Fizikanti britanik Stephen Hawking, miliarderi i lindur në Rusi Yuri Milner dhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg njoftuan këtë muaj se janë duke filluar një program ambicioz eksplorimi në hapësirë për të mësuar nëse ka jetë në pjesë të tjera të kozmosit. Milner do të ofrojë 100 milionë dollarë për projektin për ndërtimin e një sonde të madhësisë së një çipi kompjuterik që do të udhëtojë në një sistem tjetër yjor dhe do të dërgojë informacione në Tokë brenda një perudhe kohore prej një brezi.
Projekti, i quajtur Breakthrough Spaceshot, parashikon dërgimin e një flote sondash të vogla robotike në sistemin më të afërt yjor, Alfa Centauri. Milner prezantoi një prototip të këtyre sondave në një konferencë në Nju Jork.
“Ky është një starchip, i pajisur me kamera, motorë me energji fotoni, energji elektrike, sistem navigimi dhe pajisje komunikimi”.
Milner thotë se çipi i madhësisë së një pulle postare, do të kushtojë jo më shumë se sa një iPhone. Së bashku me një velë të lehtë, ajo do të formojë atë që shpikësit e quajnë nanosondë. Një numër i këtyre sondave të vogla do të dërgohet në hapësirë nga pajisje me lazer të fuqishëm dhe do të udhëtojnë shumë më larg se çdo mjet hapësinor i mëparshëm.
Për një kohë të gjatë njerëzit kanë imagjinuar jetën në planete të tjera dhe udhëtimin ndëryjor. Por, pak njerëz besojnë se kjo është e mundur gjatë jetës së këtij brezi. Fizikanti Stephen Hawking është optimist se distanca mes Tokës dhe sistemit yjor Alfa Centauri, rreth 40 trilionë kilometra, mund të kalohet brenda një brezi.
“Unë besoj se ajo që na bën të veçantë është tejkalimi i kufizimeve tona. Graviteti na tërheq në tokë, por unë sapo erdha me avion në Amerikë”.
Shkencëtari amerikan Freeman Dyson thotë se, ne mund të mos jemi në gjendje të shkojmë aq larg.
“Hapësira mes tokës dhe Alfa Centaurt-it nuk është e zbrazët, nuk është vetëm një boshllëk i madh, të cilin ju duhet ta kaloni për të arritur diçka interesante në anën tjetër. Është e kundërta, pra ka mijëra objekte në mes këtyre dy pikave”.
Zoti Dyson beson se ka më shumë gjasa që jeta të gjendet në një asteroid ose në një tjetër objekt të vogël galaktik, se sa në një planet. Edhe nëse do të kishte jetë, duhen 20 vjet për të udhëtuar në këto objekte. Sipërmarrësit besojnë se mund ta realizojnë këtë mision në rreth 20 vjet. Pastaj, do të duhen edhe katër vjet të tjera për transmetimin e informacioneve në Tokë.
“Qëllimi ynë është angazhimi në këtë mision i njerëzve në mbarë botën, sidomos i të rinjve, pasi ata do të jenë ende gjallë në kohën kur ne do ta realizojmë këtë”, thotë Avi Loeb, i Universitetit të Harvardit.
Një person i lindur këtë vit mund të jetë në të 50-at në kohën kur pritet të realizohet ky mision. Përparimet teknologjike mund ta përshpejtojnë këtë proces.