Siti dhe Liverpuli fitore për Champions-in

Mançester Siti u rikthye te fitorja pas disfatës së mesjavës kundër Çelsit, duke triumfuar 3-1 në shtëpi përballë Hull Sitit. Rezistenca e miqve në “Etihad Stadium” zgjati gjysmë ore, deri kur Ahmed El Muhamedi shënoi gabimisht në portën e vet.
Paskëtaj gjithçka u bë më e thjeshtë për “Qytetarët”, të cilët thelluan epërsinë me Serxho Agueron tri minuta pas pushimit mes pjesëve dhe vulosën suksesin me mesfushorin Fabian Delf në të 64-n. Ekipit mik nuk i mjaftoi goli i Andrea Ranokias pesë minuta para fundit, i dyti radhazi për ish-qendërmbrojtësin e Interit.
Me këtë fitore ekipi i Pep Guardiolës forcon pozitat në vendin e katërt me 61 pikë, dy më pak, por me një ndeshje më tepër në dispozicion se Liverpuli. Këta të fundit nuk gabuan, duke marrë një fitore të çmuar 2-1 në fushën e Stok Sitit. Skuadra e Jurgen Klopit u gjend në disavantazh pas golit të Xhonatan Uoltersit një minutë para pushimit, por përmbysi gjithçka brenda dy minutash me të përhershmin Kutinjo (70’) dhe supergolin e Firminjos (72’).
Takimet e tjera dhanë këto rezultate: Midëllsbrou 0–0 Bërnli, Uest Bromuiç 0–1 Sauthempton dhe Uest Hem 1–0 Suonsi.

Artikulli paraprakGabon Reali, ndalet nga Atletico
Artikulli tjetërInteri, 150 milionë euro për merkaton