Një e mërkurë e rëndësishme ajo që lamë pas në futbollin europian, jo vetëm për sa i përket ndeshjeve të luajtura në arenat më të rëndësishme të kontinentit, por edhe pas tyre me konfirmime që shuajnë në njëfarë mënyre zërat e merkatos që bëhen gjithnjë e më të fortë me afrimin e verës. Një ndër çështjet më të diskutuara për shembull ka qenë ajo e vazhdimësisë së Antonio Kontes, te Chelsea, me të ardhmen e trajnerit italian që ishte vënë në diskutim, por vetë Konte pas fitores me Manchester City-n e Guardiolës që e afron akoma më tepër me titullin kampion në Angli në sezonin e tij të parë në Premier League, bëri të ditur se synon të vazhdojë aventurën e tij me blutë e Londrës.
“Tani të shtrëngojmë dhëmbët dhe luftojmë pasi sunojmë të arrijmë një sukses që ndoshta nuk pritej, për më pas do të kërkojmë të ndërtojmë diçka të rëndësishme për sezonin e ardhshëm”.
Me pak fjalë Konte mendon vetëm për Chelsean dhe e ardhmja e tij pritet të jetë ende në “Stamford Bridge”, edhe pse në futboll asgjë nuk mund të jetë e sigurt. Sinjale të rëndësishme edhe nga Juventusi, aty ku Massimiliano Allegri u kualifikua për në finalen e Kupës së Italisë ku e pret Lazio edhe pse u mund 3-2 në ndeshjen e kthimit në “San Paolo” nga Napoli. Bardhezinjtë janë në garë për trofe në të tria frontet dhe tekniku aktual nuk ka ndër mend të largohet.
“Synimet e mia për të ardhme? Të vazhdoj me Juventusin. Ndihem mirë këtu dhe do të kemi kohë për të biseduar me klubin që ka prioritete të tjera në këtë moment para se të flasim bashkë”.
Në këtë mënyrë edhe Allegri largon zërat e merkatos pasi ishte kuotuar si një ndër pasuesit e mundshëm të Arsene Wenger te Arsenal, ndërkohë që emri i tij ishte përmendur edhe për një kalim të mundshëm te Barcelona.