Rama po përpëlitet, dialog me modalitete për qeverinë teknike

– Unë kam qenë në çadrën tuaj dhe ishte detyrimi juaj të vinit në studio. Këto janë vendimtare edhe për ju edhe për forcat e tjera politike. Rama ka deklaruar sot që ju po i shmangeni ftesës së tij. Duket se ka përpjekje për një takim pavarësisht se Rama ka thënë se është i pafuqishëm sepse jeni ju që po i shmangeni takimit. Kam dy ditë që pres vendin dhe orën. Nuk ka as vend, as orë, thotë Kryeministri.
Kjo është një deklaratë e pasaktë dhe e gënjeshtërt, sepse ne kemi ftuar shumë palë politike të mbajnë përgjegjësi për këtë moment krize që po kalon vendi. Kemi qenë të hapur që dialogun ta zhvillojmë jo sot, por çdo ditë në këto 48 ditë proteste që nga dita e parë, që nga 18 shkurti e deri më sot. Dialog nuk do të thotë të bëjmë monologje secili për hesap të vet, siç ndodhi më 6 qershor gjatë Reformës në Drejtësi. Ne shkuam të përgatitur me terma juridikë dhe politikë dhe si përgjigje mora që zoti Rama kishte ardhur me një fjalim të përgatitur në xhep. Ishte takim i synuar për t’u përdorur politikisht. Me dialogun që kërkojmë, duam të japim zgjidhje. Për këtë arsye, që prej ditës së sotme stafi im ka kontaktuar stafin e Kryeministrit duke treguar gatishmëri për përgatitjen e takimit, i cili të ketë premisa për zgjidhjen e krizës. Jo thjesht të shkojmë aty, secili të thotë ato që ka në mendje dhe pastaj të bëjmë disa fotorafi e disa filmime. Kjo është fasadë. Unë jam shprehur që prej ditës së parë se koha e fasadave i takon republikës së vjetër.

– Ju po thoni që jeni i gatshëm për takim me axhenda të paradiskutuara?
Për një takim të përgatitur sepse kriza është e rëndë dhe kërkon vullnet të vërtetë.

– Zoti Rama thotë se kriza është vetëm në çadrën tuaj…..
Se çfarë thotë ai e kam dëgjuar, por se çfarë thonë shqiptarët duhet ta dëgjojë ai dhe çdokush tjetër që mendon se kjo është diçka e shpikur dhe jo reale.

– Kur është kontaktuar stafi juaj nga stafi i Ramës? Apo i ka kontaktuar stafi juaj?
Kontakti ka qenë që prej mëngjesit të ditës së sotme midis stafit tim dhe stafit të zotit Rama.

– A ka ndërmjetës ndërkombëtar ose shqiptar për takimin?
Nuk ka as ndërmjetës shqiptar, as ndërkombëtar.

– Me cilin nga stafi i Ramës po negocioni?
Stafi im është mandatuar për të përgatitur takimin, ndërkohë që nga stafi i Ramës ende nuk është mandatuar dikush.

– Si e parashikoni ju përgatitjen e takimit?
Në radhë të parë, të siguroj që ky nuk do të jetë takim për të bërë fotografi e për të buzëqeshur para kamerave, por që do të ketë objektiv dialogun politik në funksion të zgjidhjes. Opozita bashkë me qytetarët e kanë parashtruar zgjidhjen. Një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të fokusohet te zbatimi i plotë i dekriminalizimit, i luftës ndaj drogës dhe përgatitja për zgjedhje të lira.

– Edi Rama ka përjashtuar diskutimin e kushteve për qeveri teknike dhe për shtyrjen e zgjedhjeve, të cilat shkelin Kushtetutën. Në këtë aspekt nuk ka dialog?
Të zgjohemi dhe mos të bëjmë sikur nuk kemi qenë këtu këto 48 ditë. Kjo protestë ka këtë vendim, largimin e këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie sepse Shqipëria është e mbushur me drogë dhe institucionet janë të mbushura me kriminelë.

