De Shiljo: Synojmë Ligën e Europës

Matia de Shiljo, në kuadër të një eventi të organizuar nga “Fondacioni Milan”, foli për mediat në lidhje me sezonin kuqezi, objektivin Europë dhe të ardhmen e tij. Kapiteni aktual kuqezi shprehet i përqendruar në ecurinë e skuadrës dhe i qetë për sa i përket paktit të tij me “Djallin”.
– Si e shihni këtë fundsezoni?
Kemi akoma tetë ndeshje nga të cilat varet pjesëmarrja jonë në Europë. Objektivi ynë është pikërisht Europa League dhe do të japim maksimumin për të arritur.
– Pas dëmtimit të dy kapitenëve, tani shiriti është në krahun tuaj, si ndiheni?
Është një përgjegjësi në çdo skuadër, sidomos te Milani dhe kur mendoj se kush e ka mbajtur në të kaluarën, është një emocion edhe më i madh. Premtoj impenjim maksimal për ta nderuar siç duhet.
– Ju pret një javë e vështirë, Palermo dhe Interi në fushë, ndërsa shitja e klubit në zyra?
Skuadra mendon për ndeshjet dhe pikët që na nevojiten për të hyrë në Ligën e Europës. Shitja e klubit nuk është detyra jonë.
– Pankina ndaj Peskarës thuhet se ishte ndëshkuese pasi ka zëra që mund të visheni bardhezi…
Unë jam i qetë, mendoj për skuadrën, për rezultatet dhe të nderoj shiritin që më është besuar. Kam ende një vit kontratë dhe dëshira ime dihet, por nuk jam unë ai që duhet të shkoj te drejtuesit, por janë ata që duhet të më kontaktojnë. Në momentin e duhur do të ulem të bisedoj për të gjetur zgjidhjen më të mirë të përbashkët.
– Nga tetë ndeshjet që ju kanë mbetur, kush do të jetë më e rëndësishmja?
Derbi apo takimet direkte me Romën dhe Atalantën, mund të na ndihmojnë shumë në rast se fitojmë, por mendoj se çdo ndeshje ka shumë vlerë. Fundja, edhe ndeshjet ndaj Palermos, Krotones apo Empolit vlejnë po tri pikë.
– Si e shihni rrugën drejt Europës?
Shpresonim në humbjen e Interit, por më shumë se sa skuadrat e tjera duhet të shohim renditjen tonë duke u munduar deri në fund për të siguruar Europën, që është edhe objektivi ynë kryesor.

Artikulli paraprakNuk kam asnjë plan
Artikulli tjetërProblemi i Junajtid është Ibra