PSG, Salvatore Sirigu i bind të gjithë

Kanë mjaftuar vetëm disa paraqitje mbresëlënëse që portieri i skuadrës së Paris Saint Germain, Salvatore Sirigu, të rifitojë vendin e titullarit tek kampionët e Francës. Gardiani i parizienëve falë formës së tij të mirë duket se i ka bindur të gjithë. Madje, mediat franceze nuk kanë nguruar të thurin elozhe për të. Sezonin e kaluar, Sirigu u cilësua si fajtor për eliminimin e PSG nga Champions League dhe vendin e tij e mori Trapp, por duket se nuk ishte ai problemi i skuadrës. Mund të konsiderohet një fitore e Sirigut rikthimi sërish si titullar në formacionin e Laurent Blanc.
Mbështetja e tifozëve nuk i ka munguar në asnjë moment 29-vjeçarit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur me portierin tjetër Trapp, ku në disa raste ka pasur dhe vërshëllima për shkak të gabimeve të rënda. 25-vjeçari gjerman erdhi me shumë bujë nga Eintrachti i Frankfurtit, duke u cilësuar si Manuel Neuer i ri, por në fakt nuk rezultoi kështu. Drejtuesit e klubit francez po mendojnë largimin e Trapp dhe në vend të tij të rikthejnë në shtëpi, portierin Areola, i cili është dhënë në formën e huazimit tek skuadra e Villarreal.

Artikulli paraprakMilani rrezikon Europën
Artikulli tjetërAtletiko e pathyeshme