Prokuroria thërret zyrtarët që ndihmuan Shullazin për gjobat

Zgjerohet rrethi i zyrtarëve dhe personave të tjerë të përfshirë në vendosjen e gjobave nga kapobanda dhe në falsifikimin e dokumetave të ish-hotel “Vollgës”, veprime të cilat sollën si rezultat regjistrimin e kësaj prone në emër të Emiljano Shullazit. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se do të thirren në Prokurori disa zyrtarë në lidhje me hetimet ndaj Shullazit.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka dyshime të forta se edhe të tjerë zyrtarë të Gjykatës së këtij qyteti kanë shpërdoruar detyrën. Konkretisht thuhet në dosjen hetimore kryesekretarja Adriana Kanina dhe kancelarja Ardena Veli, kanë vulosur sikur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, të ishte i formës së prerë. Kur vetëm një muaj pas vendimit  Zanmir Hasa, që pretendonte pronësinë e ish-hotelit, ka bërë akimim të vendimit. Në të njëjtën kohë ankimimi është kundërshtuar nga kompania “Saudi Brothers”.
Por Gjykata e Durrësit me një vendim të dytë ka vendosur të mospranojë kërkesën e Zanmir Hasës. Por ai e ankimon në Apel, e cila vendos të ndryshojë vendimin, duke rrëzuar kompaninë arabe. Ndaj këtij vendimi, “Saudi Brothers” bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila vendos pezullimin e çdo veprimi me pronësinë e ish-hotel “Vollgës”.
Pavarësisht këtij kalvari gjyqësor me vendimin e datës 18 shkurt 2013 të Gjykatës së Durrësit, që njeh si pronar “Saudi Brothers”, administrata e kësaj gjykate nuk e ka dërguar në Gjykatën e Apelit ku po shqyrtohej ankimimi i Zanmir Hasës.
Në këtë kontekst sqaron Prokuroria, ky vendim nuk mund të vulosej dhe t’i jepej formë e prerë. Por ka ndodhur e kundërta, ku kancelarja dhe kryesekretarja kanë vulosur vendimin, duke i dhënë formë të prerë. Me këtë veprim vendimi bëhej i zbatueshëm nga Hipoteka e Durrësit, gjë e cila ka sjellë të gjitha pasojat e mëvonshme se çfarë ndodhi me pronësinë e ish-hotelit të njohur.
Dy ditë më parë është thirrur në Prokurori për të dëshmuar Ylvi Beqaj, administrator i kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”. Beqaj, njihet dhe si personi që ka firmosur kontratën e dhurimit të 30 për qind të pronës së ish-hotel “Vollga” në Durrës, tek Emiljano Shullazi.
Burime bënë të ditur se Ylvi Beqaj nuk është paraqitur në Prokurori, me argumentin se atë nuk e ka kërcënuar askush gjatë momentit të dhurimit të pronës tek Shullazi. Bëhet e ditur se, për të bindur administratorin e kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”, të dëshmojë në Prokurori, rreth mënyrës së dhurimit të superpronës tek Emiljano Shullazi, ka marrë kontakt me të direkt drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Ky i fundit mendohet se i ka ofruar Ylvi Beqajt garanci dhe siguri në këmbim të dëshmisë së tij. Mësohet se Beqajt i është ofruar dhe statusi i të penduarit apo bashkëpunëtorit të drejtësisë, por në fakt nga sa mësohet, Beqaj nuk ka pranuar të flasë në Prokurori për këtë ngjarje.
Beqaj ka pretenduar se gjithçka ka qenë e ligjshme dhe se Shullazit ia ka dhuruar me dëshirë pronën, pasi ai dikur i kishte bërë një nder. Nuk dihet me saktësi se kush ishte nderi. Sipas tij, pronari  i kësaj kompanie arabi Abdulaziz Al-Nowaiser, e ka caktuar administrator Beqjan, kjo për shkak edhe të njohjes së dikurshme me të, pasi Ylvi Beqaj njihet si person që beson në islam dhe predikon fenë islame. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bënë të ditur se, prapa këtij hoteli fshihen interesa akoma dhe më të mëdha, ku individë të caktuar me ndikim politik dhe në media, duan të marrin këtë pasuri që ndodhet në qendër të qytetit të Durrësit.
Po ashtu, grupi i hetimit ka ftuar për të dhënë deklarime dy biznesmenë nga Durrësi dhe një sipërmarrës karburantesh në Tiranë. Prokuroria nuk sqaroi nëse tre biznesmenëve në fjalë u ka dërguar thirrje me shkrim apo i ka ftuar përmes kontaktit verbal të hetuesve.
Ajo çka bie në sy, sipas organit të akuzës, është se tre biznesmenët kanë refuzuar deri tani të paraqiten në Prokurori për të bërë kallëzim apo për të dhënë deklarime në lidhje me Emiljano Shullazin.
Shërbimi Informativ dhe Prokuroria kanë siguruar raporte vëzhgimi dhe përgjime telefonike e ambientale, sipas të cilave këtyre tre biznesmenëve, bashkë me Jani Zakën, u janë kërkuar pasuri apo shuma monetare nga Emiljano Shullazi, 38 vjeç, Gilmando Dani, 38 vjeç, dhe Blerim Shullazi, 32 vjeç. Në shkurt 2016, në Polici dhe Prokurori ishte paraqitur e kishte bërë denoncim biznesmeni Jani Zaka, sipas të cilit Shullazi po i kërkonte një parking 1200 m² te “21 Dhjetori”. Prokuroria ka kërkuar edhe dëshminë e Jani Zakës, por ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria në javën e parë të shkurtit dhe nuk është kthyer më në Tiranë.

