Ndaj Veronës ishte humbja e parë për Kristian Brokin në drejtimin e Milanit. Tekniku kuqezi ka marrë të gjitha përgjegjësitë për rezultatin dhe thotë se, kjo humbje tregon që skuadra duhet të punojë shumë. Ai pranon se të gjithë janë të zhgënjyer, por siguron se vendi i gjashtë nuk është në rrezik, sepse ka edhe 3 ndeshje në të cilat Milani duhet të fitojë. “Si trajner i skuadrës, më duhet të marr të gjitha përgjegjësitë për këtë humbje. Nuk luajtëm keq, por kjo humbje nuk na duhej. Është njëlloj sikur fik dritën. Kam folur me Galianin pas ndeshjes dhe ai ishte i zhgënjyer, por duhet të punojmë shumë për të ardhmen.
Europa? Nuk besoj se do ta rrezikojmë vendin e gjashtë. Kemi edhe 3 javë kampionat, ku na duhet të reagojmë dhe të fitojmë”, tha Broki. Ai vlerësoi Hondën si një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes. “Bëri një ndeshje shumë të mirë, duke treguar kualitet dhe dëshirë. Nuk u shoqërua nga të gjithë lojtarët e tjerë, por jam i bindur se do të rikthehemi shumë shpejt në rrugën e duhur”, përfundoi trajneri i Milanit.
Kuqezinjtë e Milanit janë thyer në transfertë, duke iu larguar zonës në Ligën e Europës. Ekipi i Kristian Brokit humbi me rezultatin 1-2 ndaj Verona në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të Serisë A.
Aktualisht, Milani ndodhet në kuotën e 53 pikëve, ndërsa Verona edhe me tri pikët e marra nuk mundet të dalë nga vendi i fundit, duke rrezikuar rënien nga kategoria. Fillimisht, fitorja e Milanit u duk e lehtë pas golit të avantazhit të realizuar nga Manez në minutën e 21′, por vendasit barazuan në pjesën e dytë me anë të 11-metërshit. Pacini barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 72′ dhe Luka Siligardi përmbysi rezultatin në minutat shtesë.