Policia fiku kamerat pas vrasjeve të deputetit të PS

Kamerat e komisariatit të Laçit ishin të fikura në momentin që deputeti i PS, Armando Prenga plagosi me pistoletë dy vëllezërit Cali. “Dikush në komisariat kishte hequr spinën e pajisjeve regjistruese”, deklaroi para trupit gjykues në Gjykatën e Lartë Rasim Breçaj, personi përgjegjës për kamerat e sigurisë në Komisariatin e Laçit.
Breçaj tha se kamerat e komisariatit, në momentin kur ndodhi përplasja me armë, ishin të fikura dhe askush nuk e kishte njoftuar për këtë. Ai tha se, kur kishte pyetur policët pse ishin të fikura kamerat, ata i kishin thënë se nuk punojnë, por vetë ai ka konstatuar se ishte hequr priza dhe jo të prishura. “Unë jam vënë në dijeni 5 ditë pas ngjarjes dhe pas verifikimit vura re që sistemi nuk ishte prishur, por i ishte hequr spina”, tha Breçaj.
Dëshmitari ka treguar më tej se, Komisariati ka tre kamera, dy në pjesën e pasme dhe një në pjesën e portës hyrëse. Ato, sipas tij, janë të teknologjisë bardh e zi janë instaluar në vitin 2000 dhe regjistrojnë me një kasetë, e cila çdo muaj zëvendësohet me 960 orë filmime, dhe më pas ruhet në arkiv. Breçaj tha se askush nuk e kishte njoftuar nga salla operative Kurbin se kamerat nuk punonin.
Në seancën gjyqësore ndaj Armando Prengës ka dëshmuar dje edhe efektivi i sallës operative, Bujar Hadëraj. Ai ka treguar se Gjok Cali kishte telefonuar rreth orës 23:40 ku i kishte thënë se deputeti Aramando Prenga e kishte goditur me qytën e pistoletës. Sipas dëshmitarit, Cali ishte shoqëruar për t’u marrë në pyetje në komisariat dhe në atë moment jashtë ishin dëgjuar të shtëna armësh. “Cali u soll në komisariat, më pas u dëgjuan të shtëna. Cali ishte në zyrën time, kur u dëgjuan të shtënat”, tha efektivi.
Seanca e radhës për çështjen “Prenga” do të zhvillohet në 16 maj ku do të dëshmojnë efektivët e tjerë. Deri tani shefat e komisariatit dhe efektivët e policisë kanë dëshmuar në favor të deputetit socialist Armando Prenga. Ai është i lirë, ndërkohë që personat që mbetën të plagosur mbahen të izoluar në qeli.
Ngjarja për të cilën akuzohet deputeti i PS ndodhi më 4 shtator të vitit të kaluar në ambientet e Komisariatit të Kurbinit, ku dy vëllezërit Cali kishin shkuar për të paditur Prengën për plagosje dhe kërcënim me armë në Lagunën e Patokut. Ndërsa dy vëllezërit Cali ndodheshin në Komisariat për të bërë denoncimin, Prenga ka hyrë aty dhe ka plagosur me pistoletën pa leje, dy peshkatarët e familjes Cali dhe ka kanosur pjesëtarët e tjerë të familjes.
Sipas dëshmitarëve, Nikoll Cali dhe vëllai i tij, Gjon Cali thanë se, policët i kishin prerë në besë, pasi u plagosën në Komisariat nga deputeti Prenga. Kjo sepse plagosja ndodhi në praninë e policisë.
Sipas akuzës, deputeti i pandehur Prenga është konfliktuar me peshkatarët e familjes Cali për licencën e peshkimit, që më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Prokurorët thanë se ka qenë deputeti Prenga që ka nisur konfliktin me një nga të rinjtë e familjes Cali në Lagunën e Patokut.

R.POLISI

Artikulli paraprakMilionat e konçesioneve, thirret në Prokurori zëvendësi i Ilir Beqjes
Artikulli tjetërDenoncim për ortakët e rinj të Shullazit për karburantin