Manjani: Trafiku i drogës menaxhohet nga Rama

Nga Valmora Gogo

Pa “xhaketën” e ministrit, edhe pse Manjani as që e preferon ta përdorë qoftë edhe në kuptimin figurativ, tani ish-ministri i Drejtësisë duket krejt i çliruar nga punët e mëdha të qeverisë.
Manjani nuk është një ministër klasik dhe as tipik shqiptar. I hapur deri në detaje të imtësishme me mediat, me deklarata që tronditën opinionin publik pas shkarkimit, por njëkohësisht një profesionist e qytetar i angazhuar.
Ish-ministri i Drejtësisë, që u shkarkua nga kryeministri Rama rreth 2 muaj më parë tregon në një intervistë ekskluzive për “Shuplaka”-n detaje të pazbardhura nga puna në qeverinë shqiptare dhe raportin me Ramën: si i kërkohej të merrte leje për të folur publikisht te drejtori i Ramës Endri Fuga, si qeveria shqiptare merrte vendime pa u mbledhur, si tenderat zhvilloheshin në shkelje të plotë, si kryeministri Rama ka shantazhuar me telefon gjyqtaren e Kukësit, si kanabisi mori përmasa dhe luftën e tij me Ramën e Tahirin për ta pranuar si fenomen dhe çfarë marrëdhëniesh ka tani me Ilir Metën e LSI-në. A do të jetë në listat e LSI-së për deputet këto zgjedhje?
Manjani rrëfen në këtë intervistë të gjithë prapaskenën e shkarkimit të tij, çfarë komunikoi me Metën, zbërthen Reformën në Drejtësi dhe përfshirjen e Sorosit, por sigurisht që i përgjigjet edhe pyetjes “Cilët ministra flinin me dashnoret te Santa Quaranta”.

– Mendoni që zgjedhjet nuk janë të garantuara, absolutisht?
Janë të rrezikuara jo të garantuara! Sepse zgjedhjet sot rrezikohen, më falni për mungesën e modestisë, por e kam denoncuar para një viti këtë gjë: kanabisi.

– Si lidhet kanabisi konkretisht me zgjedhjet?
Fenomeni kapilar i përhapjes së kanabisit çon patjetër në fitimin e zgjedhjeve.

– Si?
Sepse njerëzit që merren me kanabisin kanë punëtorë, të cilët paguhen minimumi 20 mijë lekë në veri në ditë dhe maksimumi 40 mijë lekë në jug, në ditë. Në qoftë se këtyre iu rritet nga 20 mijë lekë në 30 mijë lekë në fushatën e zgjedhjeve dhe nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë po në fushatën e zgjedhjeve në këmbim të mbushjes së kutive me vota, se këta kanë familje, janë rrjet, janë njerëz pa shpresë, pa punë…

– Sa njerëz janë?
Shumë janë. Në gjithë zonat rurale të Shqipërisë, është masiv tani, nuk është më një Lazarat. Në zona rurale sot, në veri dhe në jug, përfshi edhe Shqipërinë e Mesme refuzohet të punohet toka e ligjshme për të shkuar në pyll për të vaditur kanabis. Është ofertë joshëse.

– Çfarë viti mori përhapje masive kanabisi sipas jush?
Ka qenë vjeshta e 2015-ës, e gjithë 2016-ta, në të gjitha ciklet e mbjelljes dhe të korrjes së hashashit. Tani s’kemi ende të dhëna të sigurta sepse cili ka qenë debati që kemi bërë ne pas deklaratave të mia në qeveri: që nuk është e vërtetë. Pra, nuk qenka e vërtetë?!

– Ka drogë që është e Tahirit?
Nuk thashë që është e Tahirit, por ka drogë që është e administruar nga shteti.

– Që do të thotë?
Që do të thotë që nëse Rama e mohon fenomenin duhet të besoj të kundërtën. Përndryshe një kryeministër i përgjegjshëm thotë “Po jemi para një fenomeni. Na ka ndodhur kjo gjë, ne menduam se luftuam Lazaratin, po nuk e luftuam sepse njerëzit janë në varfëri ekstreme, fenomeni është i përhapur, duhet ta pranojmë”.
Refuzimi për ta pranuar, të çon të mendosh dhe të besosh se ka një background?

