Do të jetë 37-vjeçari slloven, Slavko Vinçiç ai që do të vendosë drejtësi në sfidën eliminatore të Shqipërisë kundër Italisë më 24 mars në “Renzo Barbera”, ndërsa asistentë të tij do të jenë Tomaz Klacnik dhe Andraz Kovaçiç. “Bilbili” ballkanas që prej vitit 2010 me stemën e FIFA-s, është caktuar nga organi qendror i futbollit botëror për të drejtuar sfidën e kuqezinjve. Në karrierën e tij të deritanishme Vinçiç ka drejtuar edhe një ndeshje të Shqipërisë, pikërisht miqësoren që kuqezinjtë e barazuan 0-0 ndaj Maqedonisë në Prilep më 15 nëntor të vitit 2011. Kombëtarja shqiptare nuk ka kujtime të mira nga gjyqtari slloven, i cili në sfidën ndaj Maqedonisë lejoi koret raciste antishqiptare të tifogrupit “Majmunët” dhe nuk mori asnjë masë për t’i parandaluar ato. Në atë sfidë Shqipëria drejtohej nga ndihmësi i të ndjerit Josip Kuzhe, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, aktualisht trajneri i përfaqësueses shqiptare të 17-vjeçarëve.
Vinçiç është një arbitër me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Për herë të fundit në Europa League ai drejtoi ndeshjen Shakhtar Donetsk-Celta Vigo, sfidë që u mbyll 0-2 në favor të skuadrës spanjolle. Disa duele të tjera me shumë peshë ku slloveni ka vendosur drejtësi janë edhe Manchester City-Celtic në Champions League, Schalke-Krasnodar apo PAOK-Fiorentina në Europa League. Në datën 6 shtator të vitit të shkuar ai drejtoi një tjetër sfidë eliminatore të Botërorit 2018, atë mes Ishujve Faraoe dhe Hungarisë të mbyllur në shifrat 0-0.