Eksperti gjerman: Kanabisi në Shqipëri, biznes miliardash

Michael Knodt, eksperti gjerman për politikat e kanabisit, në një artikull për Shqipërinë, tregon për përhapjen e kultivimit të kanabisit nga Lazarati në gjithë vendin dhe ndikimin e tij në ekonomi. Më poshtë gjeni disa nga pjesët kryesore të shkrimit të tij: Në vitin 2014, Shqipëria ishte në qendër të mediave ndërkombëtare si vendi i vogël që furnizonte Europën me kanabis. Atë vit, policia u fut në Lazarat, fshatin malor ku prodhohej kanabisi e për tre ditë “luftuan” me fermerët lokalë. Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm, premtoi se do të bënte gjithçka për të zhdukur kultivimin e kanabisit në Lazarat. Megjithëse policia kontrollon vazhdimisht Lazaratin, bima e ndaluar mbetet ende faktori më i rëndësishëm ekonomik në vendin e varfër. Ndonëse në dispozicion të publikut janë vetëm të dhënat për numrin e plantacioneve të zbuluara që nga 2014-ta, kultivimi i kanabisit është rritur ndjeshëm në zonat e thella, veçanërisht në Jug, në afërsi të kufirit me Greqinë. Vitin e shkuar, njësitë e antidrogës pretendojnë se zhdukën 2,3 milionë rrënjë kanabis në 1250 aksione dhe shpallën 250 të dyshuar. Vlera në treg e kësaj sasie droge shkon në 3,5 miliardë euro ose përafërsisht sa gjysma e buxhetit të shtetit shqiptar. Për vite, politikanët shqiptarë kanë akuzuar njëri-tjetrin se kanë përfituar nga kultivimi i kanabisit, ndaj e kanë lejuar atë fshehurazi. Pak ditë më parë, qeveria shqiptare lajmëroi shkarkimin e ministrit Tahiri, i akuzuar shpeshherë për lejim të përhapjes së kanabisit nga Lazarati në të gjithë vendin. Ish-shefi i sektorit të Antidrogës në Fier dhe ish-shef hetimi në Drejtorinë e Kufirit në Vlorë, Dritan Zagani, u arrestua në vitin 2015 nën akuzën e korrupsionit. Ai pohoi se Tahiri është pjesë e rrjetit të fshehtë të trafikut të drogës. Ndërkohë Dritan Zagani ndodhet në Zvicër, ku ka kërkuar azil politik. Saimir Tahiri i ka mohuar të gjithë këto akuza.

Italia dhe Greqia, tregjet më të mëdha

Shumica e të korrave të kanabisit shqiptar trafikohet në vendet fqinje. Kushdo që ble kanabis në tregun e zi në Itali apo Greqi zakonisht ble “lulen” shqiptare. Më parë, të rinjtë grekë tërhiqnin thasët me kanabis nëpër male, ndërsa sot pjesa më e madhe e të korrave transportohet me anije në brigjet italiane e greke. Nga atje, më pas kanabisi mund të transportohet në çdo vend të zonës Shengen. Për shumë vite, hetuesit tatimorë italianë dyshojnë se mafia është përgjegjëse për transportin, logjistikën dhe rishitjen e kanabisit shqiptar në tregjet europiane. Në vitin 2013, prodhimi vjetori i kanabisit në Lazarat u vlerësua rreth 900 tonë me një vlerë totale prej 4,5 miliardë euro. Vlerësimi u bë nga forcat ajrore italiane. “Lazarati prodhon 900 tonë marijuanë në vit, kryesisht të varieteteve holandeze, sasi e cila sjell fitim prej 4,5 miliardë eurosh”, deklaroi për mediat Denovive Stefano Bostoni, kreu i Forcave Ajrore italiane. Përveç Lazaratit, ai përmendi dhe katër rajone të tjera të rëndësishme për kultivimin e kanabisit: Vlora, Shkodra, Tirana dhe Durrësi. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) është e pranishme në Shqipëri që prej vitit 1998, por nuk ka publikuar asnjëherë të dhëna zyrtare për sasinë e kanabisit të prodhuar në vend. Megjithatë, vëzhguesit konfirmojnë se kultivimi i lëndës narkotike është rritur, duke u shpërndarë në zonat e thella. Me përjashtim të disa zonave, i gjithë vendi është me klimë të përsosur mesdhetare për kultivimin e kanabisit. Ky fakt është konfirmuar dhe nga operacionet me helikopter të policisë në kërkim të plantacioneve të kanabisit në gjithë zonën jugore.

Kanabisi në Shqipëri

Kanabisi është i paligjshëm në Shqipëri, por nëse kapesh “me një dozë për përdorim personal” të substancave të paligjshme, përfshirë dhe kanabisin, mund edhe të mos dënohesh. Për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit, ligji parashikon dënim me 5 deri në 15 vite burg. Pesë gramë kanabisi një cilësie të ulët, në tregun e zi, kushtojnë 4-8 dollarë. Paqëndrueshmëria e përhershme socio-ekonomike pas rënies së komunizmit, ka bërë që kanabisi të jetë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për “bujqësinë” shqiptare. Rastet e Meksikës dhe Marokut kanë dëshmuar se kultivimi i kanabist nuk mund të çrrënjoset me njësi speciale, helikopterë apo masa të tjera represive, për sa kohë substanca e paligjshme është baza e ekonomisë së zonave të caktuara apo e të gjithë shtetit.

Artikulli paraprakNuk thirret Shkëlzen Gashi
Artikulli tjetërBasha: Kualifikimi, mision i vështirë!