Kryeministri konservator i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Partia e tij e Progresit (SNS) fituan zgjedhjet e treta parlamentare radhazi, në bazë të një rezultati jopërfundimtar të bazuar në numërimin e një pjese të votave.
SNS fitoi 52,6 për qind të votave, Partia Socialiste e Serbisë fitoi 12,9 për qind të votave, Partia Radikale Serbe, SRS mori 7,4 për qind të votave, Partia Demokratike 5,4 për qind të votave. Këto rezultate jepen në bazë të 20 për qind të votave të numëruara.
Këto zgjedhje u panë si test midis synimit të shpallur të kryeministrit Aleksandar Vuçiç për ta anëtarësuar vendin në Bashkimin Evropian dhe emocioneve nacionaliste, të cilat favorizojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.
“Jam thuajse i sigurtë se do të vazhdojmë procesin tonë të integrimit evropian dhe do të na duhet ta përshpejtojmë procesin e anëtarësimit (në BE)”, tha kryeministri Vuçiç pas dhënies së votës. “Dhe natyrisht të ruajmë lidhjet tona tradicionale me miqtë tanë në Lindje (Rusinë)”, tha ai.
Vuçiçi i thirri zgjedhjet dy vjet para kohe, me shpresë që të forcojë pushtetin e tij për të zbatuar siç ka deklaruar reforma. Por kritikët thonë se synimi i vërtetë i tij është të forcojë sundimin e tij autokratik edhe për katër vite të tjera, për aq kohë sa ai ka ende mbështetje te zgjedhësit.
46-vjeçari, që është konsideruar për shumë kohë nacionalist i vijës së ashpër, ka premtuar se do të privatizojë sipërmarrjet shtetërore me humbje, nëse rizgjidhet.
Partia e Vojislav Shesheljit, SRS sipas rezultateve paraprake mori rezultatin e pritur. Sheshelji pati deklaruar se, vota është në fakt një referendum, për atë nëse Serbia do të bashkohet me “armikun”, BE, ose do të krijojë një lloj bashkimi me “aleatin tonë tradicional, Rusinë”.
Në Kosovë, në vendbanimet më shumicë serbe ku u zhvilluan zgjedhjet e Serbisë nuk u shënua ndonjë incident.