– Shifrat e Tahirit janë përballë atyre të raportit të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit…
Shikoni unë nuk merrem me raportin e DASH-it! Unë nuk besoj se gjykimi i të huajve për vendin tonë është më i dhembshëm se sa gjykojmë ne për vendin tonë.
Unë nuk kam pritur raportin e DASH-it. Kam qenë ministër. Mund të isha shumë komod dhe të thosha jo lëre mos fol.
Jo pra, nuk është kështu sepse krahu i punës po lë punën e ligjshme për të shkuar te puna e paligjshme. Mua kjo më shqetëson. Sepse një ditë kanabisi do ta marrë fundin e vet, në mos nga shteti, nga njëri-tjetri. Por çështja është që sa më vonë të jetë kjo, aq më keq do të jetë për vendin, aq më keq për shoqërinë dhe sidomos qeveria ka një rol. Qeveria nuk ka mundësi të thotë s’është fenomen. Italia kap 8 tonë drogë. Është e tmerrshme 8 tonë drogë! E dini si është kapur? Kanë kaluar skanerin në kamion, nga Dogana e Durrësit, skaneri i fikur, por me letër të verifikuar.

– Mund të jetë faji i ekspertit që qëndron te skaneri…
Po pse nuk arrestohet se u bë 1 muaj?!

– Sepse mund të jetë në hetim… ky mund të jetë “justifikimi”… duke bërë “Avokatin e Djallit”…
Këtu ka një fakt konkret dhe t’ua shpjegoj mekanizmin se çfarë ka ndodhur, që e thonë dhe italianët.
Po të kalosh skanerin e Durrësit, skaneri është i lidhur me network-un e doganave fqinje dhe shanset për t’u kontrolluar pasi ke kaluar skanerin janë zero, sepse quhet një dokument i besueshëm. Fati i keq ka qenë që nga Dogana e Durrësit në Ankona kanë qenë 48 orë në traget dhe sigurisht kanë folur “armiqtë”, “kundërshtarët”, kanë çuar informacione dhe janë kapur në Itali dhe jo në doganë, e kanë gjëmuar, e kanë lënë ku janë shkarkuar dhe pastaj janë kapur sepse kështu punojnë shërbimet inteligjente jo si puna jonë që në rastin më të parë e djegim aksionin.
Nuk kam pse të pres DASH-in unë. Ky është një fakt shumë i rëndë për të gjithë ne. Media i raporton, tjetër gjë se si i përdor politika.

– Ka një tezë që qarkullon se shkarkimi i Tahirit është bërë si rezultat i një premtimi pasi u shkarkuat ju. Premtim i Ramës ndaj Metës…
Është i gjithë spekulim. Unë nuk e di këtë gjë se nuk kam qenë dëshmitar i asnjë diskutimi.

– Është shkruar në media se bashkë me shkarkimin tuaj do të vinin edhe shkarkime të tjera…
Jo nuk kanë folur kështu. Unë vetë kam thënë në deklaratën pas shkarkimit që Ramës i është kërkuar shkarkimi i ministrit të Brendshëm ndaj ai kërkon të krijojë një shfokusim të vëmendjes dhe u mor me mua. Sigurisht që mua ai më bëri nder, por këtë e kam thënë unë.
Jam i bindur si drita e syve që nuk ka patur marrëveshje shkëmbimi siç pyesni ju, apo siç pret një pjesë e medias që e përdor për arsye spekulative, veçanërisht ato media që kanë një mllef ndaj Ilir Metës përgjithësisht. Pra, një pjesë e madhe e analistëve që shohin te Ilir Meta të keqen më të madhe të Shqipërisë. Mua më takon të them këtë gjë: që në gjithë dijeninë që kam unë dhe di jo pak për këtë çështje, nuk ka qenë kjo.
Arsyeja e lëvizjes së ministrave përpara fushatës zgjedhore është thjesht një reagim, nervoz, ekskluzivisht nervoz, krejtësisht i paqartë i kryeministrit të vendit, i cili ndjehet në presion të gjithanshëm.

– Për çfarë presioni e keni fjalën? Nga i vjen presioni më i madh?
Nga të gjitha anët: nga rezultatet e këqija në qeveri, nga çadra e opozitës…

– Mendoni se e presionon çadra e opozitës?
Të mos hyjë opozita në zgjedhje nuk është gjë e vogël. Patjetër që ka ndikuar.

– Rama e ka marrë me shumë sportivitet në dukje, madje ka kaluar pranë protestuesve…
Jo, jo lëre, ato janë teatro që i di vetë ai. Unë po them që çadra është një element presioni. LSI-ja është një element tjetër presioni. Mosmbyllja e koalicionit në kohë siç e priste ai, natyrisht që i shton presionin.

– Koalicioni nuk është mbyllur ende?
Keni dëgjuar gjë, se deri tani unë s’di gjë.

