Strakosha bëhet temë dite te Lacio

Pas pak ditësh luhet një nga ndeshjet më të ndezura të Italisë, derbi i kryeqytetit mes Lacios dhe Romës, në Kupën e Italisë. Dy palët kanë filluar thumbimet në rrjetet sociale dhe protagonisti i ditës së sotme ka qenë Thomas Strakosha dhe paraqitja e tij këtë javë me Kombëtaren shqiptare.
Portieri i talentuar ka regjistruar një koincidencë shumë të çuditshme në sfidat kundër Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku ka pësuar gol në secilën sfidë. Si për ironi të fatit, goli i parë i është shënuar me penallti nga një lojtar i Romës (De Rosi dhe Xheko), ndërsa më pas ka pësuar edhe golin e dytë me aksion nga një futbollist i Lacios (Imobile dhe Luliç).
Tifozëve lacialë u është dukur një koincidencë mjaft e çuditshme kjo e të dy ndeshjeve, ndërsa nuk kanë ngurruar të thumbojnë romanistët për mënyrën se si kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.
“Rigore paa Riomma (penallti për Romën)” ka qenë fraza më përdorur në rrjetet sociale, ku tifozët e Lacios e kanë cilësuar këtë një “nxemje” të romanistëve përballë portierit shqiptar të Lacios për derbin. “Ata me penallti, ne me aksion. Një skenë e parë”, ishte një tjetër koment i shpeshtë në rrjetet sociale, ku kujtohej se penalltia ishte një nga mënyrat më të zakonshme me të cilën Roma ka shënuar në derbi në vitet e fundit.

Artikulli paraprakItalia thellon krizën e Holandës
Artikulli tjetërDo ishim shumë të fortë! Roshi më pëlqeu