Tropojë, banorët e 11 fshatrave peticion qeverisë për rrugën Kam-Qafë-Prush

Banorët e 11 fshatrave në Tropojë kanë protestuar dje kundër qeverisë Rama për shkak të gjendjes së mjerueshme të minierës së kromit në zonën e Kamit. Protestuesit kërkojnë nga qeveria që të asfaltohen 18 kilometra rrugë që lidh Kamin me Qafë-Prushin.
Janë mbi 300 mijë ton stok që nuk mund të transportohen për shkak të gjendjes së keqe të rrugës. Në këtë zonë nxirret rreth 200 mijë ton krom në vit, të cilat janë 2/3 e kromit që mblidhet në Shqipëri dhe shteti fiton rreth 40 milionë euro.
Janë të punësuar 250 punëtorë dhe pritet me shtimin e kapaciteteve të fronteve të punës të punësohen rreth 2000 punëtorë. 11 fshatrat e kësaj zone jetojnë nga puna që bëhet në këto miniera, por dëmtimi i rrugës së makinës po ul kapacitetin e nxjerrjes së kromit, e cila shoqërohet me uljen e numrit të punëtorëve.
Kërkesat e protestës së banorëve ishin asfaltimi i shpejtë i kësaj rruge, rregullimi i rrjetit vaditës dhe vënia në efiçencë e dy qendrave shëndetësore të fshatit Zogaj, të cilat nuk funksionojnë. Protestuesit i dërguan një peticion qeverisë, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre ose përndryshe do të bllokojnë rrugën që lidh Tropojën e Hasin me Kosovën.

Artikulli paraprakPlagosje me armë në Tiranë, pranë QSUT-së
Artikulli tjetërCali: Lagunën e shfrytëzon Armando Prenga edhe pasi fituam gjyqin