Kërcënimi i Shullazit ndaj rektorit të ri për pronat e universitetit

Grupi kriminal i Shullazit tentoi të ndërhyjë në garën për rektor të universitetit më të madh në vend, duke kërcënuar dhe dhunuar kandidatin për Rektor, Mynyr Koni për të marrë nën kontroll pronat e Universitetit. Sipas burimeve nga Prokuroria, qëllimi i kërcënimit të Shullazit ndaj Rektorit ka qenë marrja nën kontroll e pronave të Universitetit nga banda kriminale.
Ligji i ri i Arsimit të Lartë fut një skemë të re financimi bazuar në buxhetin e shtetit dhe vetëfinancim përmes të ardhurave që do të gjenerojë universiteti në sajë të një autonomie të re financiare. Sipas këtij ligji: “Pronat e paluajtshme, në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet publike të Arsimit të Lartë, që i shërbejnë institucionit për të garantuar përmbushjen e misionit të tij, kalojnë në administrim të institucioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit përgjegjës për arsimin.
Po ashtu në ligj thuhet se, “Institucionet mund të zhvillojnë pronat me miratim paraprak të subjektit që i ka kaluar pronën në administrim”. Autoritetet thonë se, sfida e universitetit pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe transferimit të pronave nën administrimin e ri do të jetë e madhe.  Si do ta përballojë këtë sfidë dhe konkurrencë me universitetet e mëdha private? Ndërtimi i kampusit të ri e të madh universitar është njëra prej tyre. Megjithëse vendimmarrja do të jetë kolegjiale nga bordi administrues, sigurisht peshë specifike do të ketë edhe zëri i rektorit të Universitetit të Tiranës. Të sapozgjedhurit edhe nën kërcënimet e mafiozëve, Profesor Mynyr Konit.
Qyteti “Studenti” quhet i tillë. sepse ka përmasa të tilla. Ai shtrihet në rreze të një zone kodrinore periferike të Tiranës, e shquar për vila dhe zona rezidenciale që e kanë bërë atë prej vitesh një nga zonat e preferuara të kryeqytetit.
Me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin, e gjithë kjo zonë do të gdhihet pronë e Universitetit të Tiranës. Projektet për kampusin e ri universitar dhe 30 milionë eurot që i mungojnë atij për ta ndërtuar, janë një arsye e mjaftueshme për të ngjallur interesat e investimeve private, përfshirë edhe paratë e grumbulluara nga aktivitete kriminale. Këtu duhet gjetur edhe përgjigjja përse, sipas Prokurorisë, grupe kriminale si ai i Shullazit tentuan të ndërhyjnë në garën për rektor të universitetit më të madh në vend.

