Aksidentet me vdekje, Shqipëria shifra rekord në krahasim me BE-në

Shqipëria, nëse do të ishte pjesë e Bashkimit Europian, do të ishte një nga vendet në podium për shifrat më të larta për aksidentet rrugore. SCAN ka krahasuar shifrat e publikuara nga INSTAT dhe Eurostat, dhe rezulton se Shqipëria është shumë poshtë standardit të BE-së për vdekshmëritë nga fatkeqësitë rrugore. Vendet e unionit kanë një mesatare prej 50 vdekjesh për 1 milion banorë, ndërkohë në Shqipëri kjo shifër është rreth 90 vdekje për 1 milion banorë.
Numër më të lartë paraqesin vetëm Bullgaria dhe Rumania me përkatësisht 99 dhe 97 të vdekur për 1 milion banorë. Infrastruktura duket se është problemi kryesor që bëhet shkak për aksidentet, pasi shfaqet një raport i drejtë mes pasurisë së një vendi dhe numrit të fatkeqësive.
Janë vendet lindore të vetmet, të cilat kapërcejnë shifrën e 60 të vdekurve: Bullgaria, Greqia, Kroacia, Letonia, Lituania, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovenia. Edhe Shqipëria futet në trendin e vendeve të lindjes sa i takon këtij treguesi.

Një i vdekur e një i plagosur në dy aksidente në Tiranë

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Një makinë tip “Opel” me targë AA 825 PY ka aksidentuar një person që lëvizte me biçikletë në rrugën drejt Rinasit. Sipas informacioneve nga vendngjarja mësohet se si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen shtetasi që drejtonte biçikletën. Policia konfirmoi se viktima është rreth 60 vjeç teksa vijon puna për identifikimin e tij. Policia ka ndaluar drejtuesin e automjetit, ndërkohë në vendngjarje është ngritur grupi hetimor për zbardhjen e plotë të aksidentit.
Një tjetër aksident ka ndodhur po ditën e djeshme në zonën e Institutit Bujqësor në Kamëz. Një automjet tip “Range Rover” ka përplasur një burrë dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Burri, i cili dyshohet të jetë rreth 45 vjeç, ka qëndruar i shtrirë në tokë dhe me plagë të rënda në pjesën e kokës, ndërsa ambulanca nuk ka ardhur. Ai është dërguar për në spital nga kalimtarë të rastit, ndërsa sipas burimeve nuk kanë ardhur në vendngjarje as policia e as ambulanca. Autori i akisdentit është ndaluar nga policia pas një ore.

Artikulli paraprakHetuesit: 20-vjeçari italian nuk u vra nga shqiptarë
Artikulli tjetërKamerat e sigurisë tradhtuan policët e Qafë-Thanës për 8 tonelatat me drogë