Ambasadori britanik: Shqipëria në moment kritik për zgjedhjet e lira

Ambasadori britanik, Duncan Norman foli dje para mediave në Institutin shqiptar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-britanike pas Brexit. Ambasadori Norman tha që ky është një moment kritik për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë, megjithatë kur afrohen zgjedhjet është edhe një periudhë e mirë që të gjitha forcat të përqendrohen tek zgjedhjet e lira dhe të drejta, si dhe tek pjesëmarrja sa më e gjerë në to. Për t’u integruar në BE zgjedhjet e lira dhe të drejta janë një temë shumë e rëndësishme. Ja pse ky është një moment kritik për Shqipërinë dhe një çështje me rëndësi për të ardhmen e saj”, tha ambasadori britanik Norman. Në fjalën e tij ambasadori tha që gjysma e tregut të kokainës në Britani kontrollohet nga shqiptarët. Ai shprehu  shqetësimin se shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të të burgosurve në burgjet e Britanisë, si dhe vuri në dukje se shqiptarët janë një nga grupet më të mëdha që hyjnë ilegalisht në Britani. “Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë një rajon i rëndësishëm për ne dhe siç e ka thënë kryeministrja, Britania e Madhe do të jetë mikpritësja e samitit për Ballkanin Perëndimor në vitin 2018, si pjesë e procesit të Berlinit. Britania do të angazhojë më shumë burime për rajonin, më shumë para, kohë dhe diplomatë dhe kjo përfshin edhe Shqipërinë. Shqipëria ka një rëndësi për Britaninë e Madhe, dhe kjo edhe arsye negative. Shqiptarët kontrollojnë 50% të tregut të kokainës në Britaninë e Madhe, si dhe janë shumë të përfshirë në trafikimin e drogërave të tjera gjithashtu. Shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të të burgosurve në burgjet e Britanisë, si dhe shqiptarët janë një nga grupet më të mëdha që hyjnë ilegalisht në Britani. Shqiptarët tentojnë që të bëjnë gjërat mirë dhe një nga këto gjëra është edhe krimi” u shpreh ambasadori britanik.

Artikulli paraprakXhafa fsheh në CV 5 vitet si xhelat i diktaturës
Artikulli tjetërMediu: Nuk do ndalemi për të treguar të vërtetën