Dy persona humbën jetën brenda pak orëve në dy aksidente rrugore në qytetin e Fierit. Në orët e para të mëngjesit, një 35-vjeçar vdiq pasi makina që drejtonte doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një banese. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Fier–Libofshë në afërsi të fshatit Libofshë, kur makina tip “Ford” fokus doli nga rruga. Drejtuesi i mjetit Elton Dhamo, banor i zonës mori plagë të rënda dhe humbi jetën rrugës për në Spitalin e Fierit. Nuk dihen shkaqet, por policia dyshon për shpejtësi tej normave të lejuara.
Disa orë më vonë në lagjen “15 Tetori” një “Merecedez Benz” përplasi për vdekjen drejtuesin e një motori. Ai po kalonte në anë të rrugës, ku makina e mori para. Policia ndaloi drejtuesin e makinës deri në sqarimin e plotë rrethanave të ngjarjes. Dy aksidentet vijnë pas atij tragjik që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Tepelenë, ku dy vetë humbën jetën dhe një i tretë u plagos, pasi makina me të cilën po udhëtonin doli nga rruga.