– E ka përsëritur që do të jenë bashkë…
Kush e ka përsëritur? Ka thënë vetëm Ed Rama dhe Taulant Balla. Keni dëgjuar ju nga ana tjetër?!

– Ju po thoni që Meta ende nuk ka vendosur?!
Shikoni. Unë jam anëtar i Kryesisë së LSI-së dhe nuk di gjë. Pra, nuk kemi ende një vendim dhe ky është presion për Kryeministrin. Pra, i ndjerë në presion mediatik, politik dhe social, edhe të brendshëm, në kuptimin e koalicionit, sigurisht që i shkakton një nervozitet, i ka shkaktuar mungesë fokusi dhe mesazhi është krejtësisht konfuz.
Çfarë mesazhi ka thënë ai? Ka thënë që “unë heq ministra para zgjedhjeve”. “Po pse? Cili është kuptimi?! Dhe heq ministrat më të suksesshëm”. Për çfarë? Për t’i çuar në zgjedhje. Ta marrim të vërtetë atë që thotë kryeministri: po mirë kush është fokusi i një kryeministri? Të qeverisë apo të fitojë zgjedhjet?!

– Ndoshta për Ramën është edhe fitimi i zgjedhjeve…
Po pra, por ta lërë qeverinë dhe të fitojë zgjedhjet! Njerëzve normalë që s’duan të merren me politikë nuk u intereson kush do të marrë Tiranën. U intereson çfarë do të bëjë qeveria. Dhe ky është një mesazh pa mesazh, krejtësisht me efekte të gabuara.

– A mos ndoshta është duke përgatitur terrenin e një qeverie teknike?!
Nuk e di. Kjo është një çështje spekulative që shumë analistë e kanë thënë. Rama do të duhet të paguajë koston e arrogancës në politikë sepse ka kaq vite kryeministër që nuk hapi një herë derën e dialogut për opozitën. Asnjëherë të vetme. Zero.

– Rama e ka ftuar opozitën të ulen në tryezë…
Nuk ka ftuar asgjë ai.

– Tani, gjatë protestës…
Jo, asnjëherë nuk e ka bërë këtë gjë. Bëri një gjysmë deklarate medemek të gënjente shoqen e vet Mogherini. Në këtë pjesë ai nuk ka bërë asgjë, asnjë përpjekje dhe kjo e vendos në një pozitë arrogante. Opozita sado e dobët të jetë nuk mund ta trajtosh në mënyrë arrogante, por arroganca e tij vjen nga një filozofi shumë e rrezikshme që ai e mbart në vetvete që është filozofia e eliminimit të kundërshtarit.
Me Ramën është shumë e vështirë të kohabitosh, të bashkëjetosh si opozitë nëse nuk reagon me të njëjtën monedhë. Ai sheh që opozita duhet shkrirë, thjesht për ta pasur për një “spruco demokratike” dhe pjesa tjetër duhet zhdukur nga jeta e vendit. Pra, në vetvete kjo është një filozofi moniste.
Ai po bën çmos që këtë filozofi ta shfryjë edhe te aleati i tij LSI-ja. LSI-në për çfarë e ka dashur?! Kush është sjellja e tij politike?! Jemi bashkë sa të fitojmë zgjedhjet, pastaj fitojmë zgjedhjet, ndahemi: ju keni tuajat, ne tonat. Këtë ka bërë gjithmonë ai.
Dhe motivi i tij është tezë e rrezikshme politike dhe koston e kësaj arrogance ky njeri duhet ta paguajë e kjo nuk është një analizë personale. Për mua ai duhet të rrijë kryeministër. Sa më shumë të rrijë aq më mirë është sepse do degjeneruar aty ku është, por nëse do të bëjmë një analizë të përgjithshme, koston e arrogancës duhet ta paguajë.
Çfarë ishte marrëdhënia me opozitën? Mirë që nuk u ule një herë me ta, por në këto kushte kur ata zunë bulevardin nuk kishte rrugë tjetër përveç dialogut, ai e refuzoi dialogun. Dhe e kam patur bindje këtë që ditët e para: të ulemi të bëjmë dialog sot, nesër do të jetë vonë! Pse? Sepse palët fillojnë dhe marrin pozicione politike nga të cilat vështirë të dalin dhe ja ku jemi.

– Çfarë sugjerimi i ka dhënë LSI-ja për negociatat për uljen në tryezë me opozitën?
Nuk e di! Unë nuk kam informacion për vendimmarrjen politike të LSI-së sot.

Artikulli paraprakSi u bë Tahiri pjesë e rrjetit sekret të trafikut
Artikulli tjetërPaga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar