Rama: Trump, turpi i civilizimit

Daljet publike të Ramës kundër Trump kanë qenë shumë herë më ekstreme edhe se deklaratat e rivales së tij të fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara. Në intervistat e dhëna për “CNN” dhe “Klan Kosova”, Rama e ka konsideruar Presidentin e ri amerikan si një fatkeqësi për Amerikën dhe një kërcënim për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president”. Kështu është shprehur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Zonën e Debatit në “Klan Kosova” disa javë pasi fushata e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara kishte nisur dhe Trump ishte nominuar si i zgjedhuri i Partisë Republikane.
Rama ka treguar se është lutur që kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mos zgjidhet në këtë post. Ai ka thënë se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA-së, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike.
Rama e ka bërë të qartë se ky nuk ka qenë mendimi i tij si një analist i pavarur, por ka folur si Kryeministër i Shqipërisë, duke rrezikuar realisht tani me qenien në krye të qeverisë marrëdhëniet me partnerin kryesor strategjik të Shqipërisë.
“Trump është një fatkeqësi për Amerikën dhe një kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Mos e dhëntë Zoti që ta zgjedhin President se ky do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Unë nuk e ndaj asnjëherë veten nga vetja sot jam edhe Kryeministër”.
Lideri global nga Surreli ka shkuar edhe më tej kur ka thënë se do të ishte i lumtur që deklaratat e tij poshtëruese ndaj Presidentit amerikan të merrnin dhenë. “Do të isha shumë i lumtur që kjo deklaratë të merrte dhenë”, tha Rama në atë intervistë për “Klan Kosova”.
Tani që Trump është zgjedhur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Rama tentoi të lëpijë atë që ka pështyrë përgjatë këtyre muajve duke dërguar një urim kortezie. Në fakt përpara se të dërgonte këtë urim, Rama bojkotoi pritjen e ambasadorit amerikan për shpalljen e fituesit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.
Ajo, të cilës Rama i frikësohet tani është një reagim akoma dhe më i ashpër nga Shtetet e Bashkuara. Asnjë kryetar qeverie i asnjë vendi nuk ka ndërmarrë një fushatë të tillë denigruese ndaj Presidentit amerikan si ka bërë me deklaratat prej të sëmuri psikik kreu i qeverisë në Shqipëri. Tani pritet reagimi dhe Rama ka arsye përse të frikësohet. “O le le fitoi Trumpi”, këto janë thirrjet që janë dëgjuar që në orët e para të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve amerikane nga Kryeministria.

Rama: Larg qoftë Trump!

– CNN: Kryeministri i Shqipërisë thotë se zgjedhja e mundshme si president e kandidatit që kryeson garën e republikanëve do të dëmtonte marrëdhëniet amerikane me këtë vend. Pyes Edi Ramën se përse e tha këtë dhe se çfarë nënkupton ekzaktësisht?
Rama: SHBA është “një qytet i shndritshëm mbi një kodër” për ne, por perspektivat që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë shqetësuese dhe po cenojnë realisht atë çka SHBA është në sytë tanë.

– CNN: Ju jeni në dijeni, pa dyshim, që kortezia diplomatike zakonisht nënkupton që liderat e huaj nuk komentojnë mbi zgjedhjet në vende të tjera, por duket qartë se ju keni vendosur që kjo çështje është aq e rëndësishme saqë e tejkalon këtë protokoll…
Rama: Nuk komentova mbi zgjedhjet. Unë thjesht thashë diçka që kuptoj, pastaj nuk jam as i pari dhe as i vetmi që e thotë. Udhëheqës të tjerë në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime, pasi SHBA-të janë vend lider dhe shumë të rëndësishme për t’i përkitur vetëm vetes së tyre. SHBA është në sytë tanë një lider botëror, që ne e ndjekim si një shembull vërtet frymëzues dhe ky shembull frymëzues është ngritur mbi vlera dhe parime për të cilat Amerika ka luftuar dhe që e kanë bërë Amerikën të madhe.

CNN: Nëse do të ndodhë që Donald Trump të fitojë emërimin e Partisë Republikane, atëherë do të bëhet shumë më e ndërlikuar për të gjithë ata që kanë shprehur këtë frikë?
Rama: Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.

Këshilltari i Trump: Rama, i korruptuar

Deklaratat e Ramës kundër Presidentit amerikan, Donald Trump i ngjajnë betejës së Don Kishotit me mullinjtë e erës. Ai ndërhyri në momentet e nxehta të fushatës elektoral duke ofenduar Trump dhe duke e konsideruar atë si “turpin e civilizimit”, ndërsa përgjigjen e ka marrë dhe mesazhet kanë qenë të menjëhershme dhe zyrtare nga këshilltarët e Trump. “Është i korruptuar”, është shprehur ish–zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, një nga këshilltarët e afërt të Presidentit të SHBA, Trump. Deklarata e këshilltarit të Trump ka qenë edhe më e fortë kur ka kërkuar që të ndalohej të fuste hundët në politikën amerikane.
Rama në fakt s’zuri mend nga deklarata e këshilltarit të Trump. Ai vazhdoi të përsëriste ofendimet ndaj Presidentit Trump. Tani duket se është radha e Trump që t’i kujtojë Ramës se çfarë do të thotë të jesh lider global.
Duke komentuar deklaratat e Ramës kundër Donald Trump, ish–zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, në një intervistë për emisionin “Fox Business”, në kanalin prestigjioz “Fox News”, tha në muajin prill të vitit të kaluar se kritikat vijnë nga një Kryeministër i lidhur me korrupsionin dhe që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. Ish–zyrtari amerikan theksoi se komentet e Ramës ndaj Trump vijnë për shkak të lidhjeve të ngushta që ai ka me George Soros. Dhe ai theksoi se këto komente kritike ndaj Trump vijnë nga një Kryeministër i lidhur me korrupsionin, që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. “E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderëve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”, theksonte ish-zëdhënësi i Pentagonit. Kjo është hera e parë në histori që emri i një Kryeministri shqiptar përmendet në një televizion prestigjioz në SHBA si i lidhur me korrupsionin. Dhe këto akuza të drejtpërdrejta ndaj Ramës vijnë vetëm pak ditë, pasi Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut, theksonte se korrupsioni është i përhapur në çdo degë të qeverisjes. Kryeministri Rama është prej kohësh në qendër të akuzave të opozitës për afera korruptive. Kundërshtarët e tij politikë e lidhin emrin e Ramës me disa koncesione prej qindra miliona eurosh, kryesisht në shëndetësi e punë publike. Në raportet konfidenciale të ndërkombëtarëve, Edi Rama figuron si një njeri me pasuri të dyshimtë. Raporti konfidencial i OSBE, i tetorit të vitit 2014, fliste për një pasuri prej 200 milionë eurosh që Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka në kompani offshore dhe që menaxhohet nga vëllai i tij, Olsi Rama. Por deklaratat e ish–zëdhënësit të Pentagonit mbeten akuzat e para publike që vijnë nga ndërkombëtarët për kreun e qeverisë.

Artikulli paraprakMediat Fake News të Ramës
Artikulli tjetërFaqja e pare