Pioli: Dua të qëndroj

Stefano Pioli largon fantazmat që e lidhin stolin e Interit me dy emra të rëndësishëm si Diego Simeone dhe Antonio Conte. Trajneri italian, i cili ka një kontratë deri në vitin 2018-të me skuadrën zikaltër është i sigurtë se do të jetë ai në krye të Interit edhe sezonin e ardhshëm. Pioli në një intervistë e la të kuptohet diçka të tillë duke theksuar: “Mendoj se e kam merituar këtë mundësi dhe ajo që duhet të bëj është vetëm të punoj. Nuk jam i shqetësuar për të ardhmen time, madje ndihem shumë mirë. Do të jenë rezultatet që do të vendosin, por unë po i luaj shanset e mia në mënyrën më të mirë të mundshme”, nënvizoi fillimisht ish-trajneri i Lazios.
Pioli u ul në stolin e Interit në një moment shumë të vështirë, por falë punës së 51-vjeçarit skuadra ka rigjetur qetësinë dhe mbi të gjitha rezultatet. Objektivi për t’u kualifikuar në Champions League është shumë i vështirë, por Pioli mendon se deri tani e ka realizuar më së miri misionin e tij. “Rruga jonë nuk ka përfunduar ende. Kur erdha këtu kisha disa objektiva. Të transmetoja pasion, t’i jepja një tjetër fytyrë skuadrës përsa i përket aspektit të lojës, kam punuar për të vendosur të gjithë futbollistët në shinat e duhura si në fushën e lojës ashtu edhe jashtë saj. Mund të përmirësohemi akoma, por diçka të mirë deri tani e kemi bërë. Na mungon vetëbesimi për të rivalizuar fort me 3 skuadrat që renditen të parat, por ai do të vijë me punë të vazhdueshme dhe rezultate. Klasifikimi që nga momenti që unë jam këtu thotë që kemi grumbulluar vetëm 5 pikë më pak se Juventusi, deklaroi në fund Stefano Pioli.
Ndërkohë, Mauro Icardi i premton dashuri të përjetshme Interit. Sulmuesi argjentinas është i lumtur te skuadra zikaltër dhe si kapiten dëshiron të luajë me Interin edhe në Uefa Champions League. 24-vjeçari i ka të qarta idetë, dëshiron të çojë Interin aty ku e meriton. Icardi beson ende te kualifikimi në Champions për sezonin e ardhshëm edhe pse diferenca mes skuadrës së Piolit dhe Napolit për momentin në renditje është 8 pikë. Maurito, i cili është autori i 20 golave në këtë sezon të Serisë A nuk i humbet shpresat. “Dua të luaj në Champions me këtë skuadër dhe kur të jemi aty shpresoj të jemi gati për të përballuar me sukses çdo sfidë. Objektivi im është të luaj në nivelet më të larta me Interin”, deklaron Icardi në një intervistë.
Më pas, sulmuesi argjentinas u ndal te pronarët e rinj të klubit, kinezët e Suning Group. “Ata synojnë ta rikthejnë skuadrën në atë pikë që ishte përpara disa vitesh për të fituar sërish shumë trofe, janë ambiciozë dhe besoj se do t’ia arrijnë. Kjo na jep besim edhe ne futbollistëve, besoj se çdo vit do të afrojnë në skuadër të tjerë lojtarë cilësorë për t’u rritur gjithnjë e më shumë”, thekson 24-vjeçari. Në fund edhe premtimi i Mauritos për tifozët zikaltër: “Jam tifoz i Interit dhe dua të qëndroj këtu gjithmonë, e shoh veten shumë mirë me këtë fanellë, jam kapiteni i kësaj skuadre të madhe dhe dëshira ime është të kem një karrierë të gjatë te Interi”.

Artikulli paraprakStrakosha, titullar në javën vendimtare
Artikulli tjetërUnited po mendon për Lukaku