Droga e kapur në Triport-Zvërnec para tre ditësh ishte e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela. Denoncimi është bërë nga një oficer i policisë së Komisariatit të Vlorës, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Sali Berisha. Oficeri i policisë jep emra konkretë të zyrtarëve të policisë që organizojnë trafikun e drogës në Jug të vendit drejt Italisë.
Oficeri shkruan në mesazhin drejtuar Berishës se, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë nuk ka lajmëruar shefin e Komisariatit të Policisë, ndërsa ky i fundit gjatë operacionit ka kapur ngarkesën e drogës si dhe shefin e Krimit të Organizuar në këtë Drejtori që bënte organizimin e trafikut, por më pas personat përgjegjës janë lënë të lirë. Oficeri i Policisë njofton Berishën se, përplasja mes drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela dhe shefit të Komisariatit, Behar Caka është shumë e fortë.
Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, trafikun e drogës e bën qeveria! “Oficeri dixhital informon: – Droga e kapur në Triport-Zvërnec tre ditë më parë ishte e Jaert Çelës, drejtorit të Policisë së Vlorës. Lexoni më poshtë mesazhin e oficerit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor! Jam oficer në Komisariatin e Policisë Vlorë. Disa ditë më parë, Policia e Shtetit (Policia vendore Vlorë) ka kapur në zonën e Triport-Zvërnec në një furgon 52 paketime me mbështjellje plastike dhe 10 çanta sportive me hashash si dhe një “Fuoristradë” që transportonte një gomone me 3 motora, e cila do të shërbente për transportin e ngarkesës.
Theksohet se ngarkesa ka qenë e Jaert Çelës, drejtorit të Policisë të Qarkut Vlorë dhe organizimin e saj e bënte në terren Gjergj Koila, shefi i Krimit të Organizuar në këtë Drejtori. Ngarkesa e këtij transporti ka qenë e mirëorganizuar dhe me dijeni të plotë të strukturave vendore të SHKB-së dhe konkretisht të drejtorit të SHKB-së Vendore, Endri Mema, lidhje e Arben Skëndos.
Kapja e kësaj ngarkese është bërë fare rastësisht nga ana e strukturave të Komisaritit të Policisë Vlorë dhe konkretisht nga shefi i këtij komisariati, Behar Caka. Ky i fundit nuk ka pasur dijeni lidhur me këtë ngarkesë, pasi drejtori i Vlorës, Jaert Çela, ka kërkuar nga shefi i Krimit të Organizuar të Policisë Vlorë, Gjergj Koila të përjashtonte shefin e Komisariatit, Behar Caka, duke bërë një pagesë tek SHKB Vendore e Vlorës për të qenë të sigurtë për çdo eventualitet.
Theksohet se personat që do të bënin transportin janë kapur, por pas marrjes dijeni të shërbimeve të Policisë se cilit i përkiste kjo si ngarkesë, janë lënë të lirë të ikin, duke proçeduar më tej sikur trafikuesit janë larguar përpara se të konstatoheshin nga Policia e Shtetit. Mes drejtorit Jaert Çela dhe Shefit të Komisariatit, Behar Caka, ka nisur një debat, i cili ka degraduar rëndë…”, shkruan oficeri i Policisë së Komisariatit të Vlorës.
Trafiku i drogës drejt Italisë është rritur frikshëm pas emërimit të Besmir Qibinit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës. Sipas statistikave, në dy muajt e parë të këtij viti pasi njeriu i Tahirit u vu në krye të Policisë Kufitare të Vlorës drejt Italisë futur plot 25 tonë drogë nga brigjet shqiptare.
Ministrat e Brendshëm u ndryshuan, por trafiku i drogës ka marrë një impuls të ri. Ministri ende vazhdon të heshtë për 2.2 tonelatat e drogës që kaluan nga Porti i Durrësit drejt Ankonës. Vlora është porta tjetër nën kontrollin e kartelit të “Hakmarrjes për Drejtësi” që kontrollon Xhafën dhe që po thyen të gjitha rekordet në transportin e drogës
Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. Vetëm në Pulia, Guardia di Finanza ka sekuestruar 15 ton hashash në tre muajt e parë të vitit 2017. Ndërsa në Ankona janë kapur rreth 20 ton kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Ajo që e bën të frikshme këtë shifër është fakti, se trafiku i drogës nga Shqipëria po rritet në mënyrë drastike këto kohët e fundit. Pikërisht për këto arsye, për rritjen e trafikut të drogës ka nisur dhe është në vazhdim një hetim që po bëhet nga Guardia di Financa në Marittima, hetim që ka përfshirë edhe Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme në Itali.
R.POLISI