Kryeministri Rama sapo erdhi në pushtet abrogoi një ligj për importimin e mbetjeve të ashtuquajtura të gjelbërta në Shqipëri të kaluar në Parlament nga qeveria Berisha. Rama u betua solemnisht në Parlament: Plehra në Shqipëri: Never more!
Çuditërisht pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Rama ndërmori një serial hapash ligjorë për të lejuar importin e plehrave (mbetje urbane, mbeturina-lëndë e parë për përpunim në Shqipëri). Këto hapa ligjorë shkojnë nga ligji i kaluar në Parlament dhe i “mbetur në klasë” në Presidencën Nishani për importin e plehrave e deri te VKM-ja e llahtarshme Nr. 638, dt. 7.9.2016 për trajtimin e mbetjeve radioaktive në Shqipëri.
Krahas këtyre hapave ligjorë, pati një veprimtari të ethshme për lincencim e ndërtim landfillesh e inceneratorësh (pajisje për djegie) të plehrave në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Durrës. Në Tiranë, Elbasan e Fier, puna është vënë në vijë, ndërsa në Durrës kryebashkiaku Dako ende reziston, sepse ai familjarisht banon në Durrës dhe i ndruhet problemeve për shëndetin e familjarëve të vet, që mund të shkaktojë impianti i plehrave i parashikuar për t’u ndërtuar në Manzë, në territorin e Bashkisë së madhe të Durrësit. Këto landfille e inceneratorë përveç dyshimeve për akte korruptive dhe hajdutëri në Elbasan e Fier, në Tiranën e Veliajt shkaktuan edhe vrasjen e Arditit të shkretë, një adoleshent 17-vjeçar, që donte t’i fitonte paratë për shkollën e lartë me djersën e ballit!
Trinomi, Veliaj-plehra-Tosi
Na kanë tërhequr vëmendjen një sërë koinçidencash, që vetëm koinçidenca nuk mund të jenë në këtë histori plehrash. Këto koinçidenca në fund të mandatit Rama të kujtojnë përpjekjet e diktatorit Aliaj, që në vitet e fundit të komunizmit, u përpoq të bënte lekë duke e mbushur Shqipërinë me plehra nga duhanet e qelbura të Kamorrës te pesticidet e skaduara gjermanolindore të kompanisë “Scmidt Cretan” e deri te mbetjet radioaktive, që mbetën në tentativë për t’u varrosur në Shqipëri.
Me bujë e zulmë, kryebashkiaku Veliaj reklamoi pa fund një marrëveshje për krijimin e një kompanie tip “joint venture” me Bashkinë e Veronës për të menaxhuar pastrimin e Tiranës dhe sidomos trajtimin e plehrave në Sharrë. Nën parullën demagogjike: Ta bëjmë Tiranën qytetin më të pastër në Ballkan, në dhjetor 2015, kryebashkiaku Veliaj nënshkroi me kryebashkiakun e Veronës, Flavio Tosi, një memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e plehrave të Tiranës. Ky “menaxhim” plehrash do të realizohej nëpërmjet krijimit të një ndërmarrjeje të përbashkët italo-shqiptare. Fatmirësisht ministri i Financave, Prof. Cani, për shkak të përvojës personale me kompaninë mashtruese “Levante & Co” si zëvendës i kryeministrit Nano në vitin 1991 rezistoi fuqimisht dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e legalizimit të këtij “joint venture” midis Veronës dhe Tiranës. Prof. Cani kishte që në vitin 2014, që i rezistonte ofertave të një “kollovari” italian, të një “dhie mallteze” shqiptare për krijim kompanish tip “joint venture” për menaxhimin e plehrave shqiptare. Ministri Cani i ruhej jo vetëm pasojave financiare (ndonjë ndjekje të mundshme penale për vjedhje parash publike), por edhe përfshirjes në ndonjë skandal me ndotje mjedisi. Në messhkurtin e vitit 2016 kryeministri Rama e shkarkoi ministrin Cani dhe i hapi rrugë Veliajt & Co, që në sallën e madhe të “Palazzo Barbieri” në Verona të prezantonin në fillim të gushtit 2016 krijimin e dy kompanive të reja, që do të pastronin Tiranën dhe do të menaxhonin plehrat shqiptare. (Për më shumë mund të konsultohet linku: http://www.veronasera.it/cronaca/presentazione-societa-gestione-frifiuti-amia-albania-tirana-sindaco-tosi-incontro-8-luglio-2016-.html)
