Skandal në futbollin spanjoll

Thellohet skandali i manipulimeve në futbollin spanjoll. Policia spanjolle ka bërë të ditur se ka arrestuar trajnerin e skuadrës së Eldense, e cila u mund 12-0 nga Barcelona B të shtunën. Italiani Filipo di Pierro, u arrestua pas dyshimeve për korrupsion në favor të basteve sportive. Ai akuzohet se nuk ka hedhur në fushë ekipin më të mirë dhe u ka ofruar lojtarëve shuma parash për të toleruar në këtë ndeshje, gjithçka në favor të basteve sportive.
Ndërkohë, mbrojtësi Emanuel Mendi deklaroi se zëvendëstrajneri Fran Ruiz i kishte kërkuar të merrte pjesë. “Më pyeti nëse isha dakord dhe sa para kërkoja, ndërsa nëse nuk do të bëhesha pjesë, nuk do të luaja. Fran m’i tha këto, pasi trajneri nuk e flet shumë mirë spanjishten”, deklaroi mbrojtësi për “Cadena Ser”.
Çuditërisht, Ruiz pranoi gjithçka duke folur pikërisht për “Cadena Ser”, ndonëse shtoi se kishte vepruar me urdhra nga lart dhe kishte dhënë dorëheqjen pas ndeshjes. “Në parim, urdhrat erdhën nga lart, nga trajneri. Nuk dija çfarë të bëja, isha vënë mes dy zjarresh. Nuk thashë asgjë gjatë ndeshjes në pankinë, nuk bëra asnjë zëvendësim dhe nuk nxora asnjë lojtar në nxemje. Më pas dhashë menjëherë dorëheqjen”, tha ai.
Humbja në fjalë solli vendimin e klubit për të shkrirë ekipin deri në fund të sezonit, kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje për t’u luajtur. Pjesë e grupit të lojtarëve që kanë mbetur mes katër rrugëve është edhe ish-portieri i Kombëtares U-19, Alesio Abibi, i cili duhet theksuar se nuk ishte protagonist në ndeshjen në fjalë. Në vijim është videoja e ndeshjes së shumëpërfolur, ku se me sa lehtësi është arritur rezultati 12-0.

Klubi vendos të shkrihet: Hetoni bastet për ne!

Pas akuzave se humbja 12-0 ndaj Barcelonës B ishte e trukuar, klubi nuk ka pritur më që të shihet rezultati i hetimit. Në një komunikatë për shtyp, ata kanë njoftuar se tërhiqen në mënyrë të menjëhershme nga kampionati dhe se institucionet e futbollit duhet të nisin një hetim mbi bastet.

“Në një situatë kaq të vështirë për klubin tonë, kemi vendosur që të mos marrim pjesë në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Humbja 12-0 ndaj Barcelonës B ishte e patolerueshme si në aspektin e rezultatit sportiv, ashtu edhe mbi dyshimet e vullnetit të lojtarëve për të dhënë maksimumin. Për këtë gjë, kërkojmë që organet përkatëse të nisin një hetim dhe të kenë në qendër të vëmendjes përfitimet e siguruara nga bastet. U kërkojmë falje tifozëve tanë, por besojmë se ky është vendimi i duhur që duhet marrë”, thuhej në komunikatë.

Në fakt, Eldense e kishte siguruar rënien nga kategoria, pasi pozicionohej në vendin e fundit të klasifikimit me vetëm 14 pikë në 32 ndeshje.

 

Shqiptari
Pjesë e skuadrës së Eldenses është edhe një futbollist kuqezi. Bëhet fjalë për portierin 20-vjeçar Alesio Abibi, i cili nuk ka luajtur në ndeshjen e akuzuar për trukim. Madje, nuk ka pasur thuajse fare minuta në dispozicion gjatë këtij edicioni. Në të shkuarën, Abibi ka qenë pjesë e Kombëtares U-19 të Shqipërisë, ku është aktivizuar për disa minuta në një ndeshje miqësore ndaj Italisë. Pas vendimit për shkrirjen e skuadrës, tashmë ai ka mbetur pa ekip.

Eldense trukoi ndeshjen e humbur 12-0 me Barça B.

Trukimet mbeten problematika më e madhe e futbollit botëror. Së fundmi në Spanjë në qendër të furtunës është vënë ndeshja e kategorisë së dytë ndërmjet Eldenses dhe Barcelona B. Skuadra mike, e cila ka humbur edhe shpresat matematike për të mbijetuar u mposht me rezultatin 12-0 nga “blaugranat” kryesues. Një rezultat që u shoqërua me akuza për manipulim të rezultatit. Në fundin e ndeshjes, disa futbollistë të Eldense-s shpërthyen në lot, por dyshimet erdhën nga sjellja e klubit. Menjëherë pas ndeshjes u pezulluan stërvitja dhe të gjitha aktivitetet e ekipit të parë.

Artikulli paraprakNojer me 100% luan kundër Realit
Artikulli tjetërShqipëria e femrave, mes Kosovës dhe kualifikimit