Një tripletë në 56 vite arriti të fitonte Bajerni i Mynihut. Por, kur e fiton për herë të parë, çdokush e kërkon edhe për së dyti. Këtë gjë duan si lojtarët edhe stafi drejtues së bashku me fansat. Në fakt, nën drejtimin e Karlo Ançelotit, duket se gjithçka po shkon ashtu si para katër vitesh. Në krahasim me sezonin e tripletës dhe periudhën aktuale, ka shumë gjëra të përbashkëta si në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Champions.
Shumë persona ishin skeptikë për arritjen e tripletës nga Bajerni i Ançelotit, duke u treguar më shumë nostalgjikë për lojën atraktive të Pep Guardiolës, si dhe lojën strategjike të Jup Hajnkes.
Por “babai” i Champions-it po dëshmon çdo ditë aftësitë e tij falë rezultateve dhe fitoreve spektakolare. Ai po menaxhon siç duhet çdo armë që zotëron.
Bundesliga është si buka e përditshme për Bajernin. Fitorja e saj është si provim i detyrueshëm. Ashtu si në 2013-ën dhe këtë sezon deri në javën e 24-t, si Hajnkes dhe Ançeloti kanë pësuar vetëm nga një humbje. Bajerni i tripletës në të njëjtën periudhë kishte 63 pikë dhe një golavarazh 64 gola të shënuar dhe 8 të pësuar, ndërsa sivjet kryesojnë me 59 pikë dhe golavarazh 60 të shënuar dhe 13 të pësuar.
Në Kupë, për çudi, është e njëjta rrugë. Para 4 vitesh mundi Augsburgun në 1/4-at, Volfsburgun në çerekfinale dhe Dortmundin në gjysmëfinale. Të njëjtët rivalë ka pasur në short Ançeloti. Në Champions, Bajerni i Hajnkes e mbylli në vend të parë me 13 pikë, ndërsa Ançeloti e mbylli i dyti me 12 pikë. Në finalet e 1/8-ve mundën Arsenalin 3-1 në transfertë dhe u mundën 0-2 në Mynih, duke përfituar nga rregulli i golave të shënuar në fushën kundërshtare.
Edhe Bajerni i Ançelotit u përball me Arsenalin, por e shkërmoqi 10-2. Hajnkes e respektonte së tepërmi ligjin e futbollit: Formacioni fitues nuk ndryshohet. Këtij përfundimi i bashkohet edhe Ançeloti. Heronjtë e tripletës janë boshti kryesor edhe i 2017-ës. Vetëm Gomez, Shvajni dhe Dante mungojnë nga heronjtë e tripletës, të cilët janë zëvendësuar me superheronj si Alonso, Humels, Lewandowski apo edhe Koman.
Pep Guardiola nuk mundi dot të shkonte më shumë sesa në gjysmëfinale të Championsit për tre vite radhazi në krye të Bajernit. Në fazat finale, ekipi i tij u copëtua nga dëmtimet, aq sa mjeku Myler-Volfart dha dorëheqjen, duke u fajësuar padrejtësisht. Televizioni sportiv “Sport1” ka bërë një krahasim të dëmtimeve të sezonit të kaluar me Pepin dhe të këtij viti me Ançelotin.
Sezonin e kaluar, organika e Bajernit bëri 782 ditë pushime nga dëmtimet muskulore, ndërsa këtë sezon me Ançelotin ka pasur 428 ditë pushim. Roben, Riberi dhe Martinez kanë zhvilluar deri tani më shumë ndeshje sesa në gjithë sezonin e kaluar. Edhe Tiago është kthyer në çelësin e Karletos. Ançeloti u beson më shumë veteranëve dhe eksperiencës.