Granit Xhaka drejt Bayern Mynihut

Një shqiptar drejt Bayern Munchen, për të marrë rolin e pasardhësit të Xabi Alonsos. Kampionët e Gjermanisë po vëzhgojnë Granit Xhakën për rolin e organizatorit në qendër të mesit të fushës. Kjo është deklarata e Ottmar Hitzfeld, sipas të cilit përveç bavarezëve, emri i 24-vjeçarit përflitet edhe në klubet e tjera më të mëdha europiane.
“Nuk ka dyshim që Xhaka është në radarët e Bayernit”, tha Hitzfeld, i cili shtoi se “Graniti është një lojtar që po vazhdon të rritet dhe mbahet nën vëzhgim edhe nga klubet e tjera të mëdha në kontinent”.
Deklarata të rëndësishme këto nga Hitzfeld, që i njeh mjaft mirë palët e përfshira. Pasi ka drejtuar dy herë Bayernin nga viti 1998 deri më 2008-ën, trajneri punoi edhe në krye të stolit të përfaqësueses zvicerane, ku kishte mundësinë ta ndiqte nga afër Granit Xhakën. Pas transferimit te Arsenali gjatë verës, për shifrën e 40 milionë eurove, mesfushorit i është dashur kohë për t’u përshtatur me stilin e futbollit në Premier League, ndërsa lojtari është kritikuar edhe nga trajneri Wenger për problemet disiplinore në fushë dhe ndëshkimin e tepruar me kartonë.
Megjithë këtë situatë, Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet në Bundesligën gjermane. Vëllai i kuqeziut, Taulant Xhaka, së bashku me sulmuesin Alexis Sanchez e mesfushorët Mesut Ozil dhe Alex Oxlade-Chamberlain mund të jenë në listën e yjeve që do të largohen në fund të sezonit, ku te Arsenali pritet të ndodhin ndryshime rrënjësore pas një tjetër edicioni zhgënjyes.
Ndërkohë, shefi Ekzekutiv i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke flet për të ardhmen e Aubameyang, që kërkohet nga Manchester City, PSG apo Real Madrid. Drejtuesi verdhezi shprehet se që kur sulmuesi erdhi në “Signal Iduna Park”, nuk ka pasur ndjesinë se planifikonte të largohej. Sipas Watzke, Aubameyang ishte i vetëdijshëm që Dortmund po ndërtonte një skuadër të madhe dhe mbi të gjitha as vet klubi nuk dëshiron ta shesë 27-vjeçarin.

Artikulli paraprakPezullime e dëmtime
Artikulli tjetërLibia, vatra e konfliktit në dyert e Europës