“Probleme të drogës ka në të gjithë botën, por këtu rrezikon që të dalë nga kontrolli. Kushdo kultivon hashash kudo. Sasi të mëdha droge trafikohen nga ajri, me skafë dhe kamionë drejt ‘tregjeve’ evropiane, fillimisht duke kaluar nga Italia dhe Greqia për shkak të afërsisë”. Kjo frazë është shkëputur nga gazeta greke “Kathimerini” e datës 10 shkurt, e cila jepte alarmin se problemi i kanabisit mund të shkaktojë krizë të gjithanshme në Shqipëri. Ndërkohë që kriza po thellohet, vihet re se ka filluar sërish në masë mbjellja e kanabisit nëpër kubikë, çka po evidentohet njësoj si vitin e kaluar në të gjithë vendin. Ndryshimi qëndron në faktin se fshatarëve po u premtohet nga strukturat e PS dhe krerët e policisë mbjellje kanabisi në këmbim të votave të 18 qershorit, çka lë të kuptohet se fenomeni jo vetëm është thelluar, por deformimi i votës është real dhe i dukshëm.
Pazaret e votës
Në fund të shkurtit fillim të marsit, ekranet e TV u mbushën me pamje teksa shiheshin policë që kontrollonin tunele ushtrie apo banesa të pabanuara, të cilat sipas tyre shërbejnë për të mbjellë hashashin. Në fakt nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një spektakël, i cili s’ka të bëjë aspak në luftën ndaj këtij fenomeni. Burime policore shprehen se hashashi fillon të vendoset në kubikë jo në fund të shkurtit, pasi kërkon dritë të fortë dhe ngrohtësi për të qenë sa më cilësor. Fara vendoset në kubikë në fund të këtij muaji pra, të marsit dhe kjo fazë vazhdon deri në mesin apo përgjatë gjithë muajit prill në varësi të kushteve atmosferike. Më pas vjen faza e dytë, ajo e vendosjes nëpër gropa, që i korrespondon muajit maj dhe vazhdon me shërbimet e tjera në shtator-tetor kur është dhe periudha e vjeljes. Përllogaritet se këtë vit, fushat e mbjella me kanabis do të jenë në një numër edhe më të madh se viti 2016, pasi nuk do të jenë vetëm trafikantët ata që do e mbjellim, por fenomeni do të shtrihet dhe më tej, deri tek fshatarët e thjeshtë, të cilëve që tani u është premtuar mbjellje hashashi në këmbim të votave, madje u janë shpërndarë falas edhe farat. Trafikantët kanë gjetur mënyrë tjetër për të përfshirë në këtë skemë fshatarët. I japin një sasi të caktuar farash për t’i vendosur në kubikë dhe u lenë atyre për të mbjellë në oborret e tyre një sasi të tyre. Pra, në 100 kubikë, 10 apo 15 i lihen familjeve fshatare, ndërsa pjesa tjetër shkon në fushat ku janë hapur gropat më parë. Fshatarëve u këshillohet që këto rrënjë të mbillen në oborret e tyre, me premtimin se askush nuk do i prekë, në këmbim të votës për kandidatët e Ramës.
Show mediatik me “anti-kanabisin”
Rreth 4200 forca policore u angazhuan nga 25 shkurti e deri në fillim të marsit në një aksion që Saimir Tahiri do e quante si aksioni më i madh antidrogë. Rezultati ishte zero për arsyen e thjeshtë se ajo s’është koha e kultivimit të kësaj bime. Ardhja e Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme duket se nuk do të ndryshojë asgjë, ndërsa aksioni i Tahirit ishte një sinjal për trafikantët që mund të fillojnë të punojnë të qetë kur të vijë koha e mbjelljes. Ministria e Brendshme ka kaluar nga një klan i drogës tek tjetri, madje dhe rrokada për këtë qëllim u bë, si shkak i prishjeve të pazareve dhe ekuilibrave. Pa marrë ende detyrën si ministër i Brendshëm, Xhafës do i arrestohej nipi i gruas i emëruar në Doganën e Qafë Thanës, ku drejtonte trafikun e hashashit. Ai u gjet përgjegjës për kalimin e një kamioni me tetë tonë kanabis, që vinte nga Maqedonia. Hetimet kanë treguar se hashashi pasi kalonte kufirin tonë me Maqedoninë, vinte që andej dhe vulosej si tranzit me qëllim kalimin pa problem drejt Italisë. Nga ana tjetër, Xhafa vetë dyshohet se ka lidhje të ndryshme, sidomos me narkotrafikun, ku vëllai i tij Agron Xhafa akuzohet nga policia italiane për trafik kokaine nga Venezuela. Xhafa, gjithashtu ka qenë dhe ideatori i çdo lloj manipulimi zgjedhjesh të bëra përgjatë këtyre katër vjetëve.
