Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar dy denoncime të qytetarëve nga Vlora që flasin për më shumë se 40 të zhdukur në det për drogën dhe për trafikun e lëndëve narkotike që bëhet drejt Italisë nga anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Sipas këtyre denoncimeve që Berisha ka postuar në Facebook, policia fsheh rastet e njerëzve të zhdukur në det, ndërsa mbron trafikantët e drogës. Denoncuesit, të cilët i janë drejtuar me mesazhe ish-Kryeministrit Berisha flasin me emra dhe me shifra rreth asaj çfarë ndodh në det me trafikun e drogës drejt Italisë.
“Çunat e krimit heshtin për të mbyturit me skafe! Qytetarët dixhitalë denoncojnë: Fshehjen kriminale nga policia të dhjetëra djemve të mbytur në det me skafet e trafikut të kanabisit! Lexoni vetë mesazhet e qytetarëve dixhitalë!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha! Keni bërë gjënë më të mirë, duke denoncuar se ç’po ndodh në Vlorë. Janë të paktën 40 të mbytur, të humbur, sepse po dëgjojmë njerëzit dhe të njohurit nuk duken më… Shteti nuk flet… Rama na krahason me emigrimin e italianëve në Amerikë… Qesharake. Mirë vetë ka rrjedhur, por na merr dhe ne për më të rrjedhur se vetja e tij! Në Vlorë, Roland Shyti, nipi i Hajredin Shytit nis të paktën tre-katër gomone në natë drejt brigjeve… Dhe shteti asgjë! Jo vetëm kaq, por e mbrojnë. Të mbrohet një terrorrist që i ka bërë të 99 shtetit, individëve?!… Dhe kryeministri të na krahasojë me Italinë. Kjo është nuk di si t’ia vesh emrin! Zoti na dhëntë fuqi kundër të keqes”, shkruan qytetari nga Vlora.
“I nderuar Doktor Berisha! Uroj të jeni mirë Ju dhe familja Juaj! Doja të ndaja me Ju një informacion të sigurtë e konfidencial. Policia e Shtetit po mban të fshehtë një skandal, duke mos deklaruar numrin e të humburve nga muaji dhjetor e deri më sot, të cilët kanë humbur jetën në det në tentativë të trafikimit të kanabisit. Kjo është mundësia që Rama u ofroi shqiptarëve, kanabisin dhe vdekjen vetëm e vetëm për të pasuruar oborrtarët e tij me 30% që u merrnin trafikantëve. Lekë që do të sponsorizojnë fushatën e 2017. Është e thjeshtë, vetëm sasinë e kanabisit që është kapur të llogarisim 30%, e kuptoni sa lekë do hidhen Doktor, pa llogaritur sasinë e pakapur. Dhe sasia që kapet, doktor, shitet sërisht nga drejtorët e Policisë së Shtetit. Ndaj nuk ka asnjë proces verbal dhe Prokuroria nuk njoftohet të jetë prezent kur “gjoja e asgjësojnë”. Situata është më alarmante nga ç’duket Doktor. Me konsideratë”, shkruan qytetari tjetër.
Një ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari nga Vlora, i cili shkruante për lidhjet e Ramës dhe Saimir Tahirit me anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”. Qytetari shkruante se, ka denoncuar personalisht Roland Shytin në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, por ata e kanë nxjerrë nga Drejtoria, duke i thënë se varen nga Rama dhe Tahiri. Në një postimin e tij në Facebook, Berisha shkruan se, Rama do të fusë në Parlament anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”!
“Qytetari dixhital denoncon: Lidhjet direkte të Edvin Shullazit dhe Saje qorrit me kriminelët e “Hakmarrjes për Drejtësi”! Mbrojtjen e tyre me urdhër të Ramës nga supertrafikanti, drejtori i Policisë së Vlorës!”, shkruante Berisha, duke publikuar mesazhin e qytetarit nga Vlora. “Kam denoncuar personalisht Roland Shytin në Drejtorinë e Vlorës dhe më kanë nxjerrë nga drejtoria, duke më thënë se varen nga Rama dhe Tahiri. I kam të regjistruara të gjitha”, shkruante qytetari nga Vlora.
R.POLISI