Kryetari i opozitës deklaroi dje nga sheshi i protestës qytetare se vendimi i marrë më 18 shkurt është një vendim, i cili nuk ka kthim pas, ndërsa i pyetur në lidhje me darkën e Ramës me Metën, Basha dha vetëm një përgjigje të shkurtër dhe të prerë. “Peshku është qelbur nga koka dhe komentet mbi këtë darkë i përkasin tregtarëve të peshkut”.
Basha ka deklaruar se me paratë e narkomafies së Tiranës blihen lobingje për t’u ardhur në ndihmë krimit të organizuar.
“Republika e vjetër, nga maja e kokës deri te thembra e këmbës është sot banka e krimit, e cila prodhon qindra milionë euro për Edi Ramën, për pushtetarët e korruptuar për një grusht oligarkësh dhe kriminelësh që i mbajnë në pushtet.
Me këto para, paguhen lobingje të ndyra, të pista. Me paratë e narkomafias shqiptare, me paratë e korrupsionit qeveritar blihet fjala e lobingjeve në Europë dhe në Amerikë, për t’i ardhur në ndihmë lavatriçes së krimit të organizuar, republikës së vjetër të krimit.
Mos harroni, kjo është një qeveri kriminelësh që do të bëjë gjithçka për të mbajtur pasurinë dhe pushtetin që ka së bashku me krimin. E vetmja garanci për fitoren në këtë betejë epike, historike, por edhe jetike për gjithsecilin prej jush, për çdo qytetar shqiptar që nuk i përket kësaj duzine pushtetarësh të korruptuar dhe kriminelësh, e vetmja garanci, është bashkimi dhe qëndresa jonë deri në fitore”, tha Basha.
Shqiptarët të bashkuar në revoltën popullore
Emigracioni, largimi i shqiptarëve, rënia ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, janë dramat e përditshme të shqiptarëve sot. Nga veriu në jug të vendit, gjithë shqiptarët janë bashkuar sot me kauzën e opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Basha tha se sot taksat e larta, çmimet e larta në faturën e energjisë, ujit, mallrave të konsumit, papunësia po bëjnë të pamundur jetën e çdo qytetari, duke i vendosur ata përballë luftës për mbijetesë.
“Çdo ditë është e rëndësishme dhe e domosdoshme sikur jo thjesht për njëri-tjetrin, po për qindra mijëra shqiptarë që na ndjekin çdo minutë, të kujtojmë arsyet e thella që e sollën Shqipërinë këtu, arsyet e vërteta të këtij vendimi të madh e të paprecedent.
Sot nga ky shesh, qytetarë të ndryshëm, banorë të trevave të ndryshme kanë folur për hallet e përditshmërisë së tyre. Secili gjen veten e vet në një pjesë të rrëfimit dhe të shqetësimeve që u dëgjuan sot këtu.
Shqiptarët janë të bashkuar në më shumë se gjithçka tjetër, në peshën e madhe të halleve që i kanë zënë.
Kjo nuk do të thotë se ne vijmë këtu me naivitetin apo me euforinë se gjithçka ishte parajsë para tre vitesh e gjysmë. Absolutisht jo! Por pyetjet më thelbësore, më esenciale, më të thjeshta që i drejtojmë njëri-tjetrit apo vetes tonë, marrin të njëjtën përgjigje.
A keni sot, a keni sot, fuqi blerëse më të lartë se para tre vitesh e gjysmë?
A paguani sot më pak taksa se para tre vitesh e gjysmë?
A e paguani energjinë elektrike më lirë se para tre vitesh e gjysmë?
A e paguani faturën e ujit më të vogël se para tre vitesh e gjysmë?
A keni shanse më të mëdha ju, të afërmit tuaj, fëmijët tuaj për punësim se para tre vitesh e gjysmë?”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se sot për shkak të pamundësive, varfërisë dhe papunësisë shqiptarët kanë mbushur me kërkesa me azil Europën duke lënë Shqipërinë e duke kërkuar mundësi në vendet e BE.
“Por këta thonë që kanë hapur 195 mijë vende pune. I bie 200 vende pune të reja çdo ditë.
200 vende të reja pune çdo ditë që kur kanë marrë pushtetin, këtë po iu thotë shqiptarëve. Por në fakt, këto 200 mijë vende, janë 200 mijë familjarë, bashkatdhetarë, bashkëqytetarë tanët që janë sot që kanë ikur në emigracion për shkak të kësaj qeverie.
Kjo është një statistikë europiane. Nuk është një shifër e Partisë Demokratike, por është një shifër e Bashkimit Europian. Por nuk është shifër.
