Basha: Italinë e vemë në vështirësi

Migjen Basha është absolutisht shqiptari që e njeh më mirë trajnerin e Italisë, Gian Piero Ventura. Katër sezone të kaluara së bashku te Torino, me mesfushorin kuqezi që iu bashkua “granadave” pas kërkesës së teknikut. Basha nuk e fsheh mirënjohjen për mundësinë që Ventura i dha, ndërsa zbulon edhe atë çfarë duhet të presë kombëtarja për duelin e 24 marsit në Palermo.
“Kur arrita në Torino ishte trajner Ventura. Nga Seria B u ngjitëm në A dhe vetëm sezonin e dytë u kualifikuam në Europa League. Aty shihet puna e mirë që Ventura ka bërë me lojtarë si mua, Darmian apo Immobile. Këtë ia kam borxh trajnerit dhe dua ta falënderoj për ato vite të mira të karrierës. Ventura është një trajner që i pëlqen ta sulmojë kundërshtarin. Duhet të shohim edhe formacionin që ai do të përdorë. Nëse luan 4-4-2 këto janë lëvizje që i bënte edhe te Torino, por me lojtarët që ka në dispozicion Italia mund të na krijojë probleme”, u shpreh Basha.
Diskutimet për taktikat e përdorura nga Ventura, Migjen Basha i ka ndarë edhe me trajnerin De Biasi, ndërsa megjithë vlerësimin për trajnerin kundërshtar, beson se Shqipëria mund ta vendosë në vështirësi Italinë. “Kemi biseduar me De Biasin dhe më ka pyetur për disa gjëra, për mënyrën si luanim në Torino. Ventura është një trajner që mund të ndryshojë sistemin e lojës, lojtarët apo zgjidhjet dhe duhet të kemi kujdes. Kur e ke përballë një skuadër si Italia duhet të kesh kujdes nga të gjithë. Nga mbrojtja, te mesfusha dhe te sulmuesit e tyre. Duhet të sakrifikohemi të gjithë. Në disa ndeshje jemi mbrojtur mirë dhe kemi kundërsulmuar. Kjo është forca jonë dhe kështu mund ta vendosim Italinë në vështirësi”, tha ai.
Pasi konfirmoi se atmosfera në skuadrën kuqezi mbetet pozitive, pavarësisht dy humbjeve me Spanjën dhe Izraelin, mesfushori 30-vjeçar foli edhe për tifozët, që sipas tij nuk do të mungojnë. Basha komentoi edhe faktin nëse përballë Italisë, De Biasi mund të aktivizojë kryesisht lojtarët që aktivizohen përtej Adriatikut, duke qenë se ata e njohin më mirë mentalitetin dhe lojën e kundërshtarëve. “Të them të vërtetën nuk e di nëse është penalizim për ne apo diçka e mirë që luajmë në Palermo. Nëse ndeshja do të ishte në Milano padyshim që do të kishte më tepër tifozë, megjithatë mbështetja për kombëtaren nuk ka munguar asnjëherë dhe do t’i kemi tifozët tanë. Nuk besoj që trajneri bazohet te fakti se lojtarët që luajnë në Itali duhet të jenë në fushë. Fillimisht duhet parë forma e futbollistëve dhe taktika është në plan të dytë. Forma është shumë e rëndësishme për të vendosur aty ku bazohet trajneri për taktikën e së premtes”, përfundoi Basha.

Artikulli paraprakZagani reagon nga Zvicra me një mesazh për “Sajen”
Artikulli tjetërMemushaj kërcënon Italinë