Ish-hotel “Vollga” për Shullazin, hetohet administrata e Gjykatës së Durrësit

Kancelarja dhe kryesekretarja e Gjykatës së Durrësit akuzohen për “shpërdorim detyre”, për vendimin në lidhje me ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Prokuroria i akuzon se i kanë vendosur vulë të formës së prerë vendimit të dhënë nga gjyqtarët Vladimir Skënderi, Dhurata Bilo dhe Ndue Dreni. Ndërkohë që ndaj tij ishte bërë ankim.
Një ditë më parë, Prokuroria njoftoi se nisi hetimet për tre gjyqtarët që rrëzuan vendimin e Gjykatës së Lartë në shkelje flagrante të ligjit. Ndërkohë sot, u vunë para akuzës “shpërdorim detyre” edhe kryesekretarja dhe kancelarja e kësaj gjykate Ardiana Kanina dhe Ardena Veli.
Ato akuzohen se hodhën vulën e një vendimi të formës së prerë, mbi vendimin e datës 18, shkurt të vitit 2013 të Gjykatës Durrës, veprim ky  që i ka hapur rrugë rregjistrimit në Hipotekë të pronës. Ndërkohë që ndaj këtij vendimi ishte bërë ankim dhe pas Apelit, çështja ishte ende ne gjykim në Gjykatën e Lartë. Sipas akuzës vënia e vulës sikur vendimi ka marrë formë të prerë ka bërë që vendimi të bëhej i zbatueshëm nga ZVRPP Durrës, duke krijuar në vazhdim pasojat lidhur me disponimin e pasurisë  për çështjen që ishte në gjykim.

Sekuestrohen kamerat që lejuan pa zhdoganim makinën e Milit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë në Portin e Durrësit për periudhën 23 janar dhe 28 janar 2016, kur Emiljano Shullazi është larguar në drejtim të Italisë me një automjet pa iu nënshtruar kontrollit në pikën doganore. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, këto pamje filmike tashmë janë sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ndodhen në dosjen hetimore.
Nga pamjet filmike ka rezultuar se Shullazi ka udhëtuar drejt Italisë në 23 janar, ku pas 5 ditë qëndrimi në këtë shtet, ai është kthyer në datën 28 janar në Shqipëri, ndërsa makina e tij nuk i është nënshtruar kontrolleve në pikën doganaore. Ky skandal u denoncua publikisht nga Partia Demokkratike, ndërsa autoritetet zyrtare u munduan ta mohonin.
Në reagimin e PD thuhej se, Emiliano Shullazi është futur në Doganën e Durrësit me një makinë të blinduar pa u kontrolluar nga autoritetet. “Pikërisht Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej disa javësh ky person, dhe përmes tij krimi, ka në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe anti¬kontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve.
Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri¬ Shullazi dhe bandës që kontrollon Tiranën dhe Durrësin, krimi ka siguruar përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta.
Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit, dhe për t’ia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit”, thuhej në reagimin e PD. Gjithsesi, pamjet filmike të kalimit të Shullazit me makinë të blinduar pa u kontrolluar në doganë tashmë ndodhen në dosjen e hetuesve.

R.POLISI

Artikulli paraprakBanda kriminale në polici rrëmben biznesmenin Neranxi
Artikulli tjetërFaqja e parë