Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Shqipëri përpara nisjes për në Palermo, ku do të luajë sfidën e rëndësishme ndaj Italisë për eliminatoret e Botërorit 2018. Në këtë seancë, skuadra dhe trajneri De Biasi u fokusuan më shumë në aspektin taktik. Mësohet se trajneri italian do të aplikojë për këtë ndeshje skemën 5-4-1, gjë që e bën për herë të parë. Kështu, në portë, ashtu siç u mendua, do të jetë Strakosha. Në mbrojtje, Hysaj do të luajë në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë do të jetë Agolli. Në qendër të mbrojtjes, Ajeti dhe Veseli duket se do të kenë edhe mbështetjen e Kukelit, i cili edhe në Evropianin e Francës tregoi se është i aftë që të luajë edhe në prapavijë.
Në mesfushë, Basha dhe Memushaj do të jenë së bashku me Lilën në të djathtë dhe Roshin në të majtë, ndërkohë që si sulmues i vetëm mendohet të jetë Sokol Cikalleshi, i cili këtë radhë preferohet kundrejt Armando Sadikut.
Pas seancës së paradites që u zhvillua me dyer të mbyllura, pasditen e të mërkurës, kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e radhës stërvitore në resortin Tropikal në Durrës, me trajnerin Gianni de Biasi që këtë herë lejoi për rreth 10 minuta praninë e mediave në fushën stërvitore. Mëngjesin e të enjtes përfaqësuesja kuqezi zhvilloi edhe stërvitjen e fundit në tokën shqiptare përpara nisjes për në Itali ku të premten në orën 20.45 në “Renzo Barbera” të Palermos, Shqipëria do të ketë përballë përfaqësuesen e kaltër, në një duel që pritet të sjellë emocione të mëdha te të gjithë shqiptarët. Asnjë risi në stërvitjen e pasdites. I gjithë grupi i futbollistëve ishte i gatshëm dhe u vendos në dispozicion të trajnerit De Biasi, përfshirë këtu edhe Amir Abrashin e Jahmir Hykën. Mesfushori i Freiburgut, i cili shqetësoi stafin teknik një ditë më parë, nuk ka asgjë serioze dhe do të jetë gati për sfidën ndaj Italisë. U stërvit me grupin edhe Jahmir Hyka.
Mesfushori me tipare sulmuese u shfaq më i relaksuar me Hykën që e kishte hedhur pas krahëve lodhjen e akumuluar gjatë 2 ditëve të fundit për shkak të udhëtimit nga Amerika drejt Shqipërisë dhe pritjes së stërgjatur në aeroportin e Romës. Stërvitja e pasdites nisi me disa vrapime të lehta për të kaluar më pas te ushtrimet me topin. Mbështetja e tifozëve në shkallët e stadiumit do të jetë shumë e rëndësishme për kuqezinjtë e Gianni de Biasit në sfidën e “Renzo Barberas”. Në Palermo, mbrëmjen të premtes pritet të jenë rreth 15 mijë tifozë shqiptarë, pasi përveç 5000 biletave të vëna në dispozicion nga Federata italiane e Futbollit, për tifozët kuqezinj, pritet që edhe 10 mijë shqiptarë të tjerë, të cilët zotërojnë nënshtesinë italiane të mbështesin kombëtaren në këtë sfidë kaq të rëndësishme.