Çelsi nuk ndalet

Titulli kampion vështirë se mund t’i shpëtojë nga duart një skuadre si Çelsi, e cila edhe kur gjendet në vështirësi, siç ndodhi sot ndaj Stouk, arrin të zgjidhë situatat në mënyra nga më të ndryshmet, falë elementëve cilësorë që ka në përbërje.
Londinezët e Kontes po barazonin në transfertë përballë Stouk deri pak minuta para fundit, pasi golit të Uillian i ishte përgjigjur në pjesën e parë Uollters me penallti. Por, kur dukej se dy ekipet do shkonin në dhomat e zhveshjeve me nga një pikë të siguruar, David Luiz gjeti në zonë Kahill pas një goditje këndi dhe mbrojtësi dërgoi topin me kokë në rrjetë për të shënuar një gol me shumë peshë.
Ky sukses i mundëson Çelsit të shkojë në +13 nga ndjekësit e Totenhem dhe Mançester Sitit, të cilët luajnë nesër, si dhe i jep një avantazh shumë të ndjeshëm ekipit londinez, kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’i luajtur në kampionat.
Ajo që ra në sy ishte edhe suksesi i Leisterit, që është kthyer në ritmin e vitit të kaluar dhe sot regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat nën drejtimin e Kreig Shekspir. Golat e Mahrez, Huth dhe Vardi, i dhanë një avantazh të ndjeshëm kampionëve në fuqi të Anglisë, të cilët edhe pse i lejuan Uest Hemit të kthehej në lojë dhe t’i rrezikonte disa herë deri në vërshëllimën përfundimtare, i mbijetuan vrullit të vendasve dhe arritën të dilnin nga fusha e lojës me tri pikë.
Arsenali ka pësuar humbje 3:1 nga WBA-ja në kuadër të xhiros së 29-të në Premierligë, humbje kjo që momentalisht e lë jashtë zonës së Ligës së Kampionëve. Pavarësisht humbjes së Arsenalit, mesfushori shqiptar i “Topçinjve”, Granit Xhaka, është vlerësuar si më i miri i ndeshjes, duke marrë notën më të madhe (8.1). Paraqitje të mirë nuk bëri shqiptari tjetër, Shkodran Mustafi, i cili u vlerësua vetëm me notën 6:4.
Manchester City-Liverpool është supersfida e kësaj jave në Premier Leaguen angleze. Në “Ettihad Stadium” skuadra e Citizens do të kërkojë që të harrojë sa më shpejt eliminimin nga Liga e Kampioneve dhe mund t’ia dalë mbanë në rast të një fitoreje të mundshme ndaj The Reds. Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola u kritikua shumë ditët e fundit dhe në median britanike po flitet se spanjolli mund të ndryshojë stilin e lojës në këtë sfidë, një hipotezë që u hodh menjëherë poshtë prej tij. “Nuk do ta ndryshojmë stilin e lojës, do të përpiqemi të fitojmë. Ajo që duhet të bëjmë është që të mbrojmë më mirë”, tha 46-vjeçari kur u pyet në lidhje me këtë çështje.
Guardiola më pas përgënjeshtroi edhe lajmin se po përgatit  një revolucion në skuadër që përfshin largimin e shumë futbollistëve. Tekniku katalanas deklaroi se është e pamundur që të nxjerrësh menjëherë në merkato 12 apo 13 futbollistë, pasi ata janë të lidhur nga kontratat që kanë me klubin. Manchester City për momentin ndodhet në vendin e tretë në Premier League me 56 pikë, 1 më shumë se Liverpool, që ka një ndeshje më shumë.

Artikulli paraprakLaçi mposht Flamurtarin, rrezikon rënien nga kategoria
Artikulli tjetërReali e zgjidh me Benzema e Kasemiro