Ish-deputeti, vrasës dhe trafikantë bëhen bashkë në burgun e kryeqytetit

Shumë personazhe të njohur ndodhen në qelinë e paraburgimit te “Mine Peza” në Tiranë. Lapsi.al ka publikuar një foto të personazheve të njohur të botës së krimit dhe ka identifikuar 4 prej tyre.
Nga e majta në të djathtë është Dritan Dajti, i dënuar me 4 burgime të përjetshme për vrasjen e 4 policëve në Durrës në vitin 2009, por që dosja është kthyer për rigjykim. Bën përshtypje se si gjatë seancave gjyqësore, Dajti kujdeset të vijë në Gjykatë me paterica, pasi pretendon se ka probleme me shtyllën kurrizore, por në këtë foto duket që gjendja e tij është normalizuar dhe brenda burgut s’ka nevojë për paterica.
Në krah të Dajtit është një tjetër i paraburgosur, por që Lapsi.al nuk ka arritur ta identifikojë. Më pas, në mes të fotos është ish-deputeti Mark Frroku. Ky i fundit po gjykohet për 4 vepra penale: vrasjen e kryer në Belgjikë në vitin 1999, pastrimin e parave, mosdeklarim të pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm. Po kështu, Frroku është i përfshirë edhe në historinë e atentatit që pretendohet se është porositur nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ndaj deputetit socialist Tom Doshi.
Në krah të Frrokut ndodhet shtetasi italian Salvatore Letizia, i njohur si “vrasës me pagesë”. Ai ndodhet në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për vrasjen e dy shtetasve shqiptarë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku mbeti i vrarë gjithashtu edhe shoku i tij.
Ndërsa i fundit në foto është Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Ermali është arrestuar në kuadër të operacionit në Xibrakë të Elbasanit, ku u zbulua laboratori i kokainës. Hoxha akuzohet si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, që merrej me përpunimin dhe trafikun e kokainës. Edhe ai është në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Por pyetja që shtrohet pasi shikon këtë foto është: Çfarë i lidh bashkë brenda burgut këta personazhe? Është thjesht burgu dhe pritja e seancave gjyqësore, apo ka diçka tjetër?! /Lapsi.al/

Artikulli paraprakZhduken 10 mijë ton kanabis nga policia e Tahirit?!
Artikulli tjetër4 të vrarë në 24 orë për drogën në Vlorë