Katër etapat e mbjelljes së kanabisit
Pasi sigurohet fara, ende në mënyrë të panjohur për policinë shqiptare, fillon periudha e parë, ajo e fidanëve. Kultivuesit ngrenë disa serra, me kubikë të veçantë. Në to mbjellin farat, ndërsa serra është e pajisur edhe me ndriçim. Sa më shumë ndriçim të kenë, aq më shpejt fidanët bëhen gati për kultivim në terren të hapur. I gjithë procesi, pra, fidanishtja zgjat rreth një muaj. Kjo fazë, bëhet në muajin prill deri në maj. Megjithatë, një shtysë e madhe për fidanët, është edhe mënyra hormonale. Disa persona janë specializuar për fidanët, madje ata kanë marrë edhe disa hormone, që shpejtojnë në maksimum fidanët. Këto hormone arrijnë që bima të rritet shumë shpejt dhe të dalë për kultivim para kohe. Ende nuk dihet se çfarë medikamentesh përdoren për rritjen e bimës, pasi edhe policia shqiptare nuk ka asnjë të dhënë. Një fazë tjetër, ndoshta shumë e rëndësishme, është edhe sigurimi i farave, të cilat kanë sjellë që bima të jetë e shëndetshme dhe të mos ndikohet nga faktorët klimaterikë për rritjen e saj.
Periudha 2
Njëkohësisht me mbjelljen e fidanëve, kryhet edhe procesi i përgatitjes së gropave ku do të mbillet fidani i hashashit. Për disa javë, bëhen gati gropat, që mund të jenë 50-100 centimetra katrorë. Megjithëse zona mund të jetë zallishte, sërish gropa e krijuar, ku hidhet pleh kimik apo edhe blegtoral, shërben për kultivimin e hashashit. Toka mund edhe të pajiset me sistem vaditës. Në rreshtat e krijuara shtrihen disa zorrë, me vrima në afërsi të gropës, ku do të mbillet hashashi. Dhe në këtë mënyrë bëhet vaditja me pika, e cila e ndihmon shumë rritjen e bimës. Në periudhën e dytë, një fazë e rëndësishme është mbjellja e kubikëve në gropën e krijuar. Fidanët merren me kubikë të veçantë dhe mbillen në gropën e bërë më parë. Në të hidhet sërish pleh kimik dhe bima e re, që tashmë ka dalë në terren të hapur, vaditet herë pas here. Kjo fazë, pra, mbjellja e kubikëve mund të bëhet në muajt maj-qershor.
Periudha 3
Një nga proceset më të rëndësishme është vaditja dhe spërkatja. Duke qenë zonë malore dhe me zallishte, toka thahet shpejt dhe bima ka nevojë gjithmonë për ujë. Mësohet se në tokat e mbjella me hashash ka sistem vaditje me pika, ndërsa sigurimi i ujit ka vështirësitë e veta. Në zonat e evidentuara vitin e shkuara janë gjetur tuba kilometrikë uji, që e merrnin nga përrenjtë. I gjithë ky proces, pra, vaditja bëhet në muajt më të thatë të vitit, qershor-korrik-gusht dhe disa ditë në shtator. Kryesisht, bima vaditet pasdite apo edhe në orët e darkës, me qëllim që toka, ku është mbjellë bima, të qëndrojë sa më shumë e lagur. Megjithatë, ka edhe raste ku bima merr 24 orë ujë, por me pika. Zona të veçanta kanë edhe sistem vaditës.
Periudha 4
Pasi kryhet vaditja dhe koha ka sjellë “pjekjen” e bimës, “fermerët” arrijnë në procesin e korrjes. Bima korret dhe pasi përpunohet paraprakisht, magazinohet dhe futet në hambarë të krijuar posaçërisht për këtë fazë. Më pas, edhe mund të paketohet, në mënyrë që tregtimi të jetë shumë i lehtë. Kjo periudhë bëhet në fund të muajit gusht, por edhe në fillim të muajit shtator. Periudha e fundit është shitja. Kryesisht për këtë përdoret bregu i Vlorës. Por janë dhe rrugët e Durrësit, Kapshticës drejt Greqisë, ose ato të Malit të Zi. Dhe këtu operojnë klanet, të cilat merren ekskluzivisht me transportin. Por ka dhe grupe, të cilat, veç kultivimit bëjnë dhe transportin dhe këto janë grupet e trafikantëve që fitojnë më shumë.