Pushohet nga puna pa motiv, mësuesja përfundon në spital

Ka punuar prej 27 vjetësh mësuese, por “Rilindja” e ka pushuar nga puna pa asnjë motiv. Manushaqe Balliu jepte mësim në shkollën 9-vjeçare në Qukësit prej 27 vitesh, duke bërë 25 km rrugë me furgon nga Librazhdi, por ditën e djeshme i është komunikuar pushimi nga puna.
Drejtoresha e shkollës i ka thënë se i ka ardhur urdhëri nga Zyra Arsimore e Librazhdit. E tronditur nga pushimi nga puna, ajo ka shkuar në zyrën e Drejtorisë Arsimore në Librazhd, por drejtoresha nuk pranoi t’i jepte asnjë dokument për pushimin nga puna. Mësuesja i ka kërkuar arsyen se përse e kishte pushuar, por drejtoresha e ka nxjerrë forcërisht jashtë zyrës. E ndodhur nga arroganca dhe dhuna verbale e drejtoreshës, mësuesja ka humbur ndjenjat dhe më pas është dërguar me urgjencë në spitalin e Librazhdit. Mjekët thanë se mësuesja është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e saj shëndetësore nuk është e mirë.
Mësuesja Manushaqe Balliu është bashkëshortja e gazetarit Haxhi Balliu dhe ka një përvojë të gjatë pune në arsim. Kolegët e saj në shkollën 9-vjeçare të Qukësit shprehen se kanë mbetur të habitur nga vendimi i Zyrës Arsimore të Librazhdit për pushimin nga puna të saj. Koleget e saj shprehen se, Manushqja ka qenë mësuese shembullore dhe korrkete në mësimdhënie ku gëzonte edhe respektin e nxënësve. Ajo prej disa vitesh në këtë shkollë jepte lëndën e Gjuhës angleze dhe nuk ka patur asnjë herë vërejtje nga drejtuesit e shkollës për mësimdhënien. Edhe nxënësit kanë mbetur të habitur, kur kanë mësuar pushimin e mësueses nga puna.
Bëhet e ditur se, mësuesja Manushaqe Balliu është pushuar nga puna për motive politike. Në vend të saj është emëruar një vajzë e re, e cila njihet si militante e PS në Librazhd. Burimet nga Librazhdi bëjnë të ditur se, në prag të fushatës së zgjedhjeve, me urdhër të deputetit të PS Taulant Balla po pushohen nga puna specialistët dhe mësuesit me përvojë për të punësuar militantët e PS.
Në të gjitha shkollat e Librazhdit, mësuesit po punojnë nënpresion dhe terror për shkak të kërcënimeve me largim nga puna. Shumë mësues presin në ankth se kush do ta ketë radhën e pushimit nga puna.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi. Në një postim në Facebook, Malltezi shkruan se, Aleanca e qelbësirave nuk respekton asnjë ligj dhe asnjë normë demokracie. “Krim dhe trishtim për këtë palaçollëk tjetër të edvinëve dhe pushtave të tjerë të shtetit. Aleanca e qelbësirave gjeti armikun e popullit! Pushojnë nga puna pa motivacion mësuesen me 27 vjet eksperiencë pune!!! Asnjë ligj nuk respektojnë, asnjë normë demokracie nuk pranojnë këta bastardët e komunizmit. As mendim ndryshe, as motivacion, as ligj, asgjë. Gjynah nga ky nivel plehu ku ka rënë ky vend”, shkruan Malltezi.
Një vit më parë, drejtoresha e Zyrës Arsimore në Librazhd, Fatbardha Qatja, ka pushuar nga puna 28 mësues të Shkollës së Mesme të Bashkuar në fshatin Hotolisht. Të gjendur në këtë situatë të gjithë stafin e mësuesve dhe vetë drejtorin e Shkollës së Mesme të Bashkuar në fshatin Hotolisht janë ngritur në protestë. Vetëm pas reagimit të mësuesve në protestë dhe të Sindikatës së Pavarur të Arsimit u detyrua Ministria e Arsimit të anulojë vendimin e drejtoreshës së Librazhdit, duke i rikthyer mësuesit në punë.
Vala e spastrimeve politike në administratë ka nisur nga “Rilindja” prej disa ditësh në të gjithë vendin. Dy ditë më parë, pushuan nga puna një shofer ambulance në Fushë-Krujë. Izet Kamani ka punuar për 30 vjet rresht shofer ambulance në Fushë-Krujë, por “Rilindja” e ka hedhur në rrugë për ta zëvendësuar me një militant socialist.

Artikulli paraprakBanditët e Ramës dhe Gjushit sulmojnë e rrahin protestuesit
Artikulli tjetërAdemi: Rama flet me gjuhën e kriminelëve që i bëri deputetë