësuar humbjen e 3-të sezonale.