Kryetari i PD, Lulzim Basha në një lidhje direkte me emisionin “Studio e Hapur” në Neës 24, sqaroi me detaje pakënaqësinë e tij për njërin nga ministrat e rinj të emëruar nga kryeministri Rama. Si më herët, Basha tha se zëvendësimi i Tahirit me Xhafën ishte një provokim, ndërsa nuk nguroi të rendisë rekordet e Xhafës, të cilin e quajti vëllain e një trafikanti droge dhe pinjoll të diktaturës. Lulzim Basha sqaroi ndër të tjera edhe takimin me ambasadorin rus, i cili ishte interesuar për situatën politike në Shqipëri, duke shtuar se ky nuk është takimi i tij i vetëm me Karpushin.
Zoti Basha edhe pse dy anëtarë të qeverisë u larguan pse jeni sërish të pakënaqur?
Qytetarët u mblodhën në 18 shkurt për të larguar kabinetin Rama si kërcënimi kryesor për zgjedhe të lira dhe të ndershme, jo për eksponentë të caktuar. Kjo protestë jo vetëm nuk ndalet, por do të vazhdojë, jo me Ramën kryeministër, jo me kabinetin Rama.
Ju e keni pranuar Fatmir Xhafën si kryetar për Reformën në Drejtësi, nuk keni pasur kontestime pse e kontestoni tani që u bë ministër?
Nga mënyra si e the, po më bind sikur e kam emëruar unë kryetar tek ligjet. Ai është i emëruari i Ramës edhe tek Ligjet edhe tek Komisioni i Reformës. E kemi treguar me gisht se ka zvarritur reformën për 1 vit e gjysmë i ka shërbyer axhendës së Ramës për të kapur drejtësinë, që të shmangë atë që ka thënë Rama, nëse nuk fitojmë pushtetin ju të gjithë do jeni para drejtësisë. Për dy projektet që hodhi poshtë Venecia përgjegjës është Xhafa. Ai hodhi poshtë edhe paktin, marrëveshjen PS-PD dhe përjashtimin e opozitës nga Reforma në Drejtësi. Pra, nuk kemi dhënë për të as dakordësi, as miratim. Ai është ekzekutuesi i axhendës së Ramës për Reformën në Drejtësi.
E quan provokacion?
Më keq se kaq, është si t’ju thuash shqiptarëve hoqa Tahirin dhe vura Xhafën, vëllai i të cilit kërkohet për trafik droge. Si mund të pranojnë shqiptarët për garanci të zgjedhjeve këtë figurë. Kjo qeveri ka rënë është shkërmoqur. Agron Xhafa, vëllai i tij është përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine. Fatmir Xhafa është një pinjoll i komunizmit.
Kam vetëm një pyetje, takimi me ambasadorin rus u iniciua nga ju?
U kërkua nga ambasada ruse u interesuan pranë PD. Është hera e dytë që e takoj ambasadorin rus, Aleksandër Karpushin erdhi për të marrë informacion. Gjithçka është transkriptuar, konspiracionet me armiq kanë ikur me kohën e diktaturës. Ne kemi aleatë strategjikë, me disa kemi pengesa, por kjo nuk na bën të mos shohim përpara.
Lulzim Basha-Çanit: Po ti kur do vish se më ke dhënë fjalën?
Arian Çani: Unë do vij, por ki parasysh një gjë, po pres një datë që është shumë e rëndësishme në jetën time. Kështu që po pres atë datë dhe do vij. E kam surpizë.
Lulzim Basha: Ditëlindjen po pret?
Arian Çani: Jo, jo. E kam surprizë. Kam një datë, është shumë e afërt, e kam surprizë prandaj s’po ta them. Por, më pëlqen shumë foto sot.