Dokumenti, si Rama pagoi Shullazin

Një vendim i Gjykatës Administrative i datës 15 dhjetor 2014 është dëshmia më e mirë se si Rama paguan krerët e bandave në vend. Shullazi, i akuzuar më parë nga opozita si njeri i afërt i Ramës dhe Tahirit, tashmë provohet edhe me dokumente se si ai paguhet nga Rama për shërbimet e kryera. Ministria e Financave ka kaluar në favor të Shullazit një fond prej 4 milionë lekësh. Mënyra se si janë kaluar këto fonde hedh dritë në gjunjëzimin e plotë të kësaj qeverie në shërbim të krimit dhe tashmë është tregues se kemi të bëjmë me një Kryeministër të kapur.
Shullazi përmes në padie ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit që t’i paguajnë atij detyrimin për burgim të padrejtë. Padia lidhet me arrestimin e Shullazit në nëntorin e vitit 2011 për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit dhe “Moskallëzim të krimit”. Pas një serie vendimesh, ka ardhur edhe padia e fundit e Shullazit ku kërkon dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg.
Analizimi i vendimeve të gjykatave nuk do të na shpinte askund, por ajo çfarë mund të konstatojmë është shkelja e ligjit nga Ministria e Financave në padinë ngritur nga Shullazi. Ministria e Financave do të duhej që të ankimonte menjëherë vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative. Ky është një detyrim ligjor që e ka pasur si Ministria e Financave po ashtu edhe Thesari i Shtetit. Është detyrim që ligji ia jep në transparencë dhe në respekt të taksapaguesve që do të duhet të kalojë të gjitha shkallat e apelimit përpara se të marrë formën e prerë, sepse kurrë nuk ka ndodhur që shteti të heqë dorë nga të drejtat e veta që pas gjykimit në shkallën më të ulët.
Ka ndodhur në dhjetorin e vitit 2014 me paditës Shullazin dhe të paditurin Ministrinë e Financave, pasi në këtë mes është Rama dhe Tahiri, të cilët i kanë kërkuar ministrit që të mos apelojë vendimin e gjykatës, por të zgjidhë qesen e parave të taksapaguesve dhe të paguajë, Shullazin.

Berisha e denoncon në Parlament

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar këtë skandal të rëndë që implikon direkt Ramën dhe qeverinë në pagesën ndaj Shullazit. Berisha kujtoi se përbën një shkelje të rëndë se si Ministria e Financave nuk ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative, e cila është një detyrim i përcaktuar në ligj.
“Dokumenti është i datës 15.12.2014. Republika e Shqipërisë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, Emili i partisë i burgosur për armëmbajtje pa leje shpallet i pafajshëm me ndërhyrjen e partisë, por kjo është vetëm gjysma. Gjysma tjetër është në kohën se kur Qemal Zela var veten për mungesë ilaçesh për 35 dollarë borxh kësaj qeverie të pashpirt, Emili i partisë i merr të gjithë kompensimin për burgun e padrejtë që bëri për shkak se u kap me armë. Ministri i Financave i paditur nga Emili i partisë në gjykatë dërgon përfaqësuesin e vet në gjykatë. Gjykata vendos siç thotë Edvini. Po pse e them unë këtë dhe ku e bazoj këtë? Nuk është e lehtë kjo të thuash se Edvini e mori në telefon gjykatësin. E them unë, sepse gjyqin e fitoi Emili në Shkallë të Parë. Ministria e Financave është e detyruar me ligj ta apelojë, për të mbrojtur interesin tënd publiko-qytetar. Nuk e bëri dot kurrë këtë, sepse e urdhëroi Edvin Kristaq Rama. Në fakt unë e kuptoj se Saimiri është dhjetë herë më i lig se Emili. Se të paktën Emili nuk ka marrë mandat, por rri pritave dhe skutave, ku të gjobisë, ku të vrasë, kurse Saimiri rri me kollare dhe Rama rri me kollare. A e shihni ju zotërinj se atij i janë dhënë 5 milionë lekë dhe Partia Siçiliste ka refuzuar ta apelojë vendimin e padrejtë të gjykatës dhe i ka lënë 5 milionë lekë në xhep Emilit të partisë. Për ju që keni minimumin e përgjegjësisë ndaj qytetarëve çfarë do të thotë kjo? Një njeri i ndershëm edhe ai ishte njeri punëtor, serioz, i cili për 35 dollarë u la në qeli, kurse Emili shpërblehet se kapet me armë pa leje me urdhrin e Edi Ramës”, u shpreh Berisha në Parlament.

Ministria e Financave heshti

Ministri i Financave, i cili ka qenë prezent në sallën e Parlamentit për asnjë moment nuk ka përgënjeshtruar apo hedhur poshtë denoncimin e bërë nga ish-Kryeministri Berisha. Ndryshe nga herë të tjera kur ai replikon sa herë i përmendet emri, dje ai ka zgjedhur të heshtë, duke konfirmuar publikisht drejtësinë e akuzës që ka lëshuar Berisha ndaj Ramës dhe qeverisë për lidhje direkte me bandën e Shullazit. Mosankimimi i vendimit të Gjykatës Administrative për të dëmshpërblyer Shullazin tregon një detaj të rëndësishëm se si financohet në aktivitetin e tij nga qeveria Rama, Shullazi.

Vendimi që nuk u ankimua

1. Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Emiljano Shullazi.
2. Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë t’i paguajnë paditësit Emiljano Shullazi, kompensimin për burgim të padrejtë në vlerën 404.800 (katërqind e katër mijë e tetëqind) lekë për 184 ditë paraburgim në vlerën 2.200 lekë për një ditë.
3. Rrëzimin e padisë për diferencën që i përket kompensimit në vlerën maksimale për periudhën e paraburgimit prej 184 ditësh, prej 800 lekë të tjera për një ditë.
4. Ekzekutimi i këtij vendimi duhet të bëhet nga subjekti i paditur jo më vonë sesa një muaj nga marrja e vendimit formë të prerë dhe paraqitja e kërkesës për ekzekutim nga kreditori, në një këst të vetëm për pagimin e të gjithë shumës, ndërsa ekzekutimi i detyrueshëm do të bëhet nga përmbaruesi gjyqësor.
5. Shpenzimet gjyqësore dhe ato në fazë e ekzekutimit të vendimit u ngarkohen palëve në raport me pjesën e pranuar të padisë.
6. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. Për personin e tretë në mungesë, ky afat fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot më datë 15.12.2014

Sekretare
Geralda Bakiasi

Gjyqtare
Elda Vrioni

Artikulli paraprakShqiptarët duan stadium, e jo biznes për mikun e Ramës
Artikulli tjetërEnergji falas deri në 200 kw për familjet në ndihmë ekonomike