Berisha: Rama të heqë kushtet për dialogun mbi zgjidhjen e krizës

Ish-Kryeministri Berisha ka ironizuar dje reagimin e Ramës pas qëndrimit publik të aleatit të tij në qeverisje, Ilir Meta, i cili hodhi poshtë çdo mundësi për zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën. Paraditen e djeshme, Rama në përpjekje për të mos u tërhequr nga qëndrimi i tij mbi krijimin e qeverisë teknike vendosi kushte  për të zhvilluar dialog me opozitën. Përmes një reagimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha e cilësoi Ramën me një personazh të shkrimtarit Erih Maria Remark, i cili kishte luhatje mendore në qëndrimet e tij. Berisha i bëri thirrje Ramës të heqë çdo kusht dhe bllokim dhe t’i përgjigjet kërkesave të opozitës duke i hapur rrugë dialogut. “Ndaj kërkesës së kreut të opozitës Lulzim Basha për dialog pa kushte, Rama përdor për bllokim kushtet dhe si mburojë Kushtetutën. Mirëpo për Edvinin, libri themelor i shtetit një herë quhet Kushtetutë e herën tjetër prostitutë! Kështu, në vitin 2007 kur ai kërkoi shtyrjen, dhe zgjedhjet u shtynë tre muaj vetëm për çertifikatën e gjendjes civile për zgjedhësin, e cila në Tiranë dhe 70% të vendit lëshohej nga bashkitë socialiste, ajo nuk ishte Kushtetutë, por ishte thjesht prostitutë! Kurse tani që Rama ka mbushur vendin me drogë, banda, krim dhe që opozita kërkon qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve për të patur zgjedhje të lira, Rama mbron karrigen e tij duke thënë se shtyrjen e zgjedhjeve nuk e lejon Kushtetuta, sikur nuk ishte Kushtetuta që lejoi shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 2007 apo sikur ajo lejon mbushjen e vendit me drogë dhe krim, të lidhur direkt me Edvinin. Kësaj i thonë: karrigia e para! Në veprat e Remarkut është një personazh në një spital psikiatrik, i cili për shkak të sëmundjes, në varësi nga hëna ndërronte emrin kur i shkonte e dashura për vizitë, një herë e priste si Albert e herën tjetër si Robert! Me këtë rast i bëj thirrje Edi Ramës të heqë çdo kusht dhe t’iu përgjigjet thirrjeve të opozitës, por edhe të aleatit në qeverisje të tij, mos të bllokojë, por të nisë menjëherë dhe pa kushte dialogun për zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Artikulli paraprakManjani: Zgjedhjet pa opozitën janë diktaturë
Artikulli tjetërZëri i Amerikës: Edi Rama në pozita tejet të vështira