– Po si prisni të vijë në takim kur i vini ultimatum?
Vendimi është i 18 shkurtit. Dua t’i kujtoj qytetarët, para 5 javësh gjatë një takimi me aleatët kanë dalë ftesat për dialog. Sot, në kushtet kur edhe brenda koalicionit qeveritar është shprehur gatishmëria, urgjenca për një dialog politik për t’i dhënë zgjidhje krizës, nuk mund t’i kthehemi prapë çështjes së para 5 javëve.

– Qeveri teknike, asnjë kusht tjetër? Po atëherë pse do të bëhet takimi?
Për të përcaktuar modalitetet sesi do të biem dakord për qeverinë teknike. Ka shqiptar që nuk e di pse qytetarët janë bashkuar në këtë lëvizje?

– Në negociatat politike shkohet për të zgjidhur një ngërç. Nëse ju shkoni me ultimatum, Rama është shprehur prerazi që nuk do të ketë qeveri teknike…
Dy rrugë ka si zgjidhet kjo, njëra është rruga e dialogut politik për qeveri teknike, me anë të së cilës ne do u mundësojmë të gjithë shqiptarëve të votojnë të lirë, të pakërcënuar. Rruga tjetër është rruga e përballjes me qytetarët…
Rruga tjetër nëqoftëse nuk ka dialog politik për këtë, është rruga e përballjes me qytetarë që ka nisur në 18 shkurt dhe nuk do të ndalojë deri sa të realizojmë qëllimin që kemi. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm me një qeveri teknike.

– Fakti që po këmbëngulni për një axhendë le të nënkuptohet se nuk doni të bëhet takimi, sepse kjo axhendë është një lloj kushtëzimi?
Absolutisht nuk është kushtëzim, nuk është kushtëzim për dialog për qeveri teknike.
Kushtëzimi qytetar i 18 shkurtit është qeveria teknike dhe duhet të jesh në mars të mos e kuptosh. A ka shqiptar që nuk e di këtë që kemi parashtruar.

-Ka një vendim të qeverisë që nuk e jep qeverinë teknike
…Atëherë ne do të vazhdojmë të përballemi.

–  Atëherë dialogu është i vdekur që në gjenezë
Atëherë ftesa e Ramës gatishmëria e Ramës për dialog është hipokrizi, sepse nuk kemi për çfarë të ulemi përveçse të përcaktojmë modalitetet e qeverisë teknike.

-Atëherë po jua përsëris edhe një herë, e vetmja mënyrë me të cilën uleni është të dialogoni për të përcaktuar modalitetet e qeverisë teknike?
Unë nuk jua përsëris këtë, po pyes për çfarë tjetër mund të uleshim me Ramën?

– Zoti Rama mund tju pyeste, përveç qeverisë teknike dhe shtyrjes së zgjedhjeve a ka çdo mënyrë tjetër që ju mund të bashkëpunoni për të gjetur një zgjidhje kësaj krize?
Përgjigja për këtë është : Po, kishte para një viti. Jo nuk ka më. Është e prerë dhe e shterruar për një vit me radhë, sepse çfarë ka ndodhur. Shqipëria është mbushur me drogë dhe miliardat e drogës po influencojnë tek zgjedhjet siç e pamë në Dibër. Kriminelët janë akoma në detyra shtetërore në kundërshtim dhe me sfidim të ligjit në fuqi të Dekriminalizimit, Kushtetutës që ndryshuam bashkarisht. Spo përmend presionin që i bëhet administratës, policisë, arsimit, shëndetësisë, ushtrisë, gjithë sektorit publik, që  është e përditshme. Por vetëm këto të dyja mjaftojnë në kushtet e shterrimit të Reformës Zgjedhore, sepse në maj të vitit të kaluar ne bëmë propozimin për Reformën Zgjedhore dhe në ato kushte, kur propozuam votimin elektronik, zoti Rama e kishte në dorë t’i hapte dritën jeshile dhe ne nuk do të kishim sot legjitimitetin që kemi për të kërkuar largimin e kësaj qeverie për të mbrojtur zgjedhjet. Por në kushtet kur kemi shterruar çdo mundësi institucionale që unë e kam kërkuar me ngulm. Çdo mundësi për ta zgjedhur këtë, në suazën e institucioneve që kanë rënë të gjitha, meqë ra fjala, i vetmi institucion që qëndron në këmbë është qeveria, sepse i ka rrëzuar të tjerat dhe tani do të rrëzojë zgjedhjet, është një qeveri teknike.

