Thomas Strakosha regjistron një tjetër arritje historike në sezonin e tij të parë me Lazion si zgjedhje e parë. Gardiani shqiptar që zhvilloi një 90 minutësh fantastik edhe në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë kundër Romës, shijon suksesin. Disa pritje vendimtare në 180 minuta dhe një biletë për finalen e madhe të qershorit. Strakosha ka fituar besimin e trajnerit, tifozëve dhe klubit duke hedhur kandidaturën për të qenë zgjedhje e parë në sezonin e ardhshëm. 22-vjeçari kuqezi shfaqet i emocionuar në prononcimin e tij për mediat italiane, duke theksuar se ai bashkë me skuadrën arritën një objektiv të rëndësishëm që është edhe finalja e tij e parë me skuadrën e parë të Lazios.
“Në Kupën e Italisë kam fituar ndaj Romës edhe me të rinjtë dhe kjo është një ndjesi e bukur. Jam shumë i lumtur, por dua të punoj akoma edhe më shumë. Ia dedikoj këtë arritje familjes time që edhe në momente të vështira më kanë mbështetur. E kemi merituar këtë finale sepse jemi ndeshur me kundërshtarë të fortë, duke treguar vlerat që kemi si skuadër. Nëse tifozeria do të na mbështesë përherë kështu, do të jetë shumë e vështirë që kundërshtarët tanë të na mundin. Mbështetja e tyre për ne është shumë e rëndësishme, kemi një tifozeri magjike që nuk krahasohet me asnjë skuadër tjetër”, shprehet Strakosha, i cili ka rritur shanset për të luajtur titullar në finalen e qershorit edhe pse rikthimi i Marchettit mund ta komplikojë disi situatën.