Tri denoncime, banda e Rroshit po shkatërron plazhin e Golemit

Jo vetëm që nuk largohet nga drejtimi i Bashkisë Kavajë pavarësisht se ka një vendim gjykate për të, por Elvis Rroshi vijon i qetë pazaret me bandën e tij me firmën dhe vulën e tij si kryebashkiak. Të paktën tri denoncime të publikuara dje nga ish-Kryeministri Berisha dëshmojnë se si plazhi i Golemit po betonizohet tërësisht nga ndërtime abuzime, nga të fortët e Elvis Rroshit. Sipas banorëve të Golemit, në qendër të zonës së plazhit kanë nisur punimet për ndërtimin e një objekti, i cili betonizon tërësisht zonën dhe mbi të gjitha është në kundërshtim me planin urbanistik të kësaj zone.
Banorët thonë se personi që po ndërton objektin është një nga të fortët pranë Elvis Rroshit apo ndryshe pjesë e bandës së Rroshit, i cili jo vetëm që ushtron terror ndaj banorëve në kundërshtitë e tyre kundër ndërtimit të projektit, por u tregon atyre lejen e firmosur nga Rroshi për vijimin e qetë të punimeve.
“I nderuar z. Berisha. Jam një banor i Golemit, Bashkia Kavajë. Dua të ngre te ju një shqetësim të madh për mua gjithashtu dhe për banorët e Golemit. Në qendër të plazhit të Golemit, në të vetmen hapësirë që ka ngelur, kanë filluar përgatitjet për ndërtimin e një objekti. Zotëria që do e ndërtojë është Saimir Kurti, njëri ndër të fortët e Elvis Rroshit. Në këtë hapësirë të vetme publike që i ka ngelur plazhit të Golemit dikur kanë qenë disa lokale, por në vitin 2003, në kohën e Fatos Nanos, me pretendimin që sipas planit urbanistik në atë hapësirë s’do të kishte ndërtesa, por do të bëhej lulishte, kënd lojërash për fëmijë dhe parking ato lokale u prishën. Dhe pronarët e tyre dhe pse kishin hedhur miliona e kishin punësuar njerëz dolën në rrugë të madhe.
Që prej asaj kohe deri sot në atë zonë nuk është bërë asnjë investim. I vetmi investim janë kioskat që (ja u japin militantëve të tyre lejen) vërshojnë aty sa vjen pranvera si kërpudhat pas shiut, meqë po afron sezoni turistik. Këto kioska përveç se prishin dhe atë pak bukuri që i ka ngel asaj hapësire, nuk paguajnë as taksa e as drita. Përkundrazi konkurrojnë lokalet e ndershme që paguajnë taksa e janë në rregull me shtetin. Unë jam shumë i shqetësuar për këtë ndërtim.
Zotëria në fjalë pretendon se ka leje provizore nga Bashkia Kavajë. Por ç’qenka kjo leje provizore në tokë të shtetit ku kompetencat për leje në bregdet i ka Këshilli i Rregullimit të Territorit mesa di unë? Kjo është një leje abuzive që në qoftë se është dhënë, është dhënë nga Elvis Rroshi e banda e tij që ka në Bashkinë Kavajë. Për atë ndërtim pretendohet se do të jetë një kat, por ta keni të sigurtë zoti Berisha që vitin tjetër aty do të hidhen themelet për 10 kate. Zoti Berisha, të lutem bëje publike shqetësimin tonë se ne nuk dimë ku të ankohemi, Bashkinë Kavajë dihet kush e komandon. Bëje publike që në Golemin tonë, në atë hapësirë ku ne gjatë periudhës së verës shëtisim e fëmijët tanë luajnë të mos na e zaptojnë të fortët e Kavajës. Të bëhet diçka sa më parë se nivelimi i sheshit ndoshta dhe hapja e themeleve po përgatitet. Me respekt një banor i Golemit. Të lutem me ruaj anominatin”, thuhet në denoncimin e një banori.
Po në një tjetër denoncim, përcillet i njëjti shqetësim, ndërsa banori kërkon ndihmë për ngritjen e zërit në ndalimin e punimeve të ndërtimit të jashtëligjshëm të këtij objekti. Banorja shpreh edhe panikun e saj ndaj një reagimi të mundshëm të bandës së Rroshit ndaj qytetarëve që kundërshtojnë ndërtimin.
“Përshëndetje i nderuari zoti Berisha. Jam një qytetare nga Golemi. Në sheshin tradicional të qendrës të Golemit në plazh, ngjitur me rotondon në parkingun tradicional të qendrës së plazhit të Golemit filloi uzurpimi për ndërtimin e një objekti që është në kundërshtim flagrant nga ligji dhe masterplan i Golemit. Këtë punë po e bën Saimir Kurti nga Kavaja. Një ushtar i bandës së Elvis Rroshit. Ju lutem të jetë anonime, rreptësisht sepse jam qytetare dhe kam frikë se më kundërvihen. Ju lutem mundësisht brenda mekanizmave tuaj të ndërhyhet dhe të ndërpritet kjo masakër që po i bëhet qendrës së plazhit të Golemit. Me respekt qytetarja anonime e Golemit”, thuhet në denoncimin tjetër.
Banorët ndër të tjera bëjnë të ditur se njeriu i Rroshit që po ndërton objektin tek sheshi i plazhit të Golemit është një njeri me precedentë penalë, i dënuar më parë si dhe i akuzuar për trafik prostitucioni.
“Mirëmbrëma Doktor, dua të denoncoj një ndërtim që po bëjnë banda e Ervin Rroshit. Gentian Daja. Sajmir Kurti. Tashmë të mbaruar kanë filluar të ndërtojnë në sheshin e një parkexhi në plazhin e Golemit. Ne kemi biznese dhe policia është me ata, për të mos lejuar ndalimin e këtij projekti mizor, që po ndodh në plazh Golem, Kavajë. Kam marrë të gjithë zonën e plazhit që është parking për të gjithë ne që ushtrojmë hoteleri-turizëm. Dhe s’kemi më nga t’ja mbajmë sepse na kanë bllokuar të gjitha rrugët që dalin në breg të detit. Faleminderit doktor. Gentian Daja, Ervin Rroshi. Sajmir Kurti një i dënuar më parë dhe një trafikant. Nëse doni foto ua sjell, ju lutemi mund ta publikoni. Me respekt një militant i juaji, familja Romeo Tahir Okshtuni”, thuhet në një tjetër denoncim.