-Ajo që po kuptoj unë është se nëse zoti Rama nuk pranon të flasë për qeverinë teknike, ju nuk shkoni në takim?
Ç’kuptim ka të ftosh palën për dialog që ka 48 ditë që ka parashtruar në kërkesën për qeveri teknike si zgjidhje e vetme për  krizën politike.

-Ndoshta ka një keqkuptim dhe unë po tentoj ta sqaroj?
Jo nuk ka keqkuptim, ka një hile. Hilja është PO jam i hapur të diskutoj për qeverinë teknike. Në këtë moment ftesa është,  urdhëro atëherë, ta përgatisim që të mos dalim atje e të bëjmë shfaqje. Ta përgatisim si e mendon pala juaj krijimin e qeverisë teknike, si e mendon pala jonë dhe si do ta strukturojmë dialogun për të arritur një marrëveshje për këtë çështje. Kjo është mënyra normale, kështu e kupton opozita dhe pjesa tjetër është truku që flasin për dialog po asgjë nuk është…….

-A ju ka thënë Rama stafi i tij që është gati të flasë për qeveri teknike?
Ditën e djeshme që ka qenë kontakti i parë. Po i janë përgjigjur interesit tonë, kur ne kemi parashtruar dy çështje: krijimin e qeverisë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme. Kanë thënë dakort. Sot në mëngjes, kur stafi ka kërkuar rakordimit e nivelit të lartë për të rakorduar dialogun për këto çështje, nuk kanë pranuar, refuzon përgatitjen e një takimi që do të trajtojë një çështje kaq komplekse.

-Sot negociatat kanë mbetur në ngërç?
Sot, nuk ka patur takim midis stafeve, të deleguarit tim për të takuar që në mëngjes të deleguarin e palës tjetër në mënyrë që të strukturojnë të përgatisin një takim për çështje kaq sensitive. Pse është e rëndë kjo, sepse, ndërkohë që refuzohet kjo, kemi dy gjëra, kemi Kryeministrin në Parlament që përsëri refuzon qeverinë teknike dhe kemi një shprehje, një zhargon politik që shkon krejtësisht kundër frymës së dialogut dhe kjo na bën ne të besojmë jo vetëm mua se oferta paska qenë falco. Se në fakt edhe pse u tha se, po jemi të gatshëm të diskutojmë këto, nuk janë të gatshëm, t’i diskutojnë.
-Pra ju po prisni tani një përgjigje nga Rama që të përcaktojë një këshilltar, një axhendë. Nëse këshilltari, negociatori i tij përcaktohet dhe axhenda bihet dakort, çfarë parashikohet? Në axhendë do të jenë të gjitha pikat apo thjesht këto dy çështje?
Sigurisht që këto janë dy çështje shumë komplekse. Ne duam të kuptojmë në radhë të parë, që ka vullnet për dialog për këto dy çështje, sepse në momentin që bihet dakort dhe pala tjetër një ditë thotë PO dakort për këto dy çështje dhe të nesërmen del në deklarata për shtyp, në takime me aleatët e vet, në Parlament dhe thotë nuk ka qeveri teknike, atëherë ne kuptojmë se nuk është e sinqertë.

-A do ishit ju të gatshëm të mbylleshit në një zyrë apo në një dhomë tek për tek me Ramën për të zgjidhur këtë çështje?
Unë nuk besoj në fabula të tilla, që zgjidhje të mëdha që kërkojnë racionalitet politik, kërkojnë përgjegjësi të mëdha vijnë thjesht nga takimet tek për tek.

