Nipat e Fatmir Xhafës tek 8 ton drogë drejt Italisë

Njëri nga doganierët e arrestuar në doganën e Qafë-Thanës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lejimin e kalimit të kamionit me 8 ton drogë drejt Italisë është nipi të bashkëshortes së ministrit të Brendshëm të sapo emëruar, Fatmir Xhafa. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke treguar lidhjet e Xhafës me megatrafikun e drogës që kaloi nga Qafë-Thana drejt Italisë. “Familja e xhelatit të diktaturës hoxhiste, Xhafaj e implikuar në megatrafikun e drogës!
Qytetari dixhital denoncon: Doganieri i Qafë-Thanës që lejoi kalimin e kamionit me 8000 kg kanabis është fiks nipi i familjes Xhafa. I vëllai i tij është doganier që kontrollon trafikun në Kapshticë”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Doktor Sali, droga që u sekuestrua në Itali ka gisht Fatmir Xhafa, se njëri nga doganierët e arrestuar në doganën e Qafë-Thanës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është nipi të shoqes së Fatmir Xhafës, quhet Ervin Kodra. Kurse nipi tjetër është në doganën e Kapshticës dhe quhet Luli Kodra. Edhe ky super trafikant dhe njëkohësisht janë nipërit e deputetit të Partisë Socialiste të Pogradecit, Ilir Xhangolli. Të lutem Doktor Sali publikoje”, shkruan qytetari nga Pogradeci.
Ndërkohë, katër efektivët e policisë të pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës, do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg”. Gjyqtarja e vetme e masave Miliana Muça, e cila zhvilloi seancat e verifikimit të masave të sigurisë për 4 punonjësit e policisë, vendosi të lërë në fuqi vendimin e “arrestit me burg” të marrë pak ditë më parë ndaj 4 të dyshuarve. Mësohet se policët, nuk kanë pranuar akuzat, duke hedhur dyshime për mënyrën e hetimit të çështjes nga Prokuroria për Krime të Rënda, të cilën e akuzuan për arrestime selektive.
Para gjyqtares, të dyshuarit Çlirim Pepa me detyrën e përgjegjësit të turnit në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, shtetasi Ervin Kodra, me detyrën e kontrollorit të hyrje-daljeve në këtë pikë të kalimit kufitar. Si dhe të dyshuarit Lirim Halili me detyrën e kontrollorit të pasaportës në kabinën hyrëse dhe i dyshuari Syrja Terziu me detyrën e kontrollorit fizik në hyrje, nuk pranuan akuzat. Ata pretenduan se janë të pafajshëm, duke ia hedhur fajin doganierëve të kësaj pike kufitare, të cilët nuk kanë kryer detyrën në kontrollin e mjetit me skaner dhe as kontrollin fizik.
Ndërkaq, i dyshuari Lirim Halili ka pretenduar se nuk punonte sistemi TIMS për të bërë regjistrimin e kalimit të kamionit. Ndërsa avokatët mbrojtës, hodhën poshtë pretendimet e Prokurorisë, se katër të dyshuarit janë të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.
Nga ana tjetër ndryshe mendoi prokurori, i cili i tha Gjykatës se për të 4 të arrestuarit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se janë përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, pasi me mos veprimet e tyre kanë lejuar kalimin nga Maqedonia në Shqipëri të kamionit të ngarkuar me 8 ton hashash. Kamioni, i cili në Portin e Durrësit nuk i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm, pasi doganierët në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës e kishin plumbosur rimorkion dhe vulosur atë me arsyetimin se e kishin kontrolluar. Duke lehtësuar kështu kalimin e kamionit me 8 ton hashash drejt Italisë mbrëmjen e datës 5 shkurt, ku një ditë më pas është bllokuar nga policia italiane në Ankona, ku u arrestua shoferi i kamionit të ngarkuar me drogë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardhi para tre ditësh dinamikën e trafikimit të kamionit me 8 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë më 5 shkurt të këtij viti. Përmes një komunikate, Prokuroria thotë se, kamioni ka hyrë nga Maqedonia për në Shqipëri përmes pikës së Qafë Thanës, pastaj është nisur drejt Italisë përmes Portit të Durrësit. Në të dyja pikat kufitare nuk është pikasur lënda narkotike, madje kamioni nuk është regjistruar në hyrje në Qafë-Thanë. Sasia e madhe e drogës është zbuluar nga autoritetet italiane, pasi mbërriti në Ankona.

R.POLISI

Artikulli paraprakRama emëron ish-drejtorin e ‘Top Channel’ në krye të QSUT
Artikulli tjetërAsnjë tërheqje, qeveri teknike