Konkretisht kompania “Ecco Tirana” zyrtarisht u themeluan më 22 qershor 2016. Në këtë kompani publike, Bashkia e Tiranës zotëron 51% të aksioneve, ndërsa kompania publike italiane “Holding AGSM Albania” zotëron 49% të aksioneve. Ndër anëtarët e bordit administrativ të kësaj kompanie, si edhe njëkohësisht president i kompanisë “AMIA” është edhe ish-burgaxhiu, Andrea Miglioranzi, person ky me një dëshmi penaliteti (schedina penale) plot me padi gjyqësore me dënime me burg e me gjobë. Miglioranzi është një nga eksponentët më të shquar për të keq të së djathtës ekstreme post fashiste italiane. Ai ka qenë një nga anëtarët më të famshëm të shoqatës ekstremiste “Veneto Fronte Skinheads” me pseudonimin “Andron”. Imagjinoni sesi kryebashkiaku i majtë Veliaj, që çdo 17 nëntor e 29 nëntor na përgjërohet për antifashizëm e për partizanët tanë trima, bashkëpunon rehat-rehat me të tillë ekstremistë të djathtë italianë! Paraja e hedh ujin përpjetë thonë shqiptarët!
Odisea e plehrave Marok-Shqipëri-Libi dhe kryebashkiaku veronez Tosi
Maroku
Kryebashkiaku Tosi, i qendrës së djathtë në vitin 2012 u rizgjodh me përkrahjen e Partisë Lega Nord, parti e shquar për qëndrimet e saj kundra të huajve dhe antiislamike, çuditërisht kishte marrëdhënie të shkëlqyera pune në vitin 2014 me konsullin e Marokut në Verona Sh.T. Ahmed El Khadar. Çfarë koinçidence! Kryebashkiaku i majtë Veliaj ka marrëdhënie pune për menaxhim plehrash me burgaxhiun postfashist ekstremist të djathtë italian Miglioranzi!!! Përsëri për koinçidencë në vitin 2014, kur kryebashkiakut të Tiranës, Basha dhe ministrit socialist Cani i bëheshin oferta italiane për menaxhim plehrash, kryebashkiaku i Veronës Tosi i bënte oferta kryebashkiakut Bitonci (i Partisë Lega Nord) të Padova-s për ndërtim xhamish me fonde marokene. Kryebashkiaku Bitonci e refuzoi me përbuzje një ofertë të tillë. (Për më shumë mund të konsultohet linku: http://corrieredelveneto.corriere.it/veneto/notizie/cronaca/2014/10-novembre-2014/sindaco-bitonci-rifiuta-incontrare-console-marocco-basta-centri-islamici-230507493652.shtml). Po ashtu për më shumë informacion mund të konsultohet edhe
linku: http://corrieredelveneto.corriere.it/veneto/notizie/cronaca/2014/22-novembre-2014/due-leghe-bitonci-caccio-console-zaia-finanzia-festival-marocchino-230588679517.shtml)
Për koinçidencë në vitin 2014, pati oferta nga biznesmenë nga veriu i Italisë për të menaxhuar plehrat në qytete të ndryshme të Marokut. Për koinçidencë në vitin 2014 Sh.T. konsulli maroken Ahmed El Khadar në Verona organizoi takime pune me kompaninë “AGSM Energia”, e cila për koinçidencë është prezente në menaxhimin e plehrave të Tiranës sipas marrëveshjes Veliaj-Tosi për krijimin e kompanive të përbashkëta italo-shqiptare “Eco Albania” dhe “AGSM Holding Albania”. Për më shumë për këto takime mund të konsultohet linku: http://www.agsm.it/?p=4866
Sqarojmë lexuesin, që Maroku ka një sipërfaqe prej mbi 710 000 km dhe një popullsi prej 34 milionë banorësh domethënë një sipërfaqe prej mbi 25 herë më të madhe se Shqipëria dhe një popullsi rreth 10 herë më të madhe se Shqipëria. Maroku është i populluar më rrallë dhe ka sipërfaqe të mëdha shkretëtire pjesë e Shkretëtirës së Saharasë, si edhe mjaft zona të shkreta malore thuajse të pabanuara si në viset e Maleve Atlas. Në këtë kontekst varrosja apo djegia e plehrave në Marok do të dëmtonte shëndetin e marokenëve shumë më pak, sesa do të dëmtohej shëndeti i shqiptarëve nga një veprimtari e tillë.