-Keni frikë ta takoni tek për tek?
Sigurisht që nuk kam asnjë frikë dhe nuk kam pse të kem frikë. Por çështja qëndron këtu; që nuk do të projektojmë takime të tilla nga të cilat varen fatet e njerëzve. Nga zgjedhjet e lira varen fatet e njerëzve, varet mirëqenia e tyre, varet nëse do të ketë shanse për më shumë punësim, për më shumë siguri, për më shumë arsim, shëndetësi, etj. Por i them si vullnete personale a thua se ne jemi gjysëm zotër.
Nuk jemi. Ne jemi qytetarë të këtij vendi që kemi marrë përgjegjësi para shqiptarëve dhe këto përgjegjësi duhet t’i kryejmë me seriozitet, duhet t’i kryejmë me përgjegjësinë më të lartë dhe përkushtimin ndaj fateve të shqiptarëve.
Prandaj për çështjen e formatit, unë pres propozimin e palës tjetër dhe sigurisht, unë do të konsultohem me aleatët dhe forumet e mia.

Nuk ka kohë për të bërë zgjedhje me 18 qershor

-Pra mund të shkojmë në zgjedhje edhe në datën 18 qershor?
Jo në gjykimin tim, sigurisht që jo. Për faktin e thjeshtë, sepse ka vetëm pak kohë për të kryer detyrat e veta bazike në veçanti në raport me dekriminalizimin, në raport me një luftë efektive kundër drogës dhe parave të drogës dhe në raport me çështjet esenciale që garantojnë votën e shqiptarëve.

– Nëqoftëse kjo datë është e pamundur kur mendoni se është data më e mirë për zgjedhjet?
Për mua kjo është një çështje standardesh dhe jo kohe. Nëqoftëse standardet plotësohen dhe për këtë duhet një qeveri teknike që të ketë mandatin e plotë për t’i plotësuar këto standarde, atëherë data do të jetë më afër. Sa më shumë zvarritet ky proces aq më shumë largohet dhe data e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

-Sot zoti Berisha ka bërë një deklaratë ku thotë se Rama mund të qëndrojë deri në datën 18 qershor. Ka një kontradiktë mes jush dhe zotit Berisha. Jeni dakort me këtë deklaratë?
Ky është mendimi i zotit Berisha. Qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike është ai që shpreha unë, natyrisht që nëqoftëse Rama qëndron në zyrë deri më 18 qershor zgjedhjet do të shtyhen shumë më shumë, sesa nëqoftëse ai vendos t’i hapë rrugë qeverisë teknike, tani. Pra i vetmi efekt i qëndrimit të tij më gjatë në zyrë, është shtyrja, shtyrja e zgjedhjeve. Unë gjykoj se kjo nuk i shërben as zgjidhjes së krizës, as vendit, as interesave të shqiptarëve. Nuk kam komunikuar me zotin Berisha, por mendoj se është më shumë një shprehje sesa një platformë politike, sepse platforma jonë politike është qeveria teknike një orë e më parë, sepse koha nuk pret.

– Pra, ju është propozuar një tryezë tek për tek ju dhe z.Rama apo të shoqëruar me aleatët?
Nuk kemi arritur në çështjen e formatit. Sepse përmbajtja, thelbi i asaj që do të bëjmë është më e rëndësishme. Ajo që presin shqiptarët është zgjidhja e krizës përmes një marrëveshje politike që do t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie teknike për të bërë detyrën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa nga ana jonë nuk është këmbëngulur për një format të caktuar. Sigurisht presim propozimet e palës tjetër për formatin që ata dëshirojnë apo kanë në mendje.

Intervistoi: Blendi Fevziu

Artikulli paraprak“The Wall Street Journal”: Dyert e Soros po mbyllen në Europë
Artikulli tjetërFaqja e pare