James Rodriguez nuk duron më zëvendësimet e vazhdueshme dhe minutazhin e kufizuar që i vë në dispozicion Zinedin Zidan. Kolumbiani ka reaguar ashpër në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes ndaj Leganes, i pakënaqur që francezi nuk po e linte në fushë.
Ndërsa po kryhej zëvendësimi në minutën e 71-të, kolumbiani u filmua duke sharë Zidan. “Atë të mamit, nuk më lë një ndeshje të plotë”, ishin fjalët e futbollistit. Më pas, ai kaloi para trajnerit pa i folur, ndërsa goditi me grusht pankinën në shenjë zemërimi dhe faktin që nuk luan një ndeshje të plotë që nga dhjetori.
Nga ana tjetër, Zidan u mundua të qetësonte polemikën me yllin kolumbian gjatë konferencës për shtyp. “Është logjike që është i inatosur. Zëvendësohet shpesh, por nuk kam asgjë kundër tij, ndonëse vazhdoni të ma bëni këtë pyetje. Përkundrazi, jam i lumtur me të”, tha francezi.