200 mijë shqiptarë të larguar nga shtëpitë e tyre janë 200 mijë fate njerëzish, janë 200 mijë drama, që flasin më shumë dhe më mirë se çdo politikan e çdo gazetar. Janë produkti i drejtpërdrejtë i një Shqipërie të varfëruar, një Shqipërie të shpunësuar, një Shqipërie të përballur me padrejtësinë dhe me arrogancën e një pushteti të pashpirt dhe çnjerëzor deri në palcë. Emigracioni, largimi i shqiptarëve, rënia ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, janë dramat e përditshme në Tiranë, Durrës, në Elbasan, në Shkodër në Vlorë, në Korcë, Fier, Lushnjë e anembanë Shqipërisë”, u shpreh kreu i PD.
Rama do të humbasë gjithçka
Me shifra dhe fakte konkrete, Basha solli dje realitetin e hidhur se si janë shpërdoruar e vjedhur qindra milionë euro në projekte të stisura qëllimisht për të zhvatur paratë e shqiptarëve në vend që të investoheshin për projekte që do të ndikonin në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, cilësisë së jetesës, hapjes së vendeve të reja të punës etj.
Basha solli në vëmendje shkatërrimin e sistemit shëndetësor, sistemit arsimor, rritjen me 50% të faturave të çmimit të energjisë, si dhe forcimin e rolit të drogës dhe krimit në kupolën e qeverisjes. Basha tha se të dhënat tronditëse mbi lidhjet e fuqishme të krimit dhe drogës me qeverinë kanë bërë që sot shqiptarët të jenë në prag të rrezikut për rikthimin e vizave me vendet anëtare të BE.
“Në një fakt kishin të drejtë dje: edhe të djathtë edhe të majtë po trajtohen njëlloj nga kjo qeveri. Të gjithë po humbin me Edi Ramën dhe çetën e tij të korruptuar e kriminale në pushtet. E vërtetë është që kanë bërë shumë në këto katër vite.
Kanë mbyllur mesatarisht 27 mijë biznese vit për vit. Kanë rritur mesatarisht me 30% deri në 50% faturat e energjisë për qytetarët anembanë vendit. Kanë shpenzuar një miliard e 200 milionë euro për shëndetësinë falas, që sot është në gjendje më të mjerë se çe gjetën, është shëndetësia më e varfër, më e korruptuar, më e pashpirt për qytetarët shqiptarë.
Kanë dyfishuar tarifat e studimit për studentët në universitetet publike. Kanë bërë shumë, sepse kanë mbushur Shqipërinë me drogë dhe me krim, nga Vermoshi në Konispol.
Kanë bërë shumë, sepse e gjetën në trajektoren e futjes së vendit në BE dhe sot rrezikojnë dhe rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë, për shkak të aleancës së krimit me politikën që e ka kthyer vendin në delen e zezë të Europës. Kemi bërë shumë thotë, por shumë mundet të humbasim”, tha Basha.
Kreu i PD tha në mënyrë të prerë se menjëherë pas largimit të Ramës nga pushteti, ai do të humbasë gjithçka, përfshirë këtu pasurinë e ngritur prej qindra milionë eurosh e të fshehur nëpër ishuj e banka offshore. Gjithashtu, Basha paralajmëroi edhe fundin e pasurimit të grupit të oligarkëve pranë Ramës, të cilët kanë zhvatur miliona euro nga tendera e projekte të dhëna me firmën e vulën e vetë Ramës e ministrave të tij.
“E keni dëgjuar, se e përsërisnin. E përsërisnin si automat, si robot.
I nxirrnin njëri pas tjetrit: Kemi bërë shumë thonë, por shumë mund të humbasim. Kush do të humbasë? Kush do të humbasë, nëse Edi Rama nuk e mban pushtetin dhe aleancën e tij me krimin?
I pari që do të humbasë është krimi i organizuar shqiptar dhe kriminelët në Parlament dhe kryetarë bashkish. Do të humbasin ministrat e korruptuar me në krye kryeministrin, i cili është akuzuar se zotëron një pasuri qindra milionë eurosh në banka offshore.
Do të humbasë Vilma Nushi, Pandi Carapuli dhe një grusht oligarkësh që po i pijnë gjakun popullit duke marrë dhe fituar të gjithë tenderat, të gjithë koncesionet, të gjitha pasuritë e shqiptarëve.
