Trajneri i Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, thotë se është pjekur shumë si trajner dhe tani është më i matur sesa ishte në fund të karrierës së tij. Tekniku portugez ka reputacionin e një prej trajnerëve më emocionalë në Premier Ligë dhe shpërthimin e fundit e bëri pak ditë më parë, kur akuzoi autoritetet se nuk u intereson ngjeshja e kalendarit për ekipet që luajnë në Europë.
Megjithatë, gjatë një interviste për revistën “France Football”, ai thotë se, ka mësuar ta stakojë trurin në fund të ditës dhe të mos mendojë më për futboll jashtë pune. “Murinjo si njeri përpiqet që të jetë e kundërta e Murinjos trajner. Ai përpiqet të jetë i matur, i qetë, të gjejë një mënyrë për t’u shkëputur. Unë tani mund të shkoj në shtëpi dhe të mos shoh asnjë ndeshje futbolli apo mendoj për këtë lojë. Mund ta bëj këtë gjë. Në fillim të karrierës nuk mundesha. Isha i lidhur me futbollin 24 orë. Sot, unë ndihem mirë me personalitetin që kam. Jam pjekur, jam më i qetë. Një fitore nuk më dërgon më në Hënë dhe një humbje në ferr. Besoj se jam në gjendje që të transmetoj qetësinë tek ata që punojnë me mua, tek lojtarët e mi. Por profesionalizmi im nuk ka ndryshuar. Kam të njëjtat ambicie, vetëm se i kontrolloj më mirë emocionet e mia”, deklaroi 54-vjeçari.
Ai mund të thotë se i kontrollon emocionet, por nuk i reziston dot tundimit për të thumbuar rivalin e tij kryesor as gjatë kësaj interviste, Pep Guardiolën. Ata të dy u përplasën për herë të parë, kur drejtonin Realin dhe Barcelonën dhe e rindezën rivalitetin mes tyre në dy klubet e Mançesterit. Mes këtyre dy përvojave, Guardiola drejtoi për tre vite Bajernin, duke dominuar çdo sezon Bundesligën, por Murinjo thotë se kjo është një lojë fëmijësh në një kampionat ku ti u blen lojtarët më të mirë rivalëve.
“Në Angli, klubet janë ekonomikisht më të fuqishme dhe tregu është i hapur për të gjithë. Merrni shembullin e Bajernit në Gjermani. A e dini se si e fitojnë titullin çdo vit? Çdo verë, ata blejnë lojtarët më të mirë të Borusias së Dortmundit. Fillimisht Gëcen, një vit më pas Lewandowskin dhe verën e shkuar, Humelsin. Unë kam ardhur në një klub që ka një histori të madhe dhe prestigjioze, por asnjë klub në Angli, qoftë ai Mançester Junajtid, Liverpuli apo Mançester Siti, mund të dominojë përjetësisht. Këtu fuqia është e ndarë”, u shpreh Murinjo.