Futbolli në San Marino pushtohet nga droga dhe bastet

Futbolli i San Marinos pushtohet nga skandalet. Rrethit vicioz të basteve të jashtëligjshme, duket se nuk i ka shpëtuar dot as një vend i vogël siç është San Marino. Liga modeste e këtij kampionati është vënë nën hetim nga ana e autoriteteve vendase. Shkak është bërë një takim i luajtur në “Kupën Titano” i zhvilluar në mes të muajit mars, ku kryesuesit e kampionatit Virtus, janë mundur nga një autogol kundrejt skuadrës së vendit të fundit në tabelën e klasifikimit San Giovani, ndërkohë që momentalisht të dy skuadrat janë jashtë kompeticionit. Fakte të çuditshme këto, për autoritetet vendase dhe që i ka bërë ata të nisin një proces hetimor.
Përveç personave që janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre, policia ka vendosur të bëjë një kontroll surprizë në qendrën stërvitore të Virtus dhe në fakt surprizat nuk munguan. Në makinën e portierit 22-vjeçar, uniformat blu gjetën një sasi të konsiderueshme droge. Autoritetet më të larta të Republikës së San Marinos së bashku me Federatën e Futbollit vendas, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, si dhe për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarjeje. Skandali pritet të marrë përmasa akoma edhe më të mëdha në ditët në vazhdim.

Artikulli paraprakVillarreal dominon në “El Madrigal”
Artikulli tjetërJo vetëm Donnarumma, dhe të mëdhenjtë gabojnë