Maurizio Sarri i rrëmbeu pankinën e artë dhe ai sportivisht e duartrokiti, por Massimiliano Allegri pavarësisht gjithçkaje ka se me çfarë të ngushëllohet. Përveç faktit që Juventusi i tij është në garë për të fituar të 3 kompeticionet ku merr pjesë, Allegri mund të mbështetet te një sërë statistikash që e bëjnë atë trajnerin ideal të një klasifikimi special, përsa i përket teknikëve më të mirë në Europë gjatë këtij sezoni. Falë ecurisë së Juventusit në Serinë A, me bardhezinjtë që janë shumë pranë fitimit të titullit të gjashtë kampion radhazi, 49-vjeçari nga Livorno është aktualisht trajneri me mesataren më të mirë të pikëve në kampionatet më të rëndësishme europiane. Allegri lë pas emra të mëdhenj si Carlo Ancelotti, Antonio Conte, Zinedine Zidane e Luis Enrique. 2,52 është mesatarja e pikëve që ka grumbulluar Juventusi gjatë këtij sezoni në Serinë A.
Në 29 ndeshje kampionët e Italisë kanë koleksionuar 24 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje me Allegrin që lë pas të gjithë kolegët e tij në kampionatet më të rëndësishme të Europës. Ancelotti në sezonin e tij të parë me Bayern-in ka grumbulluar deri tani 2,48 pikë për ndeshje i ndjekur nga Conte me 2,46, për të vazhduar me Zidane me 2,41, Leonardo Jardim me 2,37, Unai Emery 2,27 dhe Luis Enrique 2,25 pikë për ndeshje. Falë këtyre statistikave, është pikërisht Massimiliano Allegri mbreti i trajnerëve më të mirë në Europë për momentin. Italiani 49-vjeçar pëlqehet nga shumë klube të rëndësishme europiane, por Juventusi nuk ka ndërmend ta lëshojë dhe po mendon ta blindojë Max Allegrin me një kontratë të re afatgjatë.
Ndërkohë, trajneri i Italisë, Giampiero Ventura ka treguar arsyen e vërtetë pse ka lënë jashtë skuadrës mbrojtësin Andrea Barzagli. Ky vendim ka ardhur pas disa fotografive ku lojtari shihej në orët e vona jashtë shtëpisë, por Ventura tregon se arsye për këtë ishte përleshja me gruan.
“Barzagli më ka treguar se kishte probleme me gruan në shtëpi. Kjo më ka befasuar mua. Fotot më befasuan po ashtu, por më pas mora shpjegimin e duhur”, tha Ventura gjatë konferencës për media.