Këta do të humbasin dhe humbasin shumë. Sepse paratë e tyre, që në fakt janë paratë e shqiptarëve, do t’i kthehen shumicës, do t’i kthehen qytetarëve shqiptarë. Prandaj këtu jam dakord me Edi Ramën. Do të humbasësh jo shumë, por do të humbasësh gjithçka në Republikën e re”, tha Basha.
Kjo betejë nuk vendoset nga kompromiset me krimin
Partia Demokratike, koalicioni opozitar dhe populli shqiptar do të vijojnë qëndresën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme deri në shndërrimin e kësaj kauze në realitet. Kryetari Basha tha se opozita nuk do të lejojë Shqipërinë, një republikë droge, por se do të vijojë betejën e saj deri në krijimin e një republike të re që do t’i sjellë vendit zhvillim dhe prosperitet dhe mbi të gjitha do të kthejë pushtetin në duart e qytetarëve. Ai tha se opozita nuk do të tërhiqet për asnjë moment nga beteja, ndërsa garantoi se kjo betejë do të vendoset jo nga kompromisi për të ruajtur favoret e pushtetin e krimit, por nga vendosmëria për t’i ofruar vendit vlerat europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Me shpifje, me mashtrime, me presione do të bëjnë gjithçka për tërheqjen tonë, për tërheqjen e Partisë Demokratike, për tërheqjen e Lulzim Bashës, për tërheqjen e opozitës nga kjo betejë.
Por unë dua të garantoj sot përsëri, çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, që mund të ndahemi në pikëpamjet tona politike apo në rrugëzgjidhjet politike, por na bashkon vullneti për të pastruar Shqipërinë nga krimi dhe për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një republikë droge.
Dua t’i garantoj sot me vetëdije të plotë, se këtë betejë e ndërmarr me gëzimin dhe vendosmërinë më totale, sepse e di që nuk është për mua, nuk është për karrigen time, nuk është për Partinë Demokratike, por është për fatin e çdo shqiptareje dhe shqiptari të ndershëm.
Ndaj ju them se çdo ditë që kalon jam dhe jemi më të fortë, më të vendosur. Se nga kjo betejë nuk tërhiqem pa përmbushur premtimin që para jush dhashë, pa i shkuar deri në fund vendimit që së bashku morëm: zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri teknike dhe vetëm votë të lirë dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë.
Ky është fillimi i një beteje që do të ndërtojë republikën e qytetarëve dhe jo të politikanëve. Kjo bëhet jo vetëm për ju dhe fëmijët tuaj, por për brezat që do të vijnë.
Kjo betejë do të vendoset jo nga kompromisi për të ruajtur favoret e pushtetin e krimit, por nga vendosmëria totale për të mos u tërhequr derisa të sigurojmë, asgjë më pak se standardin europian për zgjedhjet shqiptare”, u shpreh Basha.
Kreu i PD foli për mundësitë që do t’u ofrohen qytetarëve përmes ndërtimit të republikës së re, në krijimin e një ekonomie të fortë, hapje vendesh pune, rritjen e pagave e pensioneve, ngritjen e shëndetësisë në nivelin e shërbimit të qytetarëve dhe zhdukjen e përfitimeve dhe abuzimeve të fondeve publike përmes oligarkëve të lidhur me pushtetin.
“Sepse vetëm me standardin europian për zgjedhjet shqiptare mund të fillojmë të ndërtojmë standardin europian të jetës për shqiptarët. Asgjë nuk ka për të ndryshuar, asnjë vend i ri pune nuk ka për t’u hapur, asnjë çmim nuk ka për t’u ulur, asnjë taksë nuk do të lehtësohet, asnjë shërbim nuk do të përmirësohet, as pensionet nuk do të ngrihen, as rrogat nuk do të ngrihen, për sa sa kohë që krimi dikton politikën.
Ndaj kjo është beteja e betejave, për të shkëputur lidhjen e politikës me krimin, në mënyrë që së bashku t’i kthejmë qytetarëve pushtetin politik dhe përmes pushtetit politik, pushtetin ekonomik.
Mundësi, për një ekonomi të fortë, një të nesërme të sigurtë, me vende pune për rininë dhe të papunët. Me pensione dinjitoze për pensionistët, me shëndetësi që i shërben pacientëve dhe jo oligarkëve të korruptuar dhe xhepave të tyre, me një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe kriminelët.
Kjo mund dhe do të vijë. Kjo ëndërr do të bëhet realitet! Sepse ne do ta fitojmë këtë betejë për Shqipërinë, për shqiptarët, për demokracinë, për Europën, për Amerikën”, tha Basha.