Vëllai i Rroshit mban peng OSHEE-në e Kavajës

Ndërkohë që qyteti i Kavajës pret zgjedhje të reja, pasi Elvis Rroshi është zyrtarisht i shkarkuar me institucionet e këtij qyteti vijon të bëhet pazar ende. Prej gushtit të vitit 2015 në krye të shpërndarjes së OSHEE-së për Kavajën qëndron vëllai i Elvis Rroshit, Saimiri.
Zgjedhja e tij që në momentet e para u quajt e paligjshme dhe se ka qenë vendim i të vëllait të tij kryebashkiak.
Ndërkohë që burime për “Shuplakën” thonë se prej 6 muajsh OSHEE Kavajë është pa drejtues dhe të gjitha vendimet janë marrë nga Saimir Rroshi, vëllai i Elvis Rroshit, me detyrë shef i sektorit të shpërndarjes.
Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të OSHEE, Ardian Çela në postin vakant është emëruar që prej ditës së premte Dorian Murati, ish-drejtues i ALUIZNI-t Kavajë. Por edhe pse i emëruar prej tre ditësh Kodra nuk ka mundur dot të hyjë në zyrën e tij pasi nuk lejohet nga vëllai i Rroshit, i cili i bën presion OSHEE që të jetë ai drejtor për Kavajën.
Duhet thënë se vëllai i Rroshit edhe më parë ka pasur precedentë pasi është akuzuar se ka rrahur keq një nga punonjësit e OSHEE-së.

Artikulli paraprakSërish drogë nga Shqipëria në Itali, arrestohet i riu shqiptar
Artikulli tjetër“Financial Times”: Situatë e rrezikshme në Ballkan