Mbreti i Marokut, Madhëria e Tij Mohamedi VI, ndonëse kishte leverdi politike për të pacifikuar (appeasement) fondamentalistët islamikë në Marok, duke ndërtuar xhami në Itali me fondet mbretërore marokene, nuk pranoi, që të nënshkruante marrëveshje me biznesmenë italianë për menaxhim plehrash në territorin maroken.
Libia
Pa i bitisur ende mirë punët e plehrave me kryebashkiakun e majtë, Veliaj i Tiranës kompania “AMIA” e të djathtit Miglioranzi ia vuri synë nënshkrimit të një marrëveshjeje të ngjashme plehrash me kryebashkiakun e qytetit të Zintan-it në Libi. Me siguri përderisa Tirana sipas Veliajt do të bëhej qyteti më i pastër në Ballkan, Zintani me siguri do të bëhej qyteti më i pastër në Afrikën e Veriut (Siç!). Në fund të qershorit 2016 në hotelin “Leone d’Oro” në Tunizi me ndërmjetësinë e biznesmenit italian me kontakte të shumta në Afrikën e Veriut (Tunizi, Libi etj.) Bruno de Angelis (shiko linkun për më shumë info: https://www.africaintelligence.com/MCE/business-circles/2016/07/07/de-angelis-italy-s-business-godfather-in-zintan,108173703-ART) u kryen kontakte të dobishme ndërmjet biznesmenëve veronezë dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Zintan-it.
Bashkia e Zintan-it në Libi sipas biznesmenit Renzo Mognato, mund të bënte biznes të mirë edhe për shkak të të ardhurave nga puset e naftës në zonën e Zintan-it me kompani Veronese si për shembull, “AMIA” apo dhe AGSM. Për koinçidencë të dy këto kompani, që do të pastrojnë plehrat e qytetit libian të Zintan-it do të pastrojnë edhe plehrat e Tiranës së kryebashkiakut Veliaj! Për më shumë mund të lexoni në linkun: http://m.larena.it/home/economia/amia-sbarca-in-albaniae-guarda-anche-alla-libia-1.4949911
Pa u tharë mirë boja në marrëveshjet e firmosura me Veliajn e Tiranës, kryebashkiaku veronez Tosi më 6 tetor 2016 firmos marrëveshje me Bashkinë e Zintan-it në Libi. Marrëveshja njëlloj si: Tirana më e pastra në Ballkan ka një emër të madh: Pakti i miqësisë Verona (Itali) dhe Zintan (Libi). Marrëveshja është firmosur nga kryebashkiaku Tosi dhe nga homologu libian i Veliajt tonë, Mohamed Moustapha Barouni, kryebashkiak i Zintan-it. Në këtë link ka informacione dhe hollësi për marrëveshjen e nënshkruar përfshirë edhe aplikimin në Zintan të teknologjive të përparuara për pastrimin e këtij qyteti libian si për shembull, mbledhja e diferencuar e plehrave: http://www.confserviziveneto.net/tosi-firma-patto-di-amicizia-con-sindaco-libico/.
Për koinçidencë të tilla teknologji do të zbatojnë të njëjtat kompani, të njëjtët njerëz pranë kryebashkiakut Tosi edhe në Tiranë! Madje administrator i kompanisë italiane “italy2Lybia” z. Giuseppe Cirina, që më 7 shtator 2016 kryente bisedime me nën/kryetarin e Bashkisë së Tarabullusit z. Ibrahim Alebi dhe anëtarin e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tarabullusit z. Ibrahim Shybli, me qëllim që edhe në Tarabullus të zbatohej mbledhja e diferencuar e plehrave nga të njëjtat kompani veroneze, siç po bëhet në Tiranën e zotit Veliaj.
(linku: http://www.larena.it/home/economia/la-libia-a-caccia-di-tecnologie-per-l-ambiente-1.5116372?refresh_ce#scroll=10260 apo edhe linku: http://www.veronaperme.com/il-modello-verona-sbarca-in-libia/
Në pamje të parë nuk ka asnjë të keqe, që të tilla kompani nga Verona të përfitojnë nga petrodollarët e Libisë për të pastruar qytetet libiane. Faktikisht, nënshkrimi i të tilla marrëveshjesh për pastrim plehrash në një Libi copë-copë e të përfshirë nga një luftë civile me shpërbërje totale të rendit publik është një bufonadë, që shërben për të maskuar qëllime të mbrapshta. Për ta pasur më të qartë, lexuesi shqiptar shpjegojmë që sot Libia ka 3 qeveri gjysmë legjitime, të njohura nga grupacione shtetesh të ndryshme. Përkatësisht është qeveria e vendosur në qytetin e Tobrukut, që përkrahet nga zoti i luftës Gjenerali Khalifa Haftar e mbështetur haptazi nga Egjipti, UAE, Rusia dhe fshehurazi nga Franca. Kemi qeverinë e Këshillit Presidencial të kryesuar nga z. Fayez al Serraj të vendosur në kryeqytetin libian Tripoli, që përkrahet ngas OKB-ja, nga disa vende të NATO-s, përfshirë Italinë. Kemi edhe një qeveri të tretë të kryesuar nga Khalifa Gwell, e cila teorikisht ka dhënë dorëheqjen, por praktikisht me mbështetjen e milicisë së fuqishme të qytetit të Misuratës e kontrollon kryeqytetin libian më shumë sesa qeveria Sarraj, e cila është po aq pak e fuqishme sa qeveria Fino në prill 1997. Përveç këtyre qeverive në Libi ekzistojnë edhe mbi 300 milici e banda kriminale të armatosura e të mirëstrukturuara. Për krahasim në prill të 1997 në Shqipëri ekzistonte vetëm një qeveri Fino, një President Berishë dhe jo më shumë se 40-45 banda të armatosura përfshirë në këtë numër edhe të ashtuquajturat komitetet e shpëtimit. Libia me më pak se 6 milionë banorë (rreth 2-fishi i Shqipërisë), sot ka mbi 6 herë më shumë banda kriminale dhe milici të armatosura sesa kishte Shqipëria e vitit 1997.
Imagjinoni për një moment, që në vitin 1997 në një Shqipëri shumë më stabël se Libia sot një kryebashkiak italian të nënshkruante një marrëveshje për pastrimin e plehrave të Gjirokastrës me gjen. Gozhitën dhe komitetin e shpëtimit të Gjirokastrës apo edhe një marrëveshje analoge me bandën e Zani Çaushit për të pastruar plehrat e Vlorës!
Për të kuptuar më mirë situatën në Libi, ku kompanitë veroneze do të kryejnë mbledhjen e diferencuar të plehrave, kujtojmë që vetëm 5 ditë, pasi Italia i vetmi vend anëtar i NATO-s rihapi ambasadën në Tripoli, milicët e Mizuratës të urdhëruar nga Khalifa Gwell, njëri prej tri kryeministrave thuajse legjitimë të Libisë, pushtuan ndërtesat e tri ministrive në Tripoli. Për koinçidencë imagjinoni kryebashkiakun Brokaj, duke nënshkruar me veronezët marrëveshje për pastrimin e plehrave të Tiranës më 20 shtator 1998!
Plehra, mbeturina kimike, por edhe radioaktivitet
Për koinçidencë më shumë se një çerek shekulli më parë, ndërsa ushtarakët italianë plagoseshin, gjymtoheshin dhe vriteshin në “Check Point Pasta” në Mogadishon e përfshirë nga anarkia totale, politikanët italianë si Kraksi e Xhani de Mikelisi bënin pazare me zotëritë e luftës somaleze për të varrosur në tokën apo bregdetin somalez mijëra ton plehra, mbeturina industriale e mbeturina kimike (rifiuti chimici).
Fatkeqësisht të tilla kategori plehrash sjellin fitime goxha të mëdha, por tahmaja njerëzore për para nuk para ka kufi. Mbetjet radioaktive, skorje, burime të fikura radiacioni (spent radiation sources), pajisje industriale e mjekësore, që janë të ndotura me radiacion apo që kanë qenë burime radiacioni sigurojnë realisht fitime marramendëse, nëse “hiqen qafe” sipas metodës italiane “uma-uma”. Kamorra napoletane, por sidomos Ndrangheta, ka pasur përvojë të pasur në këtë drejtim vite më parë. Fatkeqësisht Zintan-i në Libi nuk është i përshtatshëm për të qenë kosh plehrash për të tilla “mallra” radioaktive. Amerikanët nga frika e terrorizmit po harxhojnë qimet e kokës dhe po vazhdojnë të rrezikojnë njerëz në terrenin libian edhe pas vrasjes së ambasadorit Stivens në Bengazi vetëm e vetëm, që t’i largojnë nga Libia të tilla “materiale”. Frika e një bombe radiologjike (Dirty bomb), ua bën nervat kaçurrel amerikanëve, prandaj edhe nuk mund të lejojnë ca politikanë italianë dhe ca banditë e politiqenër libianë të varrosin në Libi skorje radioaktive e materiale të ngjashme me to nga frika se mos bien në duart e terroristëve. Normal, që nuk mund të depozitohen të tilla plehra radioaktive në Libi, kur edhe hekurishtet e marra nga kompleksi kërkimor shkencor Tajura afër Tarabullusit, po transferohen në Shqipëri si në rastin e anijes “Laohar Rima” me flamur të Sierra Leones, që u nis nga Porti i Mizuratës për në Durrës më 28 shkurt 2017.
Shqipëria është vend ideal për të tilla materiale radioaktive. Vendi nuk është në anarki totale si në Libi dhe njëkohësisht nuk është anëtar i BE-së, pra nuk ka kontrolle as sa ka Rumania e famshme për venddepozitimin e plehrave në Kontenë Arad. Për koinçidencë qeveria Rama miraton VKM-në Nr. 238, ku ndër të tjera përcaktohen rregullat se si do të lincencohen operatorët privatë për të kryer veprimtarinë e depozitimit të sigurtë të mbetjeve radioaktive. Amerikanëve u është plasur buza derisa e kanë bërë relativisht të sigurtë venddepozitimin aktual të mbetjeve radioaktive në Qendrën e Fizikës Bërthamore të drejtuar nga Prof. Klosi. Siguri kjo, që gjithsesi lë ende shumë për të dëshiruar. Për të pasur idenë sesa problematike është kjo siguri në këtë venddepozitim të mbetjeve radioaktive mund të shikohet një video në linkun: http://www.panorama.com.al/video-dy-police-filmohen-duke-vjele-kumbulla-te-instituti-i-fizikes-berthamore/. Në këto kushte për koinçidencë qeveria Rama do të lincencojë subjekte private për të magazinuar mbetjet radioaktive në Shqipëri!
Përsëri për koinçidencë detektorët e radioaktivitetit në hyrje të Portit të Durrësit funksionojnë vetëm, kur vjen për inspektim ndihmës zëvendës/sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të SHBA-së, z. Alan Bers apo kur vjen për bisedime ndonjë delegacion i Rojes Bregdetare amerikane si më 8 shkurt 2017 ose edhe ndonjë grup kolonelësh e nënkolonelësh të NATO-s si më 18 janar 2017.
Rama mund të lëshojë sa të dojë licenca për depozitim të sigurtë mbetjesh radioaktive në Shqipëri, por kurrsesi nuk mund të sigurojë BE-në dhe SHBA-në që këto mbetje radioaktive nuk do të përdoren nga terroristët e DAESH-it për të goditur objektivat euroatlantike me bomba radiologjike (dirty bombs)!
Unë besoj fuqimisht se Kryeministri im, Edvini i biri i Kristaqit dhe stërnip i rilindasit Epaminonda Koleka, që me pushkë, pare e penë hapi shkollën shqipe në Vuno në kohë të Turqisë, do ta dojë Shqipërinë të paktën po aq sa ç’e do Marokun Madhëria e tij Mohamedi VI, i biri i Hasanit II, që nuk lejoi shndërrimin e atdheut të vet në kosh plehrash italiane e jo vetëm!
Tumoret shtohen tek moshat e reja
Prevalenca për mijë banorë me të sëmurë me kancer shihet të ketë pësuar rritje me 70 për qind gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, sipas të dhënave spitalore, të bëra të ditura me kërkesë të “Monitor”.
Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë.
Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014 në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje. Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit.
Por burimet nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezerva për statistikën duke hedhur dyshime se ajo është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit.
Gjithsesi të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. 15% për qind e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7 për qind i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22 për qind janë të moshës 55-64 vjeç.
Një dekadë më parë përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.
Në vitin 1990, Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera në rajon, kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Në rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.
Ekspertët në spitalin onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë zonat e ndotura të vendit sidomos, qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këto faktorë rreziku nuk frenohen mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.