Deputeti Edmond Spaho tha dje se Rama, “si Ramiz Alia, me partizat e tij të gatshme për të bërë prostitutën politike” po përpiqet t’i trembë me alternativën që do të zhvillohen zgjedhje pa opozitën. Spaho tha se, prova është Kavaja dhe le ta provojë se do të shohë si do i rrëshkasë toka nën këmbë. Spaho paralajmëroi se çdo përpjekje e Ramës për të çuar vendin në zgjedhje pa qeveri teknik e pa pjesëmarrjen e opozitës do të ketë përballet me qëndresën e opozitës dhe popullit shqiptar që sot është vendosur në krye të betejës kundër pushtetit të inkriminuar.
“Zgjedhje pa opozitën në Shqipëri ka tentuar të mbajë vetëm Ramiz Alia, ai u përpoq me zuskat e Partisë së Punës, me Frontin Demokratik, Lidhjen e Gruas, Bashkimin e Rinisë së Punës së Shqipërise dhe me ca bishta të tjera të krijonte gjoja zgjedhje pluraliste. Edhe sot, Rama nën shembullim e Ramiz Alisë po përpiqet me disa partiza që janë vetë ofruar për të bërë prostitutën politike të na kërcënojë se do të mbajë zgjedhje pa PD-në. Do të mbajë zgjedhje pa opozitën. Po i themi Edi Ramës dhe partizave të tij të gatshme për të bërë prostitutën politike, le ta provojnë të mbajnë zgjedhje pa opozitën e PD-në. E kanë mundësinë në Kavajë. Ta provojnë dhe do të shohin si do i rrëshkasë toka nën këmbë. Nuk ka më në Shqipëri që për hir të stabilitetit të sakrifikohet demokracia. Sakrifikimi i demokracisë çoi në rrënimin e saj, por dhe të vetë stabilitetit. Prandaj zgjedhjet e lira, qeveria teknike dhe standardet do të sigurojnë stabilitet dhe një të ardhme demokratike për Shqipërinë”është shprehur Spaho.
Për Spahon, nuk ka dialog pa qeveri teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
“Në kushtet aktuale politike ku çdo ditë po lëvizim drejt qeverisë teknike. Edi Rama me njerëzit e tij vazhdon të na bëjë thirrje për dialog e negociata, por pa qeveri teknike e pa shtyrë datën e zgjedhjeve. Atëherë për çfarë të negociojmë apo të dialogojmë. Përpiqen të na trembin me atlernativën që do të zhvillojmë zgjedhje pa opozitën. Na bëjnë thirrje të braktisim çadrën e t’ju braktisim ju, e të kthehemi në Parlament a thua se nuk ishim ne që ishim 4 vjet në Parlament